Dialogu s’mund ta amnistojë Serbinë për krimet e kryera në Kosovë

Nga Emin Azemi

Për Serbinë, Kosova vazhdon të jetë një mejhane ku mund të hyhet e të dilet kur të duash dhe të marrësh çka të duash. Krerëve serbë duhet hequr luksin e të qenit kryelartë në dialog, për arsye se dhembja për të pagjeturit dhe të vrarët ende është një gurë i rëndë që peshon mbi qafën e tyre prej fajtori….

 

 

Kosova po shkon e pabarbartë me Serbinë në tryezën e dialogut. Kjo pabarazi burimin  e ka te qasja e gabuar e bashkësisë ndërkombëtare e cila e ka lejuar Serbinë të fillojë dialogun pa i kryer disa procese të brendshme të vetëpastrimit të shoqërisë serbe nga recidivat e shkuara  kriminale.

Faza e parë e këtij vetëpastrimi do të ishte denacifikimi politik, shoqëror e institucional  i Serbisë, që do të përfshinte: kërkimfaljen për krimet e kryera në Kosovë, nxjerrjen para drejtësisë të kriminelëve që kanë vra e kanë dhunuar, identifikimin e vendndodhjeve të varrezave masive, largimin nga institucionet të gjithë personave që kanë udhëheqë operacione ndëshkimore në Kosovë, si dhe reparacionin.

Kurse faza e dytë do të pasonte me procesin e normalizimit të marrëdhënieve Serbi-Kosovë, si faze finale e dialogut.

Siç ka filluar para dhjetë viteve dhe siç po vazhdon aktualisht dialogu, gjasat për ndonjë sukses janë minimale për shkak të vendosjes së gabueshme të niveleve të përgjegjësisë së palëve negocuese, ku Serbia deri tani është trajtuar si një klient që kthehet i habitur për të marrë disa gjësende të harruara në lokalin ku ka qëndruar.

Për Serbinë, Kosova vazhdon të jetë një mejhane ku mund të hyhet e dilet kur të duash dhe të marrësh çka të duash.

Në anën tjetër, shoqëria kosovare duhet të zgjohet nga ‘gjumi klinik’ dhe të kërkojë më me këmbëngulje denacifikimin e Serbisë si dhe heqjen e Kosovës nga Kushtetuta e Serbisë.

Opozita, mediat dhe shoqëria kosovare duhet të flasin më tepër anglisht dhe të lobojnë edhe te miqtë ndërkombëtarë që të bëhet një ndarje e qartë në mes të viktimës dhe agresoirt.

Le të krijohet edhe një fond për të financuar informimin e opinionit ndërkombëtar mbi harambashllëqet e Serbisë të kryera në Kosovë.

Në tryezën e dialogut në Bruksel, Kosova ende është viktimë…

Krerëve serbë duhet hequr luksin e të qenit kryelartë në dialog, për arsye se dhembja për të pagjeturit dhe të vrarët ende është një gurë i rëndë që peshon mbi qafën e tyre prej fajtori….

Guri i fajësisë serbe është kantari nga duhet të shkojë procesi i dialogut Kosovë- Serbi .

Pa denacifikimin e Serbisë, dialogu ka rrezik të ngatërrohet në agjendat mesjetare serbe!

Burokratët e Brukselit (sidomos ata nga Spanja dhe Sllovakia) gabojnë rëndë nëse këtë mirazh mesjetar ia lejojnë Beogradit ta përdorin si fasadë në murin serb të vajtimit!

Serbët janë specialistë të vajtojnë, edhe atëherë kur së brendshmi janë të mbushur me fajësi për krimet e kryera e të pandëshkuara.

Në fakt, si është e mundur që Ballkani ende vuan pasojat e krimit serb të pandëshkuar, ndërkohë që një pjesë e Evropës burokratike bëhet sikur kjo ka ndodhur vetëm nëpër filma të bazuar mbi ngjarje të trilluara?!