Dhanë betimin 180 pjesëtarë të rinj të FSK-së

Prishtinë, 22 tetor 2021 – Në Kazermën e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) “Skënderbeu” në Ferizaj të premten e dhanë betimin 180 rekrutë të rinj.

Në ceremoninë e betimit morën pjesë edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, dhe zyrtarë të tjerë të lartë, vendorë e ndërkombëtarë.

This image has an empty alt attribute; its file name is Vjosa-Osmani_-ne-FSK.jpg

Presidentja Osmani, Komandante Supreme e FSK-së, tha se kjo forcë është e gatshme “t’i dalë zot artdheut, kurdo që të jetë nevoja”.

“Si komandante supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës, jam jashtëzakonisht krenare që po e shoh çdo ditë e më tepër përparimin e FSK-së, të ushtrisë sonë, e cila është jo vetëm garancë e jona, por edhe partnere e përgatitur profesionalisht krahas me aleatët tanë strategjikë në funksion të paqes kudo ku rrezikohet ajo”, tha ajo.

Presidentja Osmani tha se ajo ndihet veçanërisht krenare që në mesin e 180 rekrutëve të rinj të FSK-së janë edhe 12 vajza.

“Hapja e FSK-së ndaj vajzave e grave është jo vetëm nevojë, por edhe domosdoshmëri. Prandaj jam besimplote se me këto ushtare e ushtarë të ri, FSK-ja do të vazhdojë zgjerimin e kapaciteteve operacionale dhe do të jetë ndërvepruese me partnerët tanë strategjikë”, theksoi ajo.

Zonja Osmani tha se FSK-ja është forcë e mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, dhe në shërbim tëe paqes dhe të aleatëve të Kosovës.

“Forca jonë është në funksion të mbrojtjes së sovranitetit dhe të paprekshmërisë së territorit të Republikës sonë, sikurse edhe të aleancës sonë me partnerët në shërbim të paqes. Ushtarët tanë do të jenë kudo që rrezikohen interesat tona, por edhe ato të aleatëve tanë amerikanë e evropianë e më gjerë”, theksoi ajo.

Presidentja Osmani e shfaqi shpresën se Kosova do të bëhet së shpejti pjesë e NATO-s.

Kryeministri Kurti tha se të qenit pjesë e FSK-së është nder e përgjegjësi.

“Duke qenë pjesë e FSK-së, përveç privilegjit, tash e tutje do t’i shërbeni institucionit më të besueshëm në vend. Ju keni nderin t’i shërbeni vendit tuaj përkrah aleatëve, ushtarëve të NATO-s, në shërbim të paqes dhe sigurisë globale”, tha ai.

Kurti theksoi se qeveria e udhëhequr prej tij është e përkushtuar për rritjen e sigurisë dhe mbrojtjen e sovranitetit dhe territorit të Republikës së Kosovës.

Kmandantja e KDS-së, gjeneral brigade Irfete Spahiu, tha se kjo gjeneratë e rekrutëve është një nga gjeneratat me rezultatet më të mira që ka pasur KDS dhe se ka vendosur një standard të ri të performanës.

(r.m.)

Comment

*