Dendias: “Greqia ka të drejtë të patjetërsueshme të shtrihet 12 milje detare”

Athinë, 5 qershor 2021 – Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Denidas, i është rikthyer edhe një herë çështjes detare me Shqipërinë.

Të shtunën, ai ka deklaruar se në disa zona ka nisur puna teknike.

“Greqia ka të drejtë të patjetërsueshme të shtrijë ujërat territoriale të vendit në 12 milje detare, përtej detit Jon, ku e bëri këtë shkurtin e kaluar, sa herë që e konsideron të përshtatshme për të promovuar interesat e saj. Siç është njoftuar, puna teknike përkatëse tashmë ka filluar për disa zona”, ka thënë Dendias në një intervistë për “Parapolitika”, transmeton Panorama.

Sipas tij, Athina dhe Tirana janë duke përgatitur kërkesën që dot’idrejtohet Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë lidhur memarrëveshjen politike për delimitimin.

“Marrëveshja politike për referimin e çështjes së delimitimit të Zonës Ekskluzive Ekonomike midis Greqisë dhe Shqipërisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë është arritur që nga tetori i kaluar. Sa i përket pjesës teknike, ajo duhet të paraqitet bashkë-premtuese. Shërbimet kompetente të të dy vendeve janë në konsultim të drejtpërdrejtë për hartimin e këtij teksti”, ka thënë ai.

Kujtojmë se një vit më parë Shqipëria dhe Greqia ranë dakort që zgjidhja e çështjes së kufijve detarë dhe përcaktimit të Shelfit Kontinental dhe Zonave Ekonomike Ekskluzive t’i besohet Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të Hagës.

Njoftimi ishte bërë gjatë vizitës së ministrit të Jashtëm grek Nikos Dendias, në përfundim të takimit që ai pati me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

(r.m.)