Dhjetëra të vdekur gjatë një pelegrinazhi fetar në Izrael

Tel Aviv, 30 prill 2021 – Të paktën 44 veta humbën jetën dhe rreth 150 të tjerë mbetën të plagosur në një rrëmujë gjatë një festivali fetar në Izraelin verior, në të cilin morën pjesë dhjetëra mijëra besimtarë hebrenj ultra-ortodoksë.

Shërbimi i shpëtimit i Izraelit, Magen David Adom (MDA) njoftoi se më shumë se 100 njerëz u plagosën. Dhjetra prej tyre janë në gjendje kritike për jetën.

“MDA po lufton për jetën e dhjetëra të plagosurve dhe nuk do të dorëzohet derisa të evakuohet viktima e fundit”, thuhet në një postim në Twitter.

Në videot e shpërndara në mediat sociale shihen pamje të turmës së njerëzve në kaos. Në një video shihen trupa të pajetë të njerëzve në tokë.

Kjo është nja nga tragjeditë civile më vdekjeprurëse në vend.

Sipas dëshmitarëve dhe video-pamjeve, rrëmuja filloi kur një numër i madh njerëzish vërshoi nëpër një kalim të ngushtë, si tunel. Njerëzit filluan të bien njëri mbi tjetrin afër fundit të vendkalimit, ndërsa zbrisnin shkallët e rrëshqitshme metalike, thanë dëshmitarët.

Rrëmuja ndodhi gjatë festimeve të kremtes Lag B’Omer në malin Meron, tubimi i parë fetar masiv që kur Izraeli i hoqi gati të gjitha kufizimet, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Lag BaOmer tërheq çdo vit dhjetëra mijëra njerëz, shumica prej tyre hebrenj ultra-ortodoksë, për të nderuar Rabinin Shimon Bar Yochai, një mistik i shekullit të II-të që është varrosur atje. Turmat e mëdha tradicionalisht ndezin zjarre, luten dhe vallëzojnë si pjesë të ceremonine festive.

Kryeministri Benjamin Netanyahu e cilësoi ngjarjen “një tragjedi të madhe”. Ai tha se të gjithë po luteshin për viktimat.

Në një garë me kohën, funeralet duhe të përfundojnë para perëndimit të diellit, të premten, para fillimit të Shabatit, kur nuk bëhen varrime.

(r.m.)