Dialogu Kosovë – Serbi: Çka dallon strategjia e sotme nga ajo e djeshmja?

Emin AZEMI

Emin AZEMI

Teksa dëgjon dhe lexon kritika irracionale në adresë të Kurtit, na bëhet e qartë se pse aq gjatë ishin në pushtet rinegocuesit e statusit të Kosovës.

Tani po ndërtohet një strategji e re negociatash me Serbinë, duke e larguar sa më tepër rrezikun e rinegocimit të statusit të Kosovës. Ata që shohin vetëm zi në këtë strategji, bëhen argatë pa pagesë të Vuçiqit në realizimin e planeve të tij hegjemoniste në Kosovë. Duke ia pamundësuar Serbisë të bëhet hisedare në sovranitetin e Kosovës, dialogu merr një dinamikë tjetër, kurse bashkësia ndërkombëtare e ka më lehtë të detektojë problematikat që i rëndojnë aktualisht raportet Kosovë-Serbi.

Prandaj në opinionin publik të Kosovës duhet të krijohet një klimë konstruktive shtetërore, ku interesat nacionale vendosen mbi inatet e brendshme politike.

Krejt Kosova duhet të jetë opozitë e Serbisë e jo si tani, që opozita dhe një tufë gazetarësh që frik e frik u bënë analistë po bëhen opozitë e Kurtit për t’ia vështirësuar punët në ballafaqimin me Vuçiqin.

Mos harroni: Kurti po e çmonton mendësinë politike që ishte zotëruese në dialogun e deridjeshëm se Kosova, për të qenë gjoja rehat në raport me Serbinë, duhet të heqë dorë nga një pjesë e sovranitetit të saj, që i bie se Kosova deri dje, pa e kërkuar askush nga bashkësia ndërkombëtare, ka rinegocuar për statusin e saj, edhe pas pavarësisë së vitit 2008 dhe pas mendimit pozitiv të GJND-së.

Nëse opozita e sotme mendon se Albini e ka gabim, kurse ata kishin të drejtë kur ishin në pushtet dhe negoconin me Serbinë, atëherë lind një pyetje shumë e thjeshtë: Pse nuk e arritën marrëveshjen e shumëpërfolur me Serbinë?!

Në fakt, se sa kishin ata të drejtë e tha edhe Vuçiqi, i cili i përmendi me emra e mbiemra liderët e deridjeshëm, me të cilët, sipas tij, paska mundur të merret vesh për diçka, kurse me Kurtin për ASGJË.

Nëse Vuçiqi nuk mund të merret vesh për ASGJË me Kosovën, ky nuk është faji i kryeministrit Kurti, por i mendësisë mesjetare të kreut serb, i cili është mësuar që përmes shantazheve të marrë çfartë nuk i takon.

Nëse Serbia nuk e heq Kosovën nga preambular e Kushtetutës së saj, nëse nuk e fillon procesin e denacifikimit, nëse nuk bashkëpunon për identifikimin dhe vendndodhjeve e të pagjeturve, nëse nuk ballafaqohet me të kalaurën e saj kriminale – atëherë dialogu Kosovë-Serbi nuk ka kurrfarë kupitimi.

Nëse dialogu ka kuptim vetëm atëherë kur diskutohet për statusin e serbëve në Kosovë, duke i futur ata në paradhomat e bosnjizimit, atëherë Kosova duhet me këmbëngulje ta refuzojë një dialog të tillë dhe të kërkojë pa reshtur ndërhyrjen e diplmiacisë amerikane në tejkalimin e problemit.

Kjo, në fakt, duhet të jetë edhe fryma që duhet të përshkojë metodoliogjinë e re të dialogut Kosovë-Serbi.

Comment

*