Debati për Kosovën në Këshillin e Sigurimit, në hije të agresionit rus në Ukrainë

Nju Jork, 20 prill 2022 – Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla tha të mërkurën se Serbia dhe Rusia paraqesin kërcënimin më të madh për qëndrueshmërinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ndërsa ministri i Jashtëm i Serbisë, Nikola Selakoviç, tha se Kosova është larg të qenit normale.

Të dy ministrat paraqitën pikëpamje rëndom tërësisht të kundërta për gjendjen në Kosovë gjatë debatit në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, mbi zhvillimet e gjashtë muajve të fundit në Kosovë.

Duke paraqitur raportin e saj për situatën në Kosovë, shefja e Misionit të Kombeve të Bashkuara, Caroline Ziadeh, u bëri thirrje Prishtinës dhe Beogradit të angazhohen në mënyrë konstruktive në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

“Përderisa ky proces ka arritur rezultate domethënëse për çështje të ndryshme praktike, deri më tani, normalizimi gjithëpërfshirës i marrëdhënieve në mes të dy palëve vazhdon të jetë i paarritshëm”, tha ajo.

Ajo bëri thirrje për dënimin e përbashkët dhe veprime të shpejta për t’i vënë para drejtësisë autorët e sulmeve të fundit ndaj policisë së Kosovës në veriun e banuar me shumicë serbe.

Sulmet u dënuan edhe nga një pjesë e ambasadorëve në Këshillin e Sigurimit, ndërsa ministrja e Jashtme e Kosovës, tha se ato ishin sulme “terroriste”.

“Sulmet po kryhen nga territori i Serbisë dhe ato do të ishin të pamundura nëse (presidenti i Serbisë, Aleksandër) Vuçiç nuk do t’i toleronte ato”, tha ministrja Gërvalla.

Ajo tha se Kosova është pjesë e perëndimit, “ndërkaq Serbia vazhdon të jetë satelit i Serbisë”, duke nënvizuar se kjo është arsyeja pse rajoni i Ballkanit Perëndimor vazhdon të jetë i paqëndrueshëm. Zonja Gërvalla tha se Rusia dhe Serbia janë kërcënimet më të mëdha për rajonin, duke theksuar se armatosja e vazhdueshme të Serbisë bën që të gjitha vendet e rajonit të jenë të kërcënuara, pasi që Serbia, tha ajo, ka një “ushtri që është e gatshme të sulmojë”.

Ministrja Gërvalla tha se “Ulja në dy karrige nuk është më një mundësi. Agresioni rus në Ukrainë i dha fund kësaj epoke”, duke ju referuar përpjekjeve të Serbisë për të balancuar ndërmjet aspiratave të saj për integrime evropiane dhe ruajtjes së lidhjeve të ngushta me Rusinë dhe Kinën.

Ministri serb, Nikola Selakoviç, tha se gjendja në Kosovë është larg normales, ndërsa kritikoi raportin e UNMIK-ut për mospërfshirje të hollësive rreth siç tha ai, incidenteve kundër serbëve.

Ai akuzoi Prishtinën për ndalimin e mbajtjes së referendumit të Serbisë në Kosovë në muajin janar, sikurse edhe moslejimin e organizimit të zgjedhjeve të Serbisë në zonat e banuara me shumicë serbe më 3 prill.

“Kjo ishte hera e parë që prej vitit 1999 që qytetarëve serbë iu ndalua marrja pjesë në zgjedhje. Institucionet në Kosovë edhe njëherë demonstruan qasjen e tyre diskriminuese”, tha ai, duke akuzuar institucionet në në Prishtinë se po injorojnë përfaqësuesit e serbëve dhe po krijojnë ndjenjën e pasigurisë duke nxitur largimin e serbëve nga Kosova.

Ministri serb akuzoi Prishtinën për moszbatimin e marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa vuri theksin tek rëndësia e pranisë së UNMIK-ut në Kosovë.

Ministrja Gërvalla tha se UNMIK-u nuk luan më rol në jetën e qytetarëve të Kosovës dhe është koha e përmbylljes së punës së tij.

Qëndrimet rreth pranisë së UNMIK-ut ishin të ndara varësisht nga qëndrimi i vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit kundrejt pavarësisë së Kosovës. Kundërshtarët e shtetësisë thanë se misioni duhet të qëndrojë, ndërsa mbështetësit e Kosovës kërkuan shkurtimin e tij.

“Kur nuk ka shumë për të thënë, nuk ka nevojë për takime”, tha Ferit Hoxha,ambasadori shqiptar në Kombet e Bashkuara.

Polemika SHBA – Rusi

Zëvendës ambasadorja ruse në Këshillin e Sigurimit, Ana Evstigneeva, në fjalimin e saj përmendi bombardimet e NATO-s kundër forcave serbe në vitin 1999, duke thënë se gjatë 78 ditëve të fushatës është përdorur edhe uraniumi i varfëruar.

Ajo tha se qeveria e Kosovës dhe kryeministri Albin Kurti po përshkallëzojnë situatën me retorikë anti-serbe dhe siç tha “duke ftuar perëndimin ta marrë Kosovën nën mbrojtje nga kërcënimet e pretenduara”.

Zëvendës përfaqësuesi amerikan në Kombet e Bashkuara, Richard Mills, tha se ky është takimi i parë që nga “lufta brutale dhe e paprovokuar e Rusisë kundër Ukrainës” dhe se ruajtja e qëndrueshmërisë në Ballkanin Perëndimor mbetet e një rëndësie të veçantë.

Ai tha se diskutimi rus ishte i përshkuar me dezinformata dhe shprehu keqardhjen që delegacioni rus përdorë shprehje si “uranium i varfëruar”.

“Nuk do t’i marr kohën Këshillit për të hedhur poshtë gënjeshtrat që dëgjuam, por kolegë, mendoj se të gjithë kemi parë pamjet e drejtpërdrejta ditëve të fundit nga Bucha, nga Mariupoli, pamje që sigurisht asnjë qytetar rus nuk është i lirë t’i shohë. Dhe mendoj që për sa kohë që pamjet si këto vazhdojnë të rrjedhin drejtpërdrejt nga Ukraina, çdo ditë, asnjë delegacion i përfshirë në shkaktimin e atyre pamjeve nuk e ka besueshmërinë për t’i ligjëruar dikujt për respektimin e të drejtave të njeriut ose për të akuzuar ndonjë shtet tjetër për sjellje të pamatur”, tha ambasadori Mills.

(Zëri i Amerikës)