Debat mbi marrëveshjen Kosovë-Serbi

Problemet mes dy vendeve janë krijuar me shekuj dhe ato nuk mund të zgjidhen brenda një nate, ky ka qenë vlerësimi i përbashkët i përfaqësueseve ndërkombëtarë e vendorë në Kosovë i prezantuar të enjten në një debat të organizuar mes tyre nga kolegji universitar AAB

 

Bekim Salihu

PRISHTINË, Qershor – Pajtimi mes Prishtinës dhe Beogradit rreth disa pikave për veriun, nuk do të thotë edhe zgjidhja e gjitha problemeve mes dy vendeve. Ky ka qenë konstatimi nga konferenca e organizuar të enjten nga kolegji universitar AAB, ku pjesëmarrës kanë qenë Ambasadori i Britanisë së madhe në Kosovës, Ian Cliff, Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Kosovës, Hajredin Kuçi, ish Ministri i Punëve të Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni dhe lideri politik i serbeve të Kosovës, Oliver Ivanoviq.
I pari i Ambasadës së Britanisë së madhe në Kosove, Ian Clif, e ka konsideruar gjendjen aktuale në veri si të papranueshme dhe ai për këtë përgjegjëse e ka bërë qasjen e Beogradit gjatë dekadës së fundit.
“Serbët e veriut të Kosovës për 14 vjet u është thënë nga Beogradi se nuk duhet të jenë pjesë e institucioneve të Kosovë, tani papritur ju thuhet se duhet integruar e bashkëpunuar me institucionet e Prishtinës dhe kjo padyshim se krijon amulli në kokat e njerëzve atje dhe se ndryshimi i gjendjes nuk mund të pritet të bëhet brenda natës” është shprehur Ambasadori Clif. Ky i fundit ka thanë se problemet dhe mosmarrëveshjet mes Prishtinës dhe Beogradit janë krijuar me shekuj dhe se nuk mund të pritet që me një marrëveshje të zgjidhen të gjitha kontestet.
“Marrëveshja për veriun, paraqet hap të madh drejt përparimit të mëtutjeshëm në raportet mes Prishtinës dhe Beogradit. Ajo që kërkohet tani nga të dyja palët është demonstrimi i seriozitetit në respektimin e asaj që është arritur në Bruksel” ka theksuar Ian Clif, teksa ka kërkuar nga të gjitha palët që t’i kontribuojnë normalizimit të mëtejme të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit.
“Paqja, prosperiteti, integrimi dhe zhvillimi nuk kanë alternativë, prandaj të gjitha palët duhet të kontribuojnë në forcimin dhe avancimin e këtyre vlerave” ka porositur Ambasadori Ian Clif. Nga ana tjetër zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Kosovës, Hajredin Kuçi, është shprehur i bindur që ajo që është arritur në Bruksel do të implementohet në terren.
“Marrëveshja është arritur që të ndryshoj gjendja në terren dhe nuk mund të dal asnjë pengesë që do të mund ta arsyetonte cilën do palë në mos zbatimin e marrëveshjes” ka thënë Kuçi. Sipas tij, marrëveshja për veriun do të hap rrugë për arritjen e një marrëveshje historike mes dy vendeve e cila do t’i përmbyll armiqësitë shekullore. “Pajtohem që marrëveshja për veriun nuk i zgjidh gjitha problemet mes dy vendeve, por jam i bindur që kjo marrëveshje do t’i motivoj palët në arritjen e një marrëveshje tjetër e cila do të nënkuptonte pranimin reciprok si shtete të pavarura dhe me të drejta të barabarta në organizatat ndërkombëtare” ka thënë njeriu i dytë në Qeverinë e Kosovës, Hajredin Kuçi.
Vlerësim të kundërt me këtë të fundit ka dhënë, lideri politik i serbeve të Kosovës, Oliver Ivanoviq. Sipas tij, vullnetin politik të serbeve të veriut nuk mund ta përcaktoj dhe sanksionoj asnjë marrëveshje.
“Se cili do të jetë orientimi i serbeve të veriut, do ta caktojnë ata dhe këtë nuk mund ta caktoj Prishtina” ka theksuar Ivanoviq, teksa ka kërkuar nga Prishtina dhe Beogradi që mos të nguten t’i japin epitet historik marrëveshjes së veriut. “A do të jetë marrëveshje historike apo dështim historik, këtë do ta vërtetoj koha, por aktualisht gjendja në terren nuk lenë hapësirë për fjale të mëdha” është shprehur Oliver Ivanoviq. Ky i fundit ka pranuar që serbet e veriut ndihet të manipuluar nga Beogradi.
“Ne veri ekziston mllef edhe ndaj Qeverisë në Beograd e cila për 14 vite ka folur ndryshe dhe për një moment e ka ndryshuar kursin politikë dhe ky ndryshim ka krijuar paqartësi, por edhe shqetësim” ka thënë mes tjerash Ivanoviq.
Ndërsa ish Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skender Hyseni ka kërkuar që krahas arritjeve në Bruksel, liderët politik duhet të mënjanojnë fjalorin nacionalist dhe nxitës i cili krijon tensione mes dy vendeve dhe popujve. “Pajtohem me Ivanoviqin se Beogradi për 14 vite i ka mashtruar serbet, por nëse tani liderët e saj janë këndellur do te duhet te flitej me gjuhen e integrimit e pajtimit dhe jo me gjuhen e nxitjes dhe urrejtjes” ka theksuar mes tjerash ish diplomatik kosovar.