Dhuna dhe demokracia nuk mund të bashkëjetojnë

Nga Ruben Avxhiu

Ngjarja e rëndë sot në Elbasan meriton një denoncim të plotë dhe pa ekuivoke nga të gjitha palët, po në radhë të parë nga ana e opozitës në emër të së cilës vepronte vrasësi.

Ruben Avxhiu

Çfarëdo që të kenë qenë ngjarjet që sollën vrasjen, ajo nuk ka justifikim. Çilatdo që të kenë qenë synimet dhe ndjenjat e atij që bëri vrasjen, ai sapo i dha partisë në pushtet një ndihmë të madhe vetëm pak ditë përpara zgjedhjeve.

Politika shqiptare vazhdon për fat të keq të mbështetet besnikërisht te të fortët duke dëshmuar një mosbesim të thellë në mos përbuzje për shoqërinë shqiptare.

Është normale që të ketë organizata që mbrojnë ndershmërinë e votës. Është anormale që këta njerëz të jenë të armatosur. Kjo nuk është më pastaj pjesë e shoqërisë civile por i përmgjet më shumë formave paraushtarake të shtetit paralel.

Në vija të përgjithshme retorika e opozitës në këtë fushatë ka qenë më serioze dhe më e mbështetur në plane e vizione. Mirëpo, ngjarja e sotme është një njollë e pajustifikueshme që vendos në dyshim premtimet e një fillimi të ri pas 25 prillit.

Opozita nuk duhet të pranojë që të vijë në pushtet me çdo kusht. Ajo duhet të vijë vetëm në mënyrë demokratike, me votën e popullit, në mënyrë paqësore e ligjore. Çdo ndryshim tjetër nuk është ndryshim por vazhdim i të njëjtës histori me emra të tjerë. Është arsyeja se pse shumica e shqiptarëve refuzojnë të angazhohen fizikisht e shpirtërisht në përplasjet politike mes dy krahëve të saj.

Shpresa dhe urimi im është që ngjarja e rëndë të shërbejë si një kujtesë se gjakrat e ndezura dhe përpjekja për t’i zgjidhur konfliktet me forcë sjell vetëm viktima dhe asnjë fitues.

Një ankeëtim nga “Balkan Barometer” ka treguar se gati 50% e shqiptarëve ëndërrojnë të largohen nga Shqipëria. Ky është një tjetër shembull diskretitues pas tetë vitesh qeverisje të kryeministrit Edi Rama që preferon të tallet dhe përqeshë opozitën si dhe kritikët e tij në një kohë kur gjysma e vendit ka humbur shpresën te e ardhmja.

Mirëpo, kjo dëshirë masive për ikje është edhe dështim i opozitës për të dëshmuar se Shqipëria e ka një alternativë serioze, një rrugë tjetër që mund t’i ndihmojë njerëzit që të ndërtojnë një të ardhme në vendin ku kanë lindur. Janë ngjarje si kjo e Elbasanit që sabotojnë dhe dekurajojnë një fillim të ri.

Ditët që kanë mbetur nuk do të ndryshojnë pikëpamjen dhe preferencën e militantëve të thekur partiakë. Sigurisht as të atyre që vërtiten me armë për të mbrojtur e ndihmuar politikanët klientë. Në këto ditë që kanë mbetur, do të ishte ideale që udhëheqësit e opozitës si dhe ata në pushtet t’u flasin idealistëve dhe njeërëzve të arsyes, atyre që i rrinë larg politikës dhe ata që e kanë parë me dekada se si premtimet e fushatave janë fjalë që i merr era. Jo te trimëria e çetave me armë, po te kjo masë e madhe qytetarësh të heshtur mund të jetë jo vetëm sekreti i fitores në këto zgjedhje, por edhe i dominimit në politikën shqipare për dekadën që sapo ka filluar..

One Response to “Dhuna dhe demokracia nuk mund të bashkëjetojnë”

Read below or add a comment...

  1. Sali Bollati_Çam Shqiptaro Amerikan says:

    Mendime te drejta; por fatekesisht politikanet e sotem ne Tirane; mbas vjedhjeve dhe abuzimemeve te pa shoqe duke u bere “milionera”; nuk kane kohe per ti lexuar dhe aqe me pak per ti kuptuar.
    Se deri kurr vetem RRUGA e VV e Albinit dhe e Vjoses do ta hapi Drejtimin e duhur

Comment

*