Demokratët vendosin ta mbajnë kongresistin Jamaal Bowman

Vota e ndryshimit mbetet e përçarë, dëmton kandidatin shqiptar Vedat Gashi

Nga Ruben Avxhiu

Kongresisti Jamaal Bowman është zgjedhur për herë të dytë si kandidati i Partisë Demokrate për Distriktin 16 të Kongresit Amerikan.

Këtë vit, harta e distriktit kishte ndryshuar duke sjellë një elektorat pak më dyshues ndaj majtizmit dogmatik të grupit ku bën pjesë Bowman. Kjo dhe pakënaqësitë nga puna e tij gjatë mandatit të parë linte hapësirë për një ndryshim.

Mirëpo, vota e ndryshimit mbeti e përçarë deri në fund. Catherine Parker, në mënyrë egoiste refuzoi të tërhiqej ndonëse ndryshe nga gashi nuk mori asnjë përkrahje serioze gjatë fushatës. Jo vetëm kaq por një ditë përpara zgjedhjeve pagoi një firmë anketuese që të botonte një testim sipas të cilit Parker po fitonte, ndërsa Gashi ishte në vend të tretë. Arsyeja kryesore ishte që të tërhiqte drejt saj votuesit e pakënaqur nga Bowman.

Aritmetikisht, Bowman mori më shumë vota se të dy kandidatët e tjerë së bashku, por paaftësia për të dalë me një front të përbashkët rival ia dobësoi entuziazmin votës së ndryshimit.

Në SHBA, është gjithmonë shumë e vështirë të rrëzosh një kongresist në fuqi. Bowman ishte një nga ato rastet e rralla kur mund të ndodhte. Mirëpo, Vedat Gashi dhe rivalët e tjerë nuk ishin shumë të njohur. Vonesa në përcaktimin e saktë të kufijve të zonës së re vonoi fushatën konkrete.

Gashi kishte nevojë që të prezantohej dhe njihej më shumë nga votuesit dhe nuk pati kohë të mjaftueshme. Disa sindikata të fuqishme që komandojnë shumë vota nuk ishin të gatshme të ndërronin kongresist vetëm pak javë përpara votimit.

Kandidati shqiptaro-amerikan u dëmtua edhe nga fakti se nuk jetonte në distriktin ku po kandidonte. Kjo është gjithmonë një problem për politikanët që përdoret me sukses nga rivalët e tyre. Si mund të përfaqësosh një komunitet nëse nuk je pjesë e tij.

Gashi sigurisht është shumë i lidhur me këtë zonë, ku jetojnë masivisht shqiptarë dhe ku ka lidhje të forta të jetës së tij, por në sipërfaqe, ky fakt dëmtoi.

Distrikti është gjithashtu i shtrirë në një zonë në Bronx, ku Bowman ka shumë mbështetje. Ai mori 92% të votave aty. Shpresa për Gashin ishte në Westchester, por votat munguan.

Ndonëse Bowman është pjesë e një grupi kryengritës të majtë, të drejtuar nga Alexandra Octavia-Cortez, që shihet si problematik nga kryesia e Partisë Demokrate, këtë vit kishte një lloj paqe mes tyre. Ndryshe nga gara me Engelin në 2020, drejtuesit e partisë nuk ndërhynë kundër kongresistin Bowman dhe e mbështetën rizgjedhjen.

Humbja e Gashit nxjerr në pah edhe kufijtë e ndikimit të komunitetit tonë. Ndonëse shqiptarët janë të shumtë në këtë zonë, ata janë relativisht një komunitet i vogël shumë pak prej të cilëve janë të regjistruar për të votuar. Në zona si këto gara reale është brenda Partisë Demokrate dhe shumica shqiptarëve edhe nëse votojnë nuk janë të regjistruar si anëtarë partie.

Kandidatët shqiptarë kanë nevojë për më shumë se fjalë të mira në Facebook. Ata kanë nevojë për njerëz që votojnë, për njerëz që dalin dhe u kërkojnë të tjerëve të votojnë. Kanë nevojë për mobilizim politik. Disa nga këto gara përcaktohen nga 2-3 mijë vota, një hendek që mund të kapërcehet me votën shqiptare. Në garën e djeshme puna nuk shkoi deri aty, për shkak të përçarjes së votës së ndryshimit. Bowman mori të paktën 10,000 vota më shumë se Gashi. Nëse Parker do të ishte tërhequr, mbase gara do të bëhej më interesante.

Gashi do të vazhdojë të jetë Legjislator në Bordin e Westchester-it dhe me njohjen e përvojën e fituar nga kjo garë mbase mund ta provojë përsëri dy vjet më vonë.

Dy kongresistë të tjerë që mbështeteshin nga shqiptarët, anëtarë të Kaukusit të Çështjeve Shqiptare, humbën dje në garat brenda partisë dhe nuk do të jenë më në Kongresin Amerikan, duke filluar nga 1 janari 2023: Carolyn Maloney dhe Mondaire Jones.

Jamaal Bowman               17,023 (57.1%)

Vedat Gashi        6,892     (23.1%)

Catherine Parker              5,349     (18.0%)

Mark Jaffee        527        (1.8%)