Dëshmi rrënqethëse: Në Serbi janë djegur trupa të shqiptarëve të vrarë në Kosovë

Prishtinë, 25 qershor 2013 – Gazeta e përditshme kosovare “Tribuna” ka publikuar një tregim rrënqethës që flet për djegien e trupave të dhjetra shqiptarëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë në furrën e shkritores se bakrit në Bor të Serbisë.

Ivan Pajiq, pronar i kompanisë që merret me prodhime të mishit “Agrocentar”, në Bor, i ka thënë gazetës se ka parë zbrazjen e kufomave nga një kamion frigorifer në shkritoren bakrit, që gjendet përballë kompanisë së tij.

Ai ka thënë se ka vendosur të dëshmojë për këtë vepër makabre për të liruar veten e vet dhe babin e tij nga barra e rëndë e heshtjes së krimit, e cila ua rënduar ndërgjegjen gjithë këto vite.

“Kam qenë me babën te firma jonë që gjendet përballë shkritores së Borit. Kjo ka ndodhur pak javë pak nisjes së luftës (bombardimeve v.j.). Herët në mëngjes, me babën e kemi parë një kamion frigorifer që është parkuar para shkritores”, ka nisur tregimin Ivani, i cili asokohe kishte qenë vetëm 16 vjeç.

Ai ka treguar se kamionët frigoriferë e kishin zgjuar kërshërinë e tij dhe të të atit më shumë se sa kamionë të tjerë, pasi edhe produktet e kompanisë së tyre trabsportohen me kamionë të tillë.

“Kur e kanë hapur derën e frigoriferit, kemi parë se ka pasur aq shumë trupa brenda sa kanë nisë të bien në tokë. Ende më kujtohet fytyra e një vajze të vogël që ra nga frigoriferi, pasi u hap dera”, tregon Ivani.

“Në frigoriferin për të cilin po flasim nuk ka pasur ushtarë shqiptarë. Aty ka pasur gra dhe fëmijë shqiptarë të vrarë. Unë me sy të mi kam parë fëmijë në momentin kur janë hapur dyert e atij frigoriferi. Siç dihet, ai kamion frigorifer është mjaft i madh, por ka qenë i tëri i mbushur me trupa njerëzish dhe shumë prej tyre kanë rënë në tokë kur janë hapur dyert. Kjo ka ndodhur në shkritoren e Borit, aty ku shkrihet bakri. Aty është shkatërruar gjithçka, të gjithë trupat janë djegur”, ka treguar ai.

Ivani ka treguar se aidhe babi i tij kanë kontaktuar me Prokurorinë Speciale për Krime të Luftës në Beograd, prej vitit 2010.

Ivani tregon se në vitin 2010 ai dhe babai i tij kishin vendosur të viheshin në dispozicion të Prokurorisë për Krime të Luftës në Serbi, për të zbardhur të vërtetën e asaj që kishin parë, por në vend të inkurajimit kishin marrë përçmime, kërcënime.

“Menjëherë kanë nisur kërcënimet. Mua personalisht më kanë kërcënuar se kanë me më hedh në ajër”, ka thënë Ivani. Ai ka thënë se kërcënimet i vijnë prej komandantëve të policisë në Bor.

“Disa ende punojnë në MUP, disa të tjerë janë pensionuar, por janë ende të fuqishëm”, ka thënë ai dhe ka shpjeguarsebabaii tij tani ndodhet nëburg, pas një procesi gjyqësor të montuar.

“Babai im është njeri shumë i ndershëm. Ai tash ndodhet në burg, e kanë arrestuar. Këtë e kanë bërë në mënyrën më të poshtër, duke ia montuar kinse ai po përgatiste vrasjen e Zoran Miliqit, një bashkëpunëtori të policisë. Unë mund të garantoj se ai as nuk e njeh atë person”, ka thënë Pajiq.

Ai ka thënë se dëshminë e tij lidhur me kamionin frigorifer me kufoma ka frikë ta deponojë te organet  e drejtësisë në Serbi, prandaj kërkon të dëshmojë te autoritetet ndërkombëtare në Kosovë.

“Mua më kanë thirrur nga Ministria e Brendshme e Serbisë, por unë nuk u besoj atyre. Unë dua që autoritetet ndërkombëtare në Kosovë të marrin shpejt masa dhe të bëjnë diçka në këtë drejtim”, ka thënë Ivani.

Sipas tregimit të Ivanit, pas ngjarjes me kamionin frigorifer te shkritorja e Borit, ai ka përcjellë çdo kamion frigorifer që ka lëvizur në qytetin e tij dhe i ka parë tetë kamionë me trupa pa jete që janë varrosur në mal.

“Ka mundësi të ketë qenë i njëjti kamion, por unë e kam parë tetë herë. Aty sillnin trupa të civilëve. Njëherë, njëri prej kamionëve ka qenë me trupa të ushtarëve. Të gjithë janë të varrosur aty dhe unë, edhe sot, e di saktësisht ku është ai vend. Jam i bindur se po të hapet ai vend, aty do të gjenden trupa. Është vend shumë i fshehtë, në mal, dhe ne, banorët e asaj ane, e quajmë vend i shkretë”, ka treguar Ivani.

Ai ka thënë se kërkon që cë autoritetet ndërkombëtare për krime lufte ta kontaktojnë sa më parë,  në mënyrë që t`i shpjerë në vendin ku janë varrosur triupat pa jetë.

“Shumë ndërkombëtarë po thonë se kanë qenë dhe e kanë hapur vendin në Petrovosellë, por unë ju them se ai vendi për të cilin po flas nuk është hapur asnjëherë”, ka thënë Ivan Pajiq.

Gazeta “Tribuna” ka paralajmëruar për të mërkurën vazhdimin e tregimit të tij.

R. M.