Deklarata e Kurtit para takimit me presidentin Macron

Paris, 23 qershor 2021 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pritur me nderime të larta shtetërore nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në Pallatin Elysee, në Paris, të mërkuren në mbrëmje.

Para takimit, z. Macron dhe z. Kurti, kanë dhënë deklarata për media.

Në fjalën e tij, Kurti ka shprehur mirënjohje Francës për mbështetjen që ka dhënë për Kosovën. Ai ka thënë se Kosova pret shumë nga Franca, e cila ka shumë për të dhënë në fusha të ndryshme.

Kurti i ka bërë ftesë publike presidentit Macron ta vizitojë Kosovën.

Deklarata e plotë e Kurtit:

I nderuari zoti President,

Ndjehem i privilegjuar të jem këtu me ju, Presidentin e një shteti të fuqishëm e me histori shumë dimensionale të pranisë në Evropën dhe botën tonë.

Është pra privilegj dhe përgjegjësi për mua si kryeministër i shtetit më të ri të Evropës, të jem përpara pallatit presidencial francez, për t’ju garantuar se Kosova do të jetë gjithnjë me aspiratat evropiane dhe demokratike.

I nderuari zoti President,

Duhet të ju shpreh edhe njëherë mirënjohjen time dhe të popullit të Kosovës për drejtësinë e lartë që vendosët në kuadrin e Aleancës veri-atlantike, për t’i dhënë fund një regjimi shovenist që synonte territore me çdo kusht, qoftë edhe gjenocid mbi civilët.

Ne jemi të ndërgjegjshëm se pas rënies së Murit të Berlinit konfliktet nën federatat arbitrare do të binin mbi popuj që dilnin prej kampit komunist, si popuj të nënpërfaqësuar dhe populli më i nënpërfaqësuar në Ballkan ishim ne.

Ne besojmë se cilësia e përfaqësimit të një populli nuk duhet të merret peng nga gjendja që krijon një rrethanë e padrejtë historike. Ne besojmë se Evropa është bashkimi më i mirë për të hedhur bazat e një paqeje afatgjate dhe të konsoliduar drejtë.

Tanimë realiteti i ri ka përbërës të rinj. Ju siguroj zoti President se ne po i ndjekim nga afër zhvillimet e fundit në Bruksel, sidomos me ardhjen e presidentit amerikan dhe bisedat që pati me udhëheqësit e shteteve evropiane, me udhëheqësit e Evropës apo edhe më gjerë.

Ne besojmë se një situatë e re politike po krijohet. Një situatë e menduar më mirë, me pjesëmarrje më të artikuluara, më të drejtpeshuara dhe me një besim më të lartë. Dhe në një situatë të tillë, ne do të kontribuojmë me të gjitha mundësitë tona edhe në rajon, me marrëdhënie të mira miqësore edhe drejt perspektivës dhe integrimeve evropiane.

Zoti President,

Ndihem i nderuar që do të kem mundësinë të flas me ju, përfaqësuesin më të lartë të popullit francez mbi zhvillimet e Kosovës dhe mbi angazhimet tona qeveritare.

Sado i vogël shteti ynë, ai ka për mision të organizojë ndërtimin e vet të plotë institucional, shtetin e së drejtës dhe lirinë e mendimit me të njëjtën cilësi sa edhe shtetet e mëdha e historike, mes të cilëve një prej modeleve më të mirë është Franca.

Linjat e veprimit qeveritar kanë të njëjtën larmi në Kosovën e vogël, sa edhe shtetet dhjetëra milionëshe. Numri i talenteve që gëzon dhe duhet të zhvillojë një shoqëri janë po aq të larmishëm, sa edhe një shoqëri që ka punuar pandërprerje nëpër shekuj. Për këtë jam angazhuar si kryeministër, për këtë jemi angazhuar si qeveri, për demokracinë dhe drejtësinë, për paqen dhe mirëqenien, për integrimin dhe zhvillimin.

I nderuar zoti President,

Ju jeni një prej shteteve që na njohët të parët si subjektivitet politik sovran. Ka ardhur koha që ne të bëjmë të njohur për ju objektivisht aftësitë tona si shoqëri e Kosovës në zhvillim dhe ekonomi. Agjencia Franceze për Zhvillim mund të të jetë një bashkëpunëtor dhe adresë e mirë për përdorimin e inteligjencës dhe vullnetit të njerëzve tanë në Kosovë. Nuk ka asnjë fushë ku Kosova nuk mund të përfitojë nga shkalla e lartë e zhvillimit intelektual, kulturor dhe shkencor e kombit tuaj.

Unë shpresoj shumë nga biseda me ju dhe ju ftoj ta vizitoni vendin tonë, Republikën e Kosovës.

Ju faleminderit shumë. Merci beaucoup, monsieur le Président.

(r.m.)