Demonstratat 1981 – vetëdijesimi dhe përcaktimi gjithëshqiptar

Nga Don Lush Gjergji

Populli ynë, dikur ilir, pastaj arbëror e tash shqiptar, me shekuj është flijuar dhe përpjekur për liri. Liria është parakushti i jetës së denjë njerëzore dhe kombëtare, si frymëmarrja për trupin e njeriut.

Por, për ne si komb, rrethanat historike dhe gjeografike qenë të pafavorshme dhe shpesh na kanë mohuar këtë të drejtë të natyrshme dhe aq të domosdoshme, pa të cilin njeriu, familja, shoqëria, populli nuk jeton, por pëson, subjekti shndërrohet të objekt, me të cilin manipulohet dhe keqtrajtohet, kuptohet për qëllime sundimi dhe robërimi.

Nga kjo gjendje e vështirë dhe e papranueshme, janë edhe përpjekjet e vazhdueshme për liri, flijimet, luftimet, gjakderdhjet, me një fjalë, mospajtimi dhe mospranimi i robërisë – mohimit të lirisë personale, familjare, shoqërore, kombëtare, gjithë-njerëzore.

Disa çështje parimore dhe jetësore

Të nisemi prej disa parimeve bazike: Lirinë mund të na mohojnë të tjerët, ne vetvetes apo edhe njëri-tjetrit. Të bësh çka të duash, nuk është liri, ndërsa të duash çka të bësh – është lumturi.

Neve sot nuk na mungon liria, por si duket na mungojnë njerëzit e lirë, sipas parimit së famshëm të Aristotelit, që mund të interpretohet si paaftësi për ta mundur apo tejkaluar frikën, dhe si aftësi për përgjegjësi.“Kush e mund frikën, vërtet është i lirë.”

Pastori amerikan Martin Luther Kingu thotë kështu: “Deri sa të gjithë të mos jenë të lirë, askush nuk është i lirë.”

“Fshehtësia e lumturisë është liria, fshehtësia e lirisë, është guximi.” (Carrie Jones).

“Liria më e mirë është të jesh vetvetja.” (Jim Morrison).

“Liria s’është asgjë tjetër përpos mundësi për të qenë të mirë.” (Albert Camus).

“Konformizmi është burgu i lirisë dhe armiku i rritjes.” (John F. Kennedy).

Burgu i vetëm është frika. Liria e vërtetë është të jesh i lirë prej frikës.” (Aung San Sun Keji).

“Liria nuk dhurohet kurrë, ajo fitohet gjithnjë.” (Thënie popullore).

Demonstratat 1981

Demonstrata e vitit 1981, pra 40-vjetori i këtyre ngjarjeve, janë një rast i mirë që t’i kthehemi vetvetes dhe të vërtetës, ta analizojmë një histori jo të largët apo të gjatë, të shkruar me mund, flijim, idealizëm, me djersë, lot dhe gjak, si një proces në vazhdimësi shekullore, me përmasa kombëtare shqiptare. Në kontekstin historik, është një “pranverë” në vazhdimësi, për disa ndoshta e vonuar, për të tjerët ndoshta e përshpejtuar, sidomos shekujt e fundit, që nga viti 1912, kur ndodhi “amputimi” i tokave dhe kokave shqiptare, pas formimit të shtetit shqiptar, që ishte vetëm një bërthamë për shqiptarizëm, ndërsa jo pak shqiptarë “mbetëm jashtë”.

E keqja  dhe robërimi për ne shqiptarët vazhdoi edhe pas rrënimit të perandorisë turko-otomane (1912), formimit të Jugosllavisë së vjetër (1918), ku ne ishim të anatemuar dhe të përjashtuar si shqiptarë, ana kombëtare, dhe si gjeografi, shtrirja hapësinore në trojet tona të lashta. Në kurrizin dhe gjakun tonë ishte bërë një “tregti e ndytë”, kinse për krijimin e  baraspeshës  dhe paqes në Ballkan.

Vuajtja, përbuzja, përjashtimi, etiketimi, burgimet e vazhdueshme, ishin sfidë jetësore për ne. Me krijimin e Jugosllavisë së dytë të Josip Broz Titos (1945), ishte krijuar iluzioni se çdo gjë do të ishte më mirë, që pjesërisht edhe kishte ndodhur, por pa begatinë më të madhe për një popull, pa liri, ose me liri të “kriposur” apo me dredhi ideologjike.

Këtë e kishte hetuar më herët Shaban Polluzha (1871 – 1945) dhe shokët e tij, në një luftë për liri dhe me synime të qarta dhe të vendosura  për bashkimin tonë kombëtar, luftë kjo që ishte shuar me dhunë dhe me gjak.

Dhe “gjaku ynë i shprishur”, si thonë Arbëreshët tanë, nuk është pajtuar kurrë me robëri. Kështu ndodhën demonstratat e vitit 1968, më vonë në vitin 1971, për të ardhur deri te ngjarjet që janë temë trajtimi – demonstratat e vitit 1981.

Patriotët, intelektualët, krijuesit, mbi të gjitha rinia studentore, edhe një herë doli në skenë, me kërkesa të qarta dhe të  pamohueshme: liri dhe barazi, si për të gjithë. Kjo preku themelet e Jugosllavisë komuniste, më vonë socialiste të Titos.

Motoja:“Republikë, Kushtetutë, ja me hatër ja me luftë”, kërkesa për Republikë dhe vetëvendosje, ishin fryt i mendjeve të ndritura, zemrave të plagosura, dëshirave dhe nevojave që status quo-ja e Krahinës Autonome të Kosovës të ndryshohej dhe të përmirësohej.

Jugosllavia, më mirë të themi Serbia, ishte tronditur thellë me ngjarjet e vitit 1981. Si kundërpërgjigje ishte caktuar gjendja e jashtëzakonshme: ora policore, burgime dhe gjykimet e montuara, kufizimet e rrepta…

Panorama ishte e trishtueshme dhe tejet e dhembshme: 1346 të burgosur, 186 të vrarë, 63 ushtarë shqiptarë të vrarë nga Armata Popullore e Jugosllavisë, gati gjysma e popullatës shqiptare ishte në biseda të ashtuquajtura “informative”, “proceset e diferencimit.”

Nga këto ngjarje të rënda dhe të rrezikshme, populli vetëdijesohej, sidomos mërgata jonë shqiptare, në “ilegalitet”, por gjithnjë e pranishme me shpirt dhe me zemër ndër ne,  në veprim, sidomos pas vrasjes mizore dhe dinake të Kadri Zekës (1953 – 1982) dhe vëllezërve Jusuf (1943 – 1982) dhe Bardhosh Gërvallës (1951- 1982).

Lëvizja ilegale e Kosovës në mërgim ishte shpirti, zemra, frymëzimi kësaj lëvizjeje për liri, pavarësi, vetëvendosje, e cila nëpërmes shkrimeve, botimeve, porosive radiofonike, grupeve të ndryshme të aktivistëve guximtarë dhe vizionarë, ishte në veprim.

Gjithë kjo lëvizje ishte fillimi i mbarimit të hegjemonisë serbe në Kosovë, ëndrrat e tyre për “Serbinë e Madhe”, që ishin të hershme, qysh me Aleksander Rankoviçin (1909 – 1983), pastaj kishin vazhduar me Dobrica Qosiçin (1921 – 2014), kishin arritur kulmin dhe shkatërrimin me Slobodan Milosheviçin (1941 – 2006), me  përkrahjen e Kishës Ortodokse Serbe, që vepronin me dy lëvizje “Otpor” (Rezistenca) dhe “Bozhur”, për mbrojtën  e identitetit dhe shpërnguljes serbe nga Kosova.

Ata me “Letrën e kaltër” të vitit 1977, kishin tentuar ndryshimin e Kushtetutës së vitit 1974, por pa sukses, sepse Tito e kishte kundërshtuar vendosmërisht.

Dobrica Qosiç kishte thënë: “Armiqtë e Serbëve, i bënë Serbët – Serbë.”

“Lulja trepalëshe serbe” ishte: Shoqata e Shkrimtarëve të Serbisë, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Serbisë dhe Kisha Ortodokse Serbe, ishin bartësit dhe frymëzuesit kryesor të ngjarjeve gjatë viteve 1981 –1999.

Pse dhe si ndodhën demonstratat 1981?

Mendoj që populli ynë ilir, arbëror, shqiptar, si element burimor, autokton historikisht dhe gjeografikisht, pra, si element jo-sllavë, pati një intuitë, vizion, vegim të qartë: kështu nuk është mirë, as për ne, as për të tjerët. Pas vdekjes së Josip Broz Titos (1980), nacionalizmi dhe revanshizmi serb kishte marrë hov të pandalshëm dhe të kobshëm për ne, më vonë edhe për të tjerët. Një shtet i themeluar në pabarazi, në të privilegjuar dhe të nënshtruar, diskriminuar, s’ka ardhmëri. Prandaj duhet ndërmarrë dhe ndërruar diçka, gjithçka. Vetëdija që ne: mundemi, dimë, duam, do të ndërrojmë, sepse “e nesërmja flet sot, është sot”, pëshpëritej gjithnjë dhe gjithkund, ishte bindja dhe përbetimi i ndërgjegjes sonë shqiptare. Damari ynë i vjetër ishte në zgjim.

Peshën apo barrën kryesore e kishte së pari mërgata, e cila në Europën e lirë, jetonte dhe vepronte, shijonte një jetë tjetër, ndryshe. Ata donin që edhe te ne dhe ndër ne, të mbillej fara e lirës dhe demokracisë, si një e mirë e pamohueshme për ne dhe për të tjerët, për të gjithë.

Frymëzimin e lirisë, pavarësisë, shtetësisë, demokracisë, e kishin “nuhatur” së pari rinia, studentët e Universitetit të Prishtinës, pastaj punëtorët, dhe së fundi mbarë populli, si fuqia që s’mund ta mposhtë asnjë ushtri apo polici. Universiteti i Prishtinës, me të ngritja arsimore, kulturore, shpirtërore, qytetare e rinisë, bashkëpunimi me universitetet e Shqipërisë, shkëmbimi i ligjëruesve, literaturës, kishin ndikim të madh, ndoshta edhe vendimtar në zgjimin nga “kllapia” hegjemoniste.

Po ashtu, përmirësimi i statusit të Kosovës dhe Vojvodinës, si Krahina Autonome, me kushtetutën jugosllave të vitit 1974, që tashmë ishin  edhe me përfaqësim federativ, në  nivelin më të lartë qendror jugosllav, i dha“pretekst” Serbisë për lëvizje të madhe revanshiste, nacionaliste dhe hegjemoniste,  kinse si luftë kundër “nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar”, për ruajtjen e Jugosllavisë – Serbisë, gjithmonë në dëm dhe shpinë tonë, pastaj edhe të tjerëve.

Ky është leximi dhe interpretimi im i ngjarjeve të vitit 1981: në bazë të përvojës personale dhe shoqërore, kishtare, sipas njohurive me protagonistët e kohës dhe sipas leximit dhe studimeve të këtyre ngjarjeve. Edhe unë si student në Romë (1969 – 1975),  pjesë e Kishës Katolike në Kosovë dhe në mbarë botën, sidomos si bashkëpunëtor i ngushtë i Imzot Nikë Prelës (1918- 1997), prej së largu apo prej së afërmi, kam marrë pjesë në këto procese madhore, duke hetuar tentimet e gënjeshtrave dhe mashtrimeve ideologjike dhe politike komuniste, socialiste, ateiste,  që për ne ishin mohimi i të drejtës për të qenë popull – vetvetja, synim i qartë për robëri, nënshtrim dhe manipulim. Kisha Katolike në Kosovë, si edhe ajo në mbarë botën, kurrë nuk është pajtuar me ideologjinë komuniste dhe ateiste, me parulla “bashkim – vëllazërim”, që ishin synim për ta mohuar të vërtetën, për ta paraqitur dhe mbrojtur gënjeshtrën, gjithmonë kinse në emër të “popullit”,  fatkeqësisht dhe vazhdimisht kundër njeriut dhe njerëzimit.

Në kartotekën e policisë serbo – sllave jo rastësisht unë isha etiketuar si “element kundër-jugosllav, i rrezikshëm, njohës i botës perëndimore, pra, për t’u përcjellë, penguar dhe shkatërruar.”

Disa “shqiptarë” ishin tashmë të “dehur” nga ideologjia dhe  privilegjet, prandaj nuk hetonin më realitetin e hidhët të  popullit, jetonin në “ëndrra” apo “mjegulla”, duke i interpretuar ngjarjet e viteve 1968, 1971, 1981 si nacionaliste, shoviniste, irredentiste, separatiste, antikushtetuese…

Mirëpo, fatbardhësisht dita dhe drita ishte më e fortë se nata dhe terri. Liria dhe demokracia më jetësore se robëria, sundimi, dhuna, ideologjia. Mbi të gjitha jeta më e rëndësishme se vdekja, ngjallja  perspektiva e pamohueshme e jetës në liri dhe barazi për ne dhe për të tjerët.

Protestat apo demonstratat studentore kishin si pretekst pakënaqësinë për ushqim në Mensën e Studentëve, në kërkim të kushteve më të mirë për ushqim, mësim, banim… Revolta sociale ishte shndërruan në kërkesë, synim për përmbysjen e sistemit politik jugosllav (serb), në lëvizje kombëtare shqiptare, ku ne shqiptarët  ishim të “mirë” për një lloj “baraspeshe” për vazhdimin e Jugosllavisë, si shtet artificial dhe ideologji. Me këto demonstrata dëbohet mentaliteti i nënshtrimit, robërisë, poshtërimit ndaj Popullit tonë, në kërkim të dinjitetit kombëtar, kulturor dhe shpirtëror, në kthimi te djepi ynë burimor. Ky “zgjim” nga dehja dhe agonia e sistemit diktatorial, ky vetëdijesim dhe përcaktim, që duam dhe mundemi ndryshe, si të gjithë popujt e ish-Jugosllavisë, ishte dhe mbeti frymëzim i pashtershëm për rininë, prijësit e tyre, për mbarë popullin tonë

Trajtimi ynë si “pakicë kombëtare”, na bënte ne të pabarabartë me të tjerët. Mu për këtë cilësimet si “pranvera shqiptare”,rilindja e dytë kombëtare”,revolucioni shoqëror dhe kombëtar”, janë shprehje dhe vlerësime të sakta, që përmbajnë elementet bartëse të kësaj lëvizjeje studentore, punëtore dhe gjithë-popullore, që paralajmëronte dhe përgatiste ngjarjet e mëvonshme të viteve 90-ta, si Rugova dhe rugovizmi, UÇK-ja dhe lufta, ndërhyrja e NATO-s, liria dhe pavarësia e Republikës së Kosovës.

Me demonstratat e vitit 1981 ishte “thye” miti jugosllav, duke bërë me dije së pari Serbinë, pastaj gjithë Jugosllavinë, së fundi Europën dhe botën, që “parajsa” tokësore, siç e mendonin dhe trajtonin Jugosllavinë e atëhershme shumë qarqe politike euro-amerikane, ndoshta edhe botërore, jepte shenjta  të qarta të lodhjes, sëmundjes, agonisë, së fundi edhe të vdekjes, që do të ndodhë më vonë, gjatë viteve 90 – ta të shekullit e kaluar.

Njohja, vlerësimi i saktë dhe mirëfilltë i “Pranverës 1981”, është detyrë e shenjtë për çdo shqiptar, sidomos për ne në Kosovë, për ta kuptuar rrjedhën e ngjarje të atëhershme, si vazhdimësi edhe të mëvonshme, si dhe për ta jetuar vendin dhe kohën tonë, kuptohet, gjithmonë me përgjegjësi, përkushtim, përcaktim që secili prej nesh “ta jep pjesën më të mirë të vetvetes – zemrën, dashurinë”,  – siç na thotë Nëna jonë Tereze, duke shtuar edhe këtë: “Vetëm dashuria do ta shpëtojëbotën” dhe “Pa dashuri dhe flijim, jeta s’ka kuptim”.

Flijime ka pasur shumë dhe gjithnjë, ka edhe sot, dashtë Zoti të ketë edhe vëllazëri, dashuri, bashkëpunim dhe bashkëjetesë ndër ne!/drita.info

(Simpozium 17 – 18 prill 2021 në Stuttgart: Pranvera e madhe shqiptare 1981, 40 vite nga demonstratat e prillit 1981. E organizuar nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës; Akademia Diplomatike; Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.)