Dënohet me burgim të përjetshëm vrasësi i Donjeta Pajazitajt

Prishtinë, 27 maj 2021 – Gjykata Themelore në Ferizaj e ka dënuar me burgim të përjetshëm të pandehurin Naser Pajazitaj, i cili është shpallurfajtor për vrasjen e Donjeta Pajazitajt.

“Kryetari i Trupit gjykues i Departamentit për Krime të Rënda – Ibrahim Idrizi, pas mbajtës së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave, dëgjimit të palëve, të pandehurin N.P. e shpalli fajtor dhe i shqiptoi dënim me burgim të përjetshëm”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelorenë Ferizaj.

Sipas aktakuzës, më 9 nëntor, 2015, në bjeshkët e Strellcit të Komunës së Deçanit, i pandehuri Naser Pajazitaj e kishte marrë me veturë viktimën, e cila ishte nisur për në punë, dhe e kishte dërguar në drejtim të bjeshkëve të Strellcit dhe “në mënyrë dinake dhe për motive të ulëta” e kishte vrarë Donjeta Pajazitajn, me dy plumba në kokë. Trupi i pajetë i Donjeta Pajazitajt ishte gjetur më 17 dhjetor të vitit 2015.             

“I pandehuri N.P. akuzohet se më 9 nëntor 2015, në bjeshkët e Strellcit – Komuna Deçan, në vendin e quajtur ‘Kroni i Lajthisë”, duke qenë edhe me pare i dënuar për vepër penale të vrasjes së rëndë, me dashje dhe me armë të tipit të panjohur, në mënyrë dinake dhe për motive të ulëta, e ka privuar nga jeta viktimën D.P. nga po i njëjti fshat, në atë mënyrë që derisa viktima, ditën kritike, ka qenë duke shkuar në punë, në këmbë nëpër rrugën në drejtim të Strrellcit të Epërm dhe kur afrohet në afërsi të shtëpisë së N.J., kalon i pandehuri N.P. me veturën e tij, i cili ndalet e merr viktimën me veturë, e me pas vazhdon në drejtim të bjeshkëve të Strellcit dhe kur arrin tek ’’Kroni i Lajthisë’’ e privon nga jeta me armë, duke shtënë dy herë në kokë, dhe largohet nga vendi i ngjarjes, kurse kufoma e viktimës është gjetur më 17.12.2015 në vendin e ngjarjes nga disa kalimtar të rastit.

I pandehuri Naser Pajazitaj është kushëri i të ndjerës Donjeta Pajazitaj.

Fillimisht, ai ishte liruar nga akuzat, për mungesë të provave, kurse në mars të vitit 2019 u shpall fajtor dhe u dënua me burg të përjeshtëm. Por, rasti u kthye në rigjykim. (r.m.)