Debatet për zgjedhjen e kryetarit në Kryesinë dhe Këshillin Kombëtar të PD-së

Kjo e diel prodhoi zhvillime të rëndësishme në Partinë Demokratike. Lulzim Basha vendosi që të ishte përballë Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar të partisë, për herë të parë pas humbjes në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Kjo përballje prodhoi qëndrime, diskutime e kritika ndaj kreut të PD-së, nga Bujar Nishani, Arben Ristani dhe Fatbardh Kadilli.

Që do të ishte një mbledhje e vështirë për Lulzim Bashën u pa qartë që në deklaratën e parë, bërë nga Fatbardh Kadilli, në fillim të takimit të Kryesisë së Partisë, në orën 17.00.

Menjëherë sapo filloi mbledhja e kryesisë së partisë, Lulzim Basha u shpreh se fajtori për humbjen e zgjedhjeve, përpara se të kërkohet në PD, duhet të kërkohet në partinë kundërshtare. Sipas kreut të PD, Partia Socialiste përdori çdo makinacion dhe bashkëpunim me bandat për të fituar zgjedhjet. News24 ka mundur të zbardhe qëndrimet dhe debatet që u zhvilluan pa praninë e mediave.

“Në këtë parti ka vend për të gjithë, ka vend për idetë e gjithsecilit mbi mënyrën se si duhet çuar përpara beteja me regjimin Rama-Doshi. Megjithatë, kam bindjen dhe ndjesinë e fortë se nuk mund të kemi vizione të ndryshme mbi 25 prillin. Sepse nëse zgjedhjet e 25 prillit janë një episod që do të mbulohet nga turpi në historinë e pluralizimit, nëse e kemi të qartë se 25 prilli ishte masakra më e madhe zgjedhore në historinë e pluralizimit, atëherë nuk mund të pranojmë që gishti duhet drejtuar në këtë sallë, përpara se ta drejtojmë te kundërshtari që kemi përballë. Përndryshe nuk bëjmë gjë tjetër veçse i japim një dorë kalçifikimit të antivlerave të ndërtuara me poshtërsi nga ata që kemi përballë, sipas të cilës hajduti quhet i suksesshëm dhe vjedhja fitore. Bashkëpunimi me bandat nuk u lejua nga unë në zgjedhje. Dhe këto janë parimet e mia. Kjo është përgjegjësia ime nëse njihet si përgjegjësi, që me bandat s’kam bashkëpunuar.”, deklaroi kreu i PD.

Pas Bashës, fjalën e mori kandidati i vetëshpallur për kryetar të PD-së, Fatbardh Kadilli.

“Fushatën e bëre i vetëm. Nuk mbështete asnjë njeri. Janë bërë shumë gabime në fushatë. Problemet në zgjedhje nuk duhet të justifikojnë humbjen. Për një pjesë të problemeve je vet përgjegjës. Për një pjesë tjetër, ke qenë i pazoti t’i ndalosh. Lufta për votën bëhet brenda sistemit. Kjo luftë do vazhdojë sa herë të ketë zgjedhje. Je humbës i përsëritur prej defekteve personale. Drejtove çdo gjë vetëm dhe pa forume, pa përfshirë askënd. Humbja është e jotja, përgjegjësia jotja. Të kemi mbështetur duke sakrifikuar identitetin tonë dhe profilin politik, karrierën dhe çdo gjë. Ti nuk mund të ndërtosh më asgjë të re. Nëse unë jam bartës i një projekti të ri, ti je kujtesa e projektit të shteruar dhe humbjes”, deklaroi Kadilli.

Pas këtyre diskutimeve, ishte Sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi, ai i cili njoftoi propozimin për zgjedhje në parti. Sipas procedurës zgjedhjet në PD, duhet të mbaheshin në 22 korrik, por propozimi i Bardhit i afroi ato në 13 qershor. Po ashtu u propozua edhe që Komisioni Zgjedhor, i cili do të merret me menaxhimin e zgjedhjeve në PD, të drejtohet nga Jemin Gjana, ku do të ketë në përbërje 6 anëtarë dhe dy ndihmës. Sipas procedurës nga 16 – 22 maj, në këtë komision duhet të paraqiten kandidaturat për kryetar të PD. Përgjatë datave 24 Maj – 11 qershor, kandidatët do të zhvillojnë fushatën zgjedhore në të gjitha strukturat. Në 13 qershor, sipas parimit një anëtar një votë, anëtarët e PD, do të zgjedhin kryetarin e ri.

Por ky njoftim nuk u mirëprit nga të gjithë anëtarët e kryesisë së Partisë Demokratike. Enkelejd Alibeaj tha se procesi i dukej i përshpejtuar.

“Nuk jam dakord. Më duket shumë e përshpejtuar. Neve duhet të na ishte thënë se çfarë do të votonim këtu. Ndërkohë ky material do duhet të ishte konsultuar paraprakisht”, u shpreh Alibeaj.

Sipas Oerd Bylykbashit, koha e fushatës që do të zhvillojnë kandidatët është shumë e pakët.

“Koha që është përcaktuar në atë dokument për kryetarët për të bërë fushatë është shumë e shkurtër, Procesi është shumë i nxituar. Duhet të ishim konsultuar më herët për këtë. Janë vetëm 21 ditë kohë për fushatën, ndërkohë janë mbi 70 degë. Si do të munden kandidatët të bëjnë fushatë dhe t’i kryejnë të gjitha takimet në çdo degë?”, tha Bylykbashi

Tomor Alizoti, u shpreh se duhet mbajtur përgjegjësi për rezultatin dhe se zërat ndryshe në PD, s’duhet të përgojohen.

“Unë kam ardhur në Partinë Demokratike sepse jam antikomunist, jam familje e persekutuar. Unë jam koshient që Rama i vodhi zgjedhjet me të gjitha makinacionet e tij. Por mua më dhëmb koka kur e mendoj se Rama do të jetë sërish kryeministër. Ndaj ne duhet të mbajmë përgjegjësi për rezultatin. Ndërkohë ne nuk duhet të përgojojmë zërat ndryshe në PD. Ne jemi PD, nuk jemi si Partia Socialiste. Abstenoj parimisht për propozimin. Më duket i shpejtuar”, tha Alizoti.

Ivi Kaso deklaroi se PD, duhet të jetë më e qartë nëse do i njohë apo jo zgjedhjet.

“Duhet të merremi të mendojmë se çfarë duhet t’u themi demokratëve. Janë ata të parët që po përballen me këtë parti, sepse kanë shkuar menjëherë e t’u vendosin gjoba mbështetësve tanë. Ne duhet të jemi të qartë në fjalimet politike, duhet t’i njohim apo jo zgjedhjet. Ka pasur padrejtësi. Ne po merremi me to, por duhet ta themi qartë, sepse vetëm beteja politike nuk mjafton”, deklaroi Ivi Kaso.

Ndërsa anëtari i kryesisë së PD-së Enno Bozdo, i propozuar si anëtar i Komisionit Zgjedhor, u shpreh se nuk ishte pyetur për këtë pozicion dhe si pasojë do duhet të marrë kohë për ta menduar.

“Në parti kemi pasur luftë të brendshme. Në çdo vend ndodh kjo, por këtu ka qenë më e theksuar. Ndërkohë PD, ka qenë gjithmonë e vonuar me procedurat. Ndërsa PS, kishte nisur fushatën ne merreshim me përzgjedhjen e kandidatëve. Kur PS kishte trokitur tre herë në dyert e qytetarëve, ne kishim trokitur një herë.

Për t’u kthyer tek propozimi ku kam edhe unë emrin si anëtar. Nuk jam pyetur për këtë, ndaj duhet të mendohem”, tha Bozdo.

Pak orë pas zgjedhjes në komision, Enno Bozdo dha dorëheqjen për arsye që nuk i bëri publike, por që siç tha, ia ka bërë të njohura kryetarit të partisë. Bozdo zëvendësohet në komision me Çlirim Gjatën.

Në orën 19:00 u mbajt mbledhja e Këshillit Kombëtar ku Bashës përveç Kadillit, iu desh të përballej edhe me ish-presidentin Nishani dhe ish-sekretarin e përgjithshëm Arben Ristani.

Sipas burimeve, ish-presidenti Bujar Nishani pranoi masakrën zgjedhore të 25 prillit, por sipas tij kjo është gjysma e së vërtetës, pasi gjysma tjetër, është përgjegjësi e lidershipit të PD-së.

“Po, masakra elektorale që ka ndodhur është e vërtetë, por vetëm gjysma e të vërtetës, por gjysma tjetër e të vërtetës, po aq të hidhur, është dështimi ynë për të fituar. Dorëheqja e parevokueshme e kryetarit është akt i përgjegjësisë politike, është akt i maturimit politik, është akt civilizimi”, u shpreh Nishani.

Më pas ka qenë ish-sekretari i përgjithshëm të PD, Arben Ristani, i cili gjithashtu ka kërkuar dorëheqjen e Bashës, si përgjegjës për humbjen e zgjedhjeve të 25 prillit.

“Kryetari ka thënë se ‘po ma hodhe njëherë është faji yt, po ma hodhe dy është faji im’. Tani meqë ta hodhi dy herë, ik. Ke humbur tre herë. Dhe një herë që fitove e dimë të gjithë si fitove”, u shpreh Ristani

Përsëri Fatbardh Kadilli mori fjalën edhe në këtë mbledhje duke i kërkuar Bashës dorëheqjen ashtu siç ka bërë dikur Sali Berisha.

“Edhe Sali Berisha kishte mbështetje absolute, por e dinte kur duhet të ikte nga drejtimi i partisë”

Në përgjigje të këtyre akuzave, Basha iu është drejtuar të gjithë anëtarëve të Këshillit Kombëtar, se nëse ata s’e pranojnë që 25 prillit ishte një masakër zgjedhore, atëherë ai do të japë dorëheqjen e menjëhershme.

“Zgjidhni dhe dua t’ju shoh të gjithëve në sy. Ose zgjedhjet janë të vjedhura dhe vazhdojmë në betejë, ose nëse për ju janë në rregull, atëherë unë jap dorëheqjen tani.”, deklaroi Basha.

Por si përgjigje anëtarët e Këshillit Kombëtar, kanë miratuar propozimet e sekretarit të përgjithshëm për zgjedhje të reja në Partine Demokratike. Lulzim Basha nuk dha dorëheqjen si kryetar i PD, dhe do të shkojë në zgjedhje për të kërkuar një mandat të tretë. Deri më tani përballë tij, është vendosur vetëm Fatbardh Kadilli, i cili do konkurrojë për të marrë postin e kryetarit.

Por gjate mbledhjes së Këshillit Kombëtar, nuk ishte e lehtë edhe për kritikët e Lulzim Bashës, për shkak se u kundërshtuan nga anëtarë të Këshillit Kombëtar. Sipas këtyre anëtarëve të Këshillit Kombëtar, kontributi që Bujar Nishani dhe Fatbardh Kadilli kanë dhënë për PD-në në 25 prill, edhe i papërfillshëm. Ata kanë shtuar se si njerëz terreni që janë, kanë qenë dëshmitarë të asaj çfarë Partia Socialiste në bashkëpunim me bandat kanë bërë për të tjetërsuar vullnetin e shqiptarëve, e për këtë arsye sipas tyre, kritikat që ata kanë parashtruar nuk e ndihmojnë Partinë Demokratike, por e dëmtojnë atë. Gjatë këtyre debateve, ka ndërhyrë Lulzim Basha, për të qetësuar situatën, dhe për të lejuar cilindo të shprehte mendimin e tij.

(BalkanWeb.com)