“Der Standard”: “Me sa duket, Borrellit po ia shkruan Beogradi postimet në Twitter”

Vjenë, 15 tetor 2021 – Gazeta autoritative austriake “Der Standard”, në një koment për zhvillimet e fundit në Kosovë, ka shkruar edhe për aksionin e Policisë së Kosovës kundër kontrabandës së mallrave.

Gazeta e kritikon reagimin e Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Josep Borrell, i cili e cilësoi operacionin si të njëanshëm.

“Der Standard” shpreh habinë që Borrell, në vend se të refuzojë përpjekjet e Serbisë për destabilizimin e Kosovës po e përkeqëson më shumë atë. Ajo shkruan se postimet e Borrellit në Tëitter duket sikur diktohen nga Beogradi.

“Përballë këtyre përpjekjeve të koordinuara për destabilizim, BE nuk reagon me refuzim të qartë, por po e përkeqëson situatën edhe më keq. Përfaqësuesi i Jashtëm i BE -së Josep Borrell, nuk e mbështeti sundimin e ligjit në Kosovë, por kritikoi policinë kosovare për gjoja “masa të pakoordinuara”. Me sa duket postimet e tij në Twitter po ia dikton Beogradi dhe ai po beson se është kompetent për mbrojtjen e kriminelëve. (Adelheid Wölfl, 15 tetor 2021)”.

“Incidentet e dhunshme në veri të Kosovës duhet të ndalen menjëherë. Veprimet e njëanshme dhe pakoordinuara që rrezikojnë stabilitetin janë të papranueshme”, ka shkruar Borrell në Twitter, pas aksionit policor të 13 tetorit.

Kjo deklaratë e shefit të diplomacisë evropiane hasi në reagime të ashpra, jo vetëm në Kosovë. Në shumicën e reagimeve u shpreh habi se si Borrell reagon ndaj përpjekjeve për sundimin e ligjit në Kosovë, në vend se t’i mbështesë ato.

Të mërkurën, më 13 tetor, Policia e Kosovës ndërmori një aksion kundër kontrabandës memallra në rajonin e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës Jugore dhe Mitrovicës Veriore. Ky aksion u kundërshtua ashpër nga një grup serbësh në Mitrovicën Veriore dhe në Zveçan, të cilët u përleshën me policinë dhe vendosën barrikada në rrugë.

Sipas Policisë sëKosovës, gjatë përleshjeve të protestuesve me policinë në Mitrovicën Veriore u lënduan dhjetë policë dhe dhjetë qytetarë. Pesë persona të dyshuar për kontrabandë me mallra janë arrestuar dhe janë dërguar në paraburgim, kurse dhjetë të tjerë janë shpallur në kërkim.

(r.m.)