Dëme të mëdha nga përmbytjet në Kosovë

Prishtinë, 20 janar 2023 – Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi të enjten mbrëma se e ka ngritur gatishmërinë shtetërore në komunat e Istogut, Klinës, Pejës, Gjakovës, Skenderajt, Mitrovicës dhe Podujevës, të cilat kanë pësuar dëme të mëdha materiale nga përmbytjet që përfshinë shumë vendbanime të këtyre komunave gjate dy ditëve të fundit.

“Apelojmë tek qytetarët që jetojnë në zona ku ka përmbytje që të kenë kujdes të shtuar dhe të komunikojnë me autoritetet shtetërore që t’iu vijnë në ndihmë. Qendrat Operative Emergjente janë aktivizuar në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës dhe për çdo urgjencë duhet të kontaktojnë në numrin emergjent 112”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Ekipet e emergjencës të Forcës së Sigurisë së Kosovës janë vënë në gjendje gatishmërie për të ndihmuar evakuimin e banorëve të vendbanimeve më të rrezikuara.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vizitoi të premten në mëngjes njërin nga fshatrat më të goditura nga përmbytjet në Istog. Ai tha se përmbytjet janë edhe pasojë e eksploatimit të pakontrolluar të resurseve natyrore.

“Dëmtimi i brigjeve dhe shtretërve të lumenjve nga eksploatimi i egër i zhavorrit, prerja ilegale e pyjeve ndër vite dhe mungesa e projekteve të pyllëzimit, sistemet jo adekuate të kanalizimit dhe ujëmbledhjes, si dhe ndryshimet klimatike globale i kanë lehtësuar, shpejtuar e shpeshtuar përmbytjet e vendbanimeve nga vërshimet”, ka shkruar ai, në një postim në Facebook.

Kurti ka premtuar se qeveria do të ndihmojë familjet e dëmtuara nga përmbytjet.

“Qeveria e Republikës së Kosovës dhe të gjitha institucionet shtetërore qëndrojnë pranë banorëve të komunave ku pati vërshime duke i ndihmuar e mbështetur ata”, ka shkruar ai.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës parashikon që mot i ngjashëm të mbajë edhe në ditët në vijim dhe paralajmëroi se mund të ketë përmbytje edhe në pjesë të tjera të Kosovës, për shkak të daljes së lumenjve nga shtretërit.

(r.m.)