DEA deklarohet për aksionin e kapjes së 400 kg drogë në Lipjan

Uashington, 19 maj 2021 – Agjencia Federale Amerikane e Anti-Drogës (DEA) ka konfirmuar se kapja e 400 kilogramëve kokainë në Lipjan të Kosovës ishte rezultat i një veprimi të përbashkët me disa polici dhe shërbime rajonale.

“Hetimi ishte një përpjekje e përbashkët e shumë agjencive shumëkombëshe që synonte krimin e organizuar transnacional. Shërbimet e ‘Guardia di Financa’ nga Italia, Policia e Shtetit Shqiptar e SPAK nga Shqipëria, Policia e Kosovës dhe DEA (zyrat në Romë dhe Athinë) ishin të përfshirë”, thuhet në përgjigjen e një zëdhënësi të DEA-s.

Sipas tij, bashkëpunimi midis këtyre shërbimeve ka luajtur rol kryesor në këtë rast që çoi në identifikimin dhe sekuestrimin e 400 kilogramëve kokainë dhe në arrestimin e shtatë personave.

Kokaina u kap dy ditë më parë, në Lipjan, në një kamion që transportonte një ngarkesë të ardhur nga Amerika Latine, nëpërmjet Portit të Durrësit, në Shqipëri.

Shtatë kosovarët që u arrestuan në aksionin e Policisë së Kosovës, ku u sekuestruan 400 kilogramë kokainë, pritet të dalin sot para Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Prokuroria ka kërkuar paraburgim për ta.

(Express)