Dhoma Amerikane kërkon tërheqjen e projektligjit për amnistinë fiskale

Tiranë, 13 korrik 2022 – Kryeministri Edi Rama ka thirrur konsultime me grupet e biznesit për planin e tij kontrovers të amnistisë fiskale pasnesër, më 15 korrik, por Dhoma Shqiptaro-Amerikane e Tregtisë nuk e priti këtë “konsultim” për të lëshuar një nga deklaratat më kritike në historinë e vet.

Pasi kreu një analizë ligjore, fiskale dhe ekonomike të projektligjit të propozuar nga qeveria, Dhoma deklaroi të mërkurën se opinioni i saj ishte prerazi që “nisma duhet të tërhiqet”.

“Amcham rekomandon fuqimisht tërheqjen e projektligjit mbi Amnistinë Fiskale.  Rreziqet tejkalojnë ndjeshëm përfitimet! ,” deklaroi në Facebook presidenti i Dhomës,. Enio Jaço.

Ai publikoi edhe rezultatet e analizës së projektligjit.

“Projektligji nuk ofron garanci të mjaftueshme që individët e implikuar në veprimtari kriminale do përjashtohen nga amnistia. Nëse miratohet, legjislacioni do minonte përpjekjet për të përmirësuar klimën e biznesit dhe investimeve, duke shpërblyer konkurrencën e pandershme,” shkruhet në deklaratën e dhomës.

Qeveria shqiptare pretendon se vendi ka nevojë për një nismë për amnisti fiskale me qëllim që të legalizojë paratë e mbajtura privatisht nga qytetarët që i kanë fituar përmes punësimit në të zezë apo evazionit fiskal.

Sipas qeverisë, këta individë do të mund të deklarojnë deri në 2 milionë euro para të thata apo pasuri, me kushtin që të paguajnë një taksë që varion nga 5 deri në 10% si dhe të mos i largojnë paratë nga Shqipëria për së paku pesë vjet. Qeveria nuk ka shpjeguar se si ka dalë në konkluzionin se shqiptarët kanë një problem të tillë, pra që kanë fituar në kushtet e evazionit fiskal por me punë të ndershme deri në 2 milionë euro, të cilat nuk i vendosin dot në qarkullim.

E kundërta e kësaj duket se është e vërtetë; prona të panumërta blihen dhe pallate ndërtohen me para që nuk kanë një burim të ligjshëm të identifikuar.

Dhe ndërsa qeveria pretendon se projektligji ndalon personat e përfshirë në trafik droge apo korrupsion të përfitojnë nga ligji, ekspertët e Dhomës Amerikane si dhe Komisioni Evropian në Bruksel sugjerojnë se në fakt, nuk është e sigurt se trafikantët nuk do të përfitojnë.

“Dispozitat e këtij projektligji nuk ofrojnë garanci që individë me aktivitete kriminale serioze si droga, trafiku i qënieve njerëzore, pastrimi i parave janë të përjashtuar nga amnistia,” shkruhet në deklaratën e Dhomës.

Dhoma vëren gjithashtu edhe padrejtësinë që një amnisti e tillë mund t’i shkaktojë bizneseve të ndershme. Sipas vlerësimeve të dhomës, barra fiskale aktuale në Shqipëri është 32% e parave që mund të deklarohen për legalizim me përkundrejt një takse prej vetëm 5-10%. Kjo do të thotë se dikush që ka bërë 10 mijë euro kursime me punë të ndershme, ka paguar 32% taksa e tatime ndërsa një i dytë që ka punuar në mënyrë të pandershme, mund të përfitojë amnisti për një barrë fiskale shumë më të ulët.

Por problemi më i madh që thekson dhoma në deklaratën e saj qëndron te konkurrenca normale dhe e ndershme.

“Zbatimi i amnistisë do të sjellë konkurrencë të pandershme, duke favorizuar individë me aktivitete të shkuara të paligjshme,” vëren Dhoma.

Shqipëria sakaq është bërë një vend i vështirë për të bërë biznes normal, ndërkohë që paratë e pista krijojnë investime që konkurrojnë për nga niveli i luksit paratë e pakta që mund të fitohen me punë të ndershme, por situata pritet të bëhet akoma më e vështirë në rast se më shumë trafikantë gjejnë mundësinë që, jo vetëm që të investojnë paratë e fituara në aktivitete kriminale, por ta bëjnë këtë në mënyrë të ligjshme.

Dhoma vëren gjithashtu rrezikun që një nismë e tillë e Ramës të rrezikojë vetë anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Në fund të qershorit, Komisioni Evropian ia bëri të qartë autoriteteve shqiptare në një takim ballë për ballë se projektligji ka shkaktuar “shqetësime serioze”. Në mënyrë të pazakontë, ky qëndrim i komunikuar në takimin e një komiteti mes Shqipërisë dhe BE-së që trajton problemet e tregtisë, industrisë dhe doganave, gjeti rrugën për t’u bërë pjesë e një deklarate për shtyp.

Zakonisht Komisioni Evropian duket se parapëlqen komunikimet private me shtetet kandidate në mënyrë që shqetësimet e kësaj natyre të mos ushqejnë forcat politike brenda vendeve anëtare që kundërshtojnë zgjerimin. Mesazhet bëhen publike vetëm në rastet kur komunikimet zyrtare nuk pinë ujë.

(Reporter.al)