DCAA, një shtëpi e përbashkët për demokratët shqiptaro-amerikanë

Themelohet në SHBA Këshilli Demokratik Shqiptaro-Amerikan – synon angazhimin e shqiptarëve në politikën amerikane, mbështetjen e kandidatëve demokratë, dhe forcimin e demokracisë amerikane

Nga Ruben Avxhiu

Një grup veprimtarësh të njohur shqiptaro-amerikanë, pjesëmarrës të disa fushatave zgjedhore të Partisë Demokrate në SHBA kanë shpallur dje, të enjten në 7 tetor 2021, themelimin e Këshillit Demokratik Shqiptaro-Amerikan (Democratic Council of Albanian Americans – DCAA).

Këshilli ka shpallur si qëllim kryesor të tij të ndihmojë në forcimin e demokracisë amerikane, të inkurajojë një pjesëmarrje më të madhe të komunitetit tonë në politikë, si dhe të mbështesë kandidatët demokratë për postet zyrtare.

Për më shumë se një çerekshekulli Partia Demokrate në SHBA është përqendruar në afrimin e posaçëm të komuniteteve. Në këtë kuadër një numër shqiptaro-amerikanësh janë përfshirë në fushatat e ndryshme në vite. Ka edhe nga ata që kanë kandiduar si demokratë në zgjedhjet amerikane, si Mark Gjonaj për këshilltar bashkie, apo Suzana Shkreli për kongresiste.

Ky Këshill është rezultat i kësaj përvoje të gjatë dhe përbën një përpjekje për ta institucionalizuar angazhimin e demokratëve shqiptarë në SHBA.

Komuniteti shqiptaro-amerikan ka qenë historikisht dypartiak – ne kemi pasur miq dhe aleatë në të dy partitë kryesore amerikane. Shqiptaro-amerikanët jetojnë e banojnë në shtete të cilat kthehen në fushë beteja në kohë zgjedhjesh kombëtare. Të dyja këto e bëjnë fushatën brenda komunitetit të rëndësishme nga ana zgjedhore e politike, si dhe interesante e kurioze për vëzhguesit.

“Jam i emocionuar që jam pjesë e nisjes së DCAA me një grup njerëzish kaq të talentuar dhe me përvojë që kujdesen kaq thellë për demokracinë amerikane dhe fatin e popullit shqiptar”, thotë në komunikatën e lëshuar dje për shtyp, Ilir Zherka, kryetar i Bordit të DCAA-së dhe një nga pionerët e angazhimit shqiptar në fushatat zgjedhore të Partisë Demokrate. Ai ka qenë Drejtor i Punës me Komunitetet Etnike në Fushatën Clinton-Gore në 1996. “Së bashku, ne shpresojmë të vazhdojmë mbi 25 vjet mbështetje të kandidatëve demokratë, por gjithashtu edhe mbështetjen e shqiptaro-amerikanëve që dëshirojnë të angazhohen në arenën e politikave publike në Shtetet e Bashkuara”.

Sipas informacioneve të gazetës “Illyria”, anëtarët e tjerë të Bordit të Drejtorëve të DCAA-së do të jenë: Dona Brady, Vedat Gashi, Avni Mustafaj, Anila Nicklos, Aferdita Rakipi dhe Suzanna Shkreli.

Ata do të ftojnë pjesëmarrje më të gjerë të demokratëve shqiptarë në këtë organizatë vullnetare, do të nxisin shqiptarët e përfshirë në politikë ose që kanë poste zyrtare që të jenë më aktivë e të ngjiten më lart në pozitë.  

Shqiptarët në SHBA kanë interes të madh për politikën dhe kanë mbështetur kandidatë në vite por rrallë kanë nxjerrë politikanë nga gjiri i komunitetit. DCAA synon t’u japë zemër që ta ndryshojnë këtë.

Dona Brady është një shembull i suksesit në politikë, si një nga figurat kryesore të Këshillit Bashkiak në Cleveland, Ohio për tri dekada. “Pas 30 vitesh shërnimi publik [puna me DCAA-në] përbën një vazhdim të natyrshëm të punës sime në avokimi në emër të shqiptaro-amerikanëve. Ndihem e nderuar që shërbej,” thotë ajo.

“Ne përmbushim misionin tonë përmes angazhimit të drejtpërdrejtë me kandidatë dhe fushatat e tyre zgjedhore, organizimin bazë, komunikimin dhe përfaqësimin në Këshillin Koordinues Etnik Kombëtar Demokratik të Komitetit Kombëtar Demokratik”, thuhet në shpalljen e botuar dje, nga DCAA.

Mes parimeve themelore që janë të vyera për Shtetet e Bashkuara, grupi rendit: Mbrojtjen e të drejtave te njeriut, promovimin e demokracisë, ruajtjen e ambientit, përparimin e mëtejshëm të barazisë e drejtësisë, nxitjen e prosperitetit, sigurimin e paqes ne SHBA dhe jashtë saj.

“Këto aktivitete drejtuese përfaqësojnë premtimin e Amerikës dhe janë kryesore në platformën e Partisë Demokratike”, thuhet në deklaratë.

DCAA mburret mbi të gjitha me “rolin e drejtueseve femra në komunitetin tone” dhe nënvizon se “jemi krenarë që shumica e Bordit tonë Themelues janë gra”.

Një nga themelueset e DCAA-së është edhe Afërdita Rakipi, e cila ka luajtur një rol të madh personal në suksesin e Këshillit Kombëtar Shqiptaro Amerikan (NAAC) në vitet e rëndësishme të luftës në Kosovë dhe periudhën e menjëhershme pas çlirimit. “Me çdo brez shqiptaro-amerikanësh ka një shpresë të përtërirë për prosperitet dhe sukses, “thotë ajo me këtë rast. “DCAA është hapi tjetër përpara për t’u bërë pjesë e procesit të vendimmarrjes në Amerikë. Njerëzit nga të gjitha prejardhjet mund të ngrihen në postin më të lartë dhe të jenë pjesë e ndryshimit. Ky është premtimi i demokracisë dhe unë jam e nderuar që jam mes kolegesh kaq të ditur e kaq të talentuar”.

Edhe Anila Nicklos veprimtare e njohur e komunitetit është optimiste për nismën e re. “Përmes kësaj organizate komuniteti ynë do të rrisë praninë e tij, do të bëjë të dëgjohet zëri ynë dhe do te krijoj mundësi për një numër me te madh shqiptaro-amerikanësh në rrugën e tyre drejt angazhimit qytetar dhe politik”, thotë ajo duke e quajtur nder dhe privilegj pjesëmarrjen në Bordin Themelues.

“DCCA shërben si një burim në futjen e brezit të ardhshëm në procesin politik amerikan”, thotë Avni Mustafaj, i cili ka shërbyer për shumë vite si Drejtor Ekzekutiv i NAAC në Washington DC.

Shembull i brezit më të ri të shqiptaro-amerikanëve që po provojnë fatin e tyre në politikë janë dy drejtorët e Bordit Vedat Gashi, Këshilltar në zonën e Westchesterit, në veri të New York City-t dhe Suzanna Shkreli që kandidoi për kongresiste në 2018, në Michigan, e mbështetur personalisht nga dy ish-presidentë të Amerikës, Bill Clinton dhe Barack Obama.

Të gjithë e shohin këtë angazhim me një sy te mundësitë për të ndihmuar jo vetëm demokracinë në SHBA por edhe demokracinë, paqen, dhe përparimin edhe në atdheun e të parëve në Ballkan.

“Kjo është gjithashtu një mundësi për t’u përqendruar në çështjet shqiptare në Shtetet e Bashkuara në lidhje me sigurinë dhe prosperitetin e popullit shqiptar”, thotë Suzanna Shkreli. “Jam e nderuar që bashkohem me DCAA dhe mezi pres të promovoj këto objektiva vendimtare së bashku me kolegët e mi”.

(Për kureshtarët, faqja në internet e Këshilli Demokratik Shqiptaro-Amerikan është: www.thedcaa.org)

One Response to “DCAA, një shtëpi e përbashkët për demokratët shqiptaro-amerikanë”

Read below or add a comment...

  1. THANAS L. GJIKA says:

    Themelimi i Këshillit Demokratik Shqiptaro-Amerikan (Democratic Council of Albanian Americans – DCAA) perben nje ngjarje me rendesi per aktivizimin e shqiptaro-amerikaneve ne politiken e SHBA-ve per forcimin e demokracise te te gjitha ngjyrave dhe grupeve shoqerore ne kete vend ku proceset demokratike nuk kane ndalur qe nga themelimi dhe vijojne me sukses pavaresisht nga mentalitetet pengues.
    I uroj suksese DCAA per te miren e atdheut tone te ri qe ndihmon edhe Shqiperine tone per te ecur gjithnje drejt demokratizimit te jetes.