Delegacioni i Kosovës e njofton BE-në për ecurinë e zbatimit të marrëveshjeve me Serbinë

Bruksel, 7 korrik 2021 – Të martën në Bruksel u zhvillua një takim i delegacionit të Kosovës për dialogun me Serbinë me përfaqësues të Bashkimit Evropian. Ky takim, i cili u mbajt në kuadër të dialogut me Serbinë, nisi paradite dhe zgjati deri në orët e mbrëmjes.

Sipas burimeve diplomatike, delegacioni i Kosovës, i cili udhëhiqej nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, e ka njoftuar në hollësi ekipin e të dërguarit të posaçëm të bllokut për dialogun, Miroslav Lajçak, për të arriturat e deritanishme në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në procesin e dialogut Kosovë – Serbi. Sipas të njëjtave burime, pala kosovare ka raportuar edhe për shumë obligime që nuk i ka zbatuar Serbia.

Të mërkuren, edhe delegacioni i Serbisë do të ketë një takim të njëjtë me përfaqësues të Bashkimit Evropian. Më pas delegacionet e Kosovës dhe Serbisë do të kenë një takim të përbashkët, në të cilin do të marrin pjesë përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi,  Miroslav Lajçak. 

Takimi i delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë në nivel të udhëhequra nga kryenegociatorët do të jetë takimi i parë pas takimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili umbajt më 15 qershor.

Më herët, takimet e tilla cilësoheshin si takime të nivelit teknik, por tani palët dhe BE-ja, si lehtësuese e dialogut, pranjnë se të gjitha takimet e delegacioneve të Kosovës e Serbisë, të cilitdo nivel qoftë, kanë karakter politik.

“Gjithçka në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është thellësisht politike, asgjë nuk është teknike”, shkroi në Twitter, emisari special i BE-së për dialogun Kosovë -Serbi, Miroslav Lajçak.

Takimi midis delegacionit të Kosovës dhe Serbisë do të shërbejë për të përgatitur takimin e ri ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit, i cili pritet të mbahet në fund të muajit korrik.

Shefi i delegacionit të Serbisë, Petar Petkoviq ka paralajmëruar se në takimet me përfaqësues të BE-së dhe me delegacionin e Kosovës do të shtrohet çështja e Marrëveshjes për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Autoritetet e Serbisë insistojnë në krijimin e asociacionit siç parashihej në marrëveshjen e nënshkruar në Bruksel më 2013, por autoritetet e Kosovës kundërshtojnë krijimin e një asociacioni me kompetenca ekzekutive që cenon rendin kushtetues në Kosovë.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se disa dispozita të marrëveshjes përbëjnë shkelje të Kushtetutës, të cilat duhet të shmangen me rastin e hartimit të Statutit të Asociacionit.

Bashkimi Evropian kërkon zbatimin e marrëveshjeve të arritura në procesin e dialogut, përfshirë edhe Marrëveshjen për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. BE-ja ka thënë se nga Kosova e pret një propozim se si do të zbatohej kjo marrëveshje, e cila ishte ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës.

Por, Qeveria e Kosovës e kundërshton zbatimin e kësajmarrëveshjeje. Sipas saj, në Kosovë nuk mund të krijohet asociacion njëetnik.

(r.m.)

Comment

*