Dhoma e Përfaqësuesve e miraton paketën e shpenzimeve prej 1.9 trilionë dollarësh

Uashington, 19 nëntor 2021 – Dhoma e Përfaqësuesve miratoi mes ndarjesh të forta partiake, një projektligj madhor që parashikon financimin e disa programeve sociale e mjedisore, në vlerën e 1.9 trilionë dollarëve.

Miratimi i tij shihet si një fitore e rëndësishme për Presidentin Joe Biden.

Republikanët e kundërshtuan ligjin me forcë, por demokratët arritën ta miratojnë atë duke u dhënë fund mosmarrëveshjeve disa mujore mes progresistëve e të moderuarve të partisë, lidhur me faturën financiare të projektligjit, si dhe programet që do të mbulojë.

Tashmë projekligji do të kalojë për votim në Senat, ku pritet që demokratët e moderuar, si senatori Joe Manchin, të kërkojnë një reduktim të mëtejshëm të faturës së projektligjit.

Paketa e shpenzimeve pritet të forcojë ndër të tjera ndihmën për kujdesin ndaj fëmijëve, të garatojë arsim parashkollor falas, të ulë kostot e ilaçeve me recetë për të moshuarit, si dhe të financojë projekte që mbështesin përpjekjet kundër ndryshimeve klimatike.

Sipas Zyrës së Buxhetit të Kongresit, një organ jo-partiak, buxheti i ri do të shkaktonte një rritje të defiçitit federal me 160 miliardë dollarë gjatë dekadës së ardhshme.

(Zëri i Amerikës)