Dëgjoni zemrën tuaj, zërin e arsyes. Populli i Ukrainës do paqe

Pjesë nga fjalimi i fundit i Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy: Kur të na sulmoni do të shihni fytyrat tona, jo kurrizin

Ndryshe nga fjalimi i Putini, që ishte plot inat e cinizëm, plot justifikime e përralla historike për të justifikuar një luftë që i duhet vetëm atij, fjalimi i fundit mbrëmë nga Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy ishte njerëzor e plot dinjitet.

Ai tha pak fjalë në ukrainisht dhe pastaj foli për minuta të tëra në rusisht duke iu drejtuar popullit rus. Ishte një thirrje e fundit për paqe. Kundër një lufte fare të panevojshme që do të shkatërrojë jetën e njerëzve.

Pak orë më pas, pushtimi i Ukrainës filloi.

Po ju thonë se kjo luftë do të çlirojë popullin e Ukrainës, por ukrainasit janë të lirë. Ata e mbajnë mend të shkuarën dhe po ndërtojnë të ardhmen.

Po ju thonë se duam luftë, por jam përpjekur sot të lidhem me udhëheqësin tuaj dhe kam gjetur vetëm heshtje.

Po ju thonë se jemi nazistë, por si mund të jetë nazist një popull që dha 8 milionë jetë në luftën kundër nazizmit?

Ukraina në lajmet e televizionit tuaj dhe Ukraina e vërtetë janë dy vende krejt të ndryshme. Kjo e jona është e vërtetë.

Shumë prej jush keni kushërinj në Ukrainë, keni studjuar në universitetet ukrainase, keni miq ukrainas. Ju e njihni karakterin tonë, parimet tona, çfarë ka rëndësi për ne. Dëgjoni zemrën tuaj, zërin e arsyes. Populli i Ukrainës do paqe.

Qeveria e Ukrainës do paqe. Po bën gjithshka që ka mundësi. Nuk jemi vetë. Është e vërtetë, shumë vende mbështesin Ukrainën. Sepse nuk është puna për paqe me çfarëdo çmimi. Por për paqe, drejtësi, ligj ndërkombëtar dhe të drejtën për ta caktuar vetë të ardhmen tënde.

Është për të drejtën e shoqërisë për të pasur siguri dhe për të drejtën e popullit që të jetojë pa rreziqe. E di me siguri se kjo është e rëndësishme edhe për ju.

E dimë me siguri se nuk na duhet lufta – as e ftohtë, as e nxehtë, as hibride. Por nëse trupat na sulmojnë dhe dikush përpiqet të na marrë vendin tonë, lirinë tonë, jetët tona, jetët e fëmijëve tanë, atëhere do ta mbrojmë veten.

Kur të na sulmoni do të shihni fytyrat tona, jo kurrizin.

Lufta është fatkeqësi e madhe dhe vjen me çmim të shtrenjtë. Njerëzit humbin paratë, reputacionin, lirinë, kushtet e jetesës, dhe më e rëndësishmja humbasin njerëzit e dashur dhe vetë jetën e tyre.

Asgjë nuk është e tepërt në luftë, por ka me tepri dhimbje, pisllëk dhe vdekje. Dhjetëra mijëra vdekje. Po ju thonë se Ukraina mund të jetë një kërcënim për Rusinë, Kjo nuk ka ndodhur kurrë në të shkuarën, nuk është tani dhe nuk do të jetë kurrë në të ardhmen.

Ju kërkoni garanci sigurie nga NATO. Por edhe kërkojmë garanci për sigurinë tonë. Sigurinë e Ukrainës. Nga ju, Rusia, dhe garantuesit e tjerë të memorandumit të Budapestit (kur Ukraina pranoi t’ia jepte armët e saj bërthamore Rusisë në shkëmbim të garancisë për ekzistencën e saj që u firmos nga Rusia, SHBA, Britania e Madhe etj – shënimi im). Ne nuk jemi pjesë e asnjë aleance mbrojtëse. Siguria e Ukrainës është e lidhur ngushtë me sigurinë e fqinjëve tanë.

Lufta ia merr garancitë që të gjithëve. Askush nuk ka më garanci sigurie. E kush vuan më shumë se kushdo? Populli. Kush nuk e do luftën më shumë se kushdo? Populli. Kush mund ta ndalë atë? Populli.

Populli jeni ju. Aktivistë, gazetarë, muzikantë, aktorë, atletë, shkencëtarë, doktorë, shkrues portalesh, humoristë, tiktokers dhe shumë të tjerë. Njerëz të zakonshëm, njerëz të thjeshtë, burra, gra, pleq dhe të rinjë, baballarë dhe mbi të gjitha nëna.

Ashtu si populli i Ukrainës. Ashtu si qeveria e Ukrainës. Sado që të përpiqen t’ua mbushin mendjen për të kundërtën.

E di që televizioni rus nuk do të transmetojë fjalimin tim. Por qytetarët e Rusisë duhet ta shohin atë. Duhet ta mësojnë të vërtetën. E vërteta është se mund ta ndalojmë këtë përpara se të jetë shumë vonë.