“Dhjetori i dytë” i Gjykatës Kushtetuese

Progresi nuk duhet të matet vetëm nga distanca deri në destinacion, por edhe nga sa larg kemi arritur në këtë udhëtim u shpreh ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim në një event së fundmi që përkon edhe me një vjetorin e “jetëzimit” të Gjykatës Kushtetuese pas përzgjedhjes së anëtarëve të saj nëpërmjet mekanizmave të prodhuara nga reforma në drejtësi.

“Progresi nuk duhet të matet vetëm nga distanca deri në destinacion, progresi duhet të matet edhe nga sa larg kemi arritur në udhëtim. Paketa legjislative, duke përfshirë ndryshime të rëndësishme kushtetuese, shënoi një pikënisje për matjen e këtij progresi. Si një reformë gjithëpërfshirëse, Shqipëria zgjodhi të ndërmerrte një plan tërësor për të rivlerësuar integritetin dhe profesionalizmin e anëtarëve të sistemit të drejtësisë dhe promovimin e një kulture të re nëpërmjet ndryshimit të strukturës së institucioneve të drejtësisë nëpërmjet depolitizimit dhe decentralizimit”, është shprehur Kim në atë event.

INSTITUCIONI FUNKSIONAL PAS TRI VITESH

Një surprizë në prag Krishtlindjesh ka qenë dhjetori i vitit 2020 rikthimi në funksionalitetit i Gjykatës Kushtetuese pas tri vitesh ngërçi.

Pas më shumë se një vit konfliktesh, mosmarrëveshjesh mes Presidentit, Parlamentit dhe Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED), në një periudhë të shkurtër kohore u arrit të zgjidhej rebusi i formimit të trupës së re të Gjykatës Kushtetuese duke emëruar gjyqtarë që skaneri i vettingut i ka nxjerrë të pakorruptuar, të aftë profesionalisht dhe me integritet të lartë moral.

Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, e konsideroi “lajm të madh” bërjen funksionale të Gjykatës Kushtetuese dhe në një publikim në faqen e saj në twiter falenderoi gjyqtaren Vitore Tusha për udhëheqjen e qëndrueshme dhe të matur të KED, e cila mundësoi funksionimin e Gjykatës Kushtetuese Shqiptare por duke i ngarkuar edhe përgjegjësinë për të drejtuar Gjykatën në trajtimin e çështjeve të rëndësishme.

Institucioni afërsisht prej një viti në drejtimin e znj.Tusha, si gjyqtarja më e vjetër në detyrë në radhët e anëtarëve të tjerë, ndonëse para sfidës së një trupe të paplotë dhe të re, ka kryer një punë intensive dhe voluminoze, për të ushtruar misionin e tij kushtetues. Deri në korrik te 2021 Kushtetuesja, referuar të dhënave më të fundit të bëra zyrtare nga vet institucioni, shqyrtoi 125 çështje, nga të cilat 35 vendime përfundimtare dhe 95 moskalime. Prioritet kanë pasur çështjet e mbartura për shkak të mosfunksionimit të Kushtetueses më herët, evadimi i të cilave është bërë i mundur edhe falë punës dhe përkushtimit të trupës së gjyqtarëve kushtetues.

Në mars të 2021 u miratua Dokumenti i parë Strategjik i Kushtetueses i cili do të shërbejë si një udhërrëfyes institucional për arritjen e standardeve më të larta në ushtrimin e funksioneve të saj me profesionalizëm, integritet dhe besueshmëri

Në valën e këtyre ndryshimeve pozitive është edhe qasja ndaj medias, duke publikuar në kohën e duhur, në faqen zyrtare njoftime për publikun dhe median në lidhje me vendimmarrjen e saj, me qëllim rritjen e besimit dhe autoritetit të kësaj Gjykate në publik.

ÇËSHTJET E TRAJTUARA/ ‘PATATET E NXEHTA’ TË POLITIKËS

Ashtu si përmendëm dhe më sipër ¨çështjet më të rëndësishme të trajtuara ishin ato të mbarturat si teatri, zgjedhjet e 30 qershorit apo çështja Meta- Gent Cakaj etj.

Gjykata Kushtetuese pezulloi ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar duke rrëzuar kështu ligjin special dhe kalimin e Teatrit në pronësi të Bashkisë Tiranë. Sipas Gjykatës Kushtetuese, ligji për “Projektimin dhe realizimin e projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar” është i papajtueshëm me Kushtetutën dhe me marrëveshjet ndërkombëtare, si dhe cenon parimin e shtetit të së drejtës. Ndërsa kërkesa për moslejimin e shembjes së Teatrit Kombëtar, për fat të keq nuk është pranuar, pasi tashmë ajo godinë nuk ekziston më.

Teatri Kombëtar u shemb më 17 maj të vitit të kaluar dhe shkaktoi një valë protestash, gjatë të cilave pati edhe përplasje mes protestuesve dhe forcave policore.

Gjykata Kushtetuese mori gjithashtu vendimin për kërkesën nga Shoqata e Bashkive, e cila insistonte përsëritjen e zgjedhjeve të 30 qershorit.
Pasi mori në shqyrtim edhe opinionin e Komisionit të Venecias, Gjykata rrëzoi kërkesën e Shoqatës së Bashkive, të përfaqësuar nga Voltana Ademi, për kushtetutshmërinë e regjistrimit të Partisë Bindja Demokratike në zgjedhje, duke e njohur procesin si të ligjshëm.

Në Tiranë, Gjykata Kushtetuese shfuqizoi si të papajtueshme me Kushtetutën një nen të ligjit për trajtimin e pronës dhe disa pika në një vendim qeverie, që lidhen me mënyrat e kthimit dhe kompensimin e pronave.
Ky vendim rihap edhe një herë diskutimet mbi çështjen e pronave, për të cilat ka një mori konfliktesh në Shqipëri.

Padinë e kishte ngritur disa vjet më parë shoqata Pronësi me Drejtësi, e cila kërkon njohjen dhe kthimin e pronave private të shtetëzuara nga regjimi komunist.

Mosdekretimi i Gent Cakaj si ministër i jashtëm ishte një tjetër ngërç politik që mori zgjidhje nga Gjykata Kushtetuese. Në vendimin e Kushtetueses thuhet se çështja është pushuar dhe nuk ka më mosmarrëveshje kompetencash për të zgjidhur. Gjykata thekson se Meta është treguar bashkëpunues, duke dekretuar gjatë muajit janar 2019 propozimet e shkarkimit dhe të emërimit të më shumë se gjysmës së anëtarëve të Këshillit të Ministrave.

Vendimi i Kushtetueses thotë se tre isntitucionet (Kryeministri, Presidenti, Kuvendi) duhet të bëjnë hetime të thelluara për ministrat.
Përgjimi nga policia pa lejen e prokurorisë ishte një tjetër çështje e ligjit për policinë e shtetit i trajtuar nga Kushtetuesja. Ajo e rrëzoi këtë ligj duke arsyetuar se cënohet e drejta e jetës private dhe sigurisë juridike.

EMERIMET

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi pranoi pedagogun Ervin Karamuço si kandidat për vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese të Vitore Tushës dhe Fatmir Hoxhës. Pedagogu i drejtësisë u zgjodh mes tre kandidatëve për një vend pasi pjesë e garës ishin edhe Zhaklina Peto dhe Helena Papa, për të cilat KED vendosi ndalimin e kandidimit.
Kandidatë të tjerë të kualifikuar ditën e premte për anëtarë të Gjykatës Kushteuese janë Z. Albert Demirneli, për vendin vakant të Z. Fatmir Hoxha.
Z. Alket Jaupi, për vendin vakant të Z. Fatmir Hoxha.

Kandidimi i tyre i hap rrugën një procesi të tjetër, i cili sapo ka nisur. Ndërkohë pritet që më tej të zyrtarizohen edhe emra të tjerë të kandidatëve potencialë për plotësimin e tri vendeve vakante. Aktualisht, Gjykata Kushtetuese ka 7 anëtarë, duke përfshirë edhe kryetaren Vitore Tusha, mandati i së cilës ka përfunduar. Ndërkohë që Fatmir Hoxha u shkarkuar nga Gjykata Kushtetuese nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në vitin 2018 për mosjustifikim të pasurisë.
Ai ishte i pesti i shkarkuar duke bërë që Kushtetuesja të mos mblidhte dot kuorumin, dhe për pasojë, të mos funksiononte.

Duke shpresuar që pas dhjetorit të parë të ringritjes së Gjykatës Kushtetuese, të kemi së shpejti edhe një dhjetor të dytë të bërjes plotësisht funksionale të saj me qëllim mbrojtjen e vlerave bazë të organizimit shtetëror dhe garantimin e të drejtave dhe lirive themelore të individit.

Comment

*