Disa anëtarë të Grupit të Kumanovës kërkojnë të transferohen në Kosovë

Shkup, 31 janar 2022 – Disa anëtarët të “Grupit të Kumanovës” kërkojnë që të transferohen në Kosovë, për të vuajtur dënimet me burg.

Siç njofton Alsat-M, Andi Krasniqi, Lirim Krasniqi dhe Demë Shehu, përmes avokatëve të tyre kërkojnë nga Ministria e Drejtësisë së Maqedonisë t’i transferojë në shtetin e Kosovës.

Më herët familjarët e disa prej tyre thanë se ata nuk janë të interesuar të kthehen në Kosovë.

Para një muaji, Gjykata e Lartë e Maqedonisë së Veriut nuk e pranoi ankesën e të dënuarve, që rasti të shkojë në rigjykim.

Për ngjarjet e 9 dhe 10 majit të vitit 2015, gjykata shpalli fajtor 33 persona për veprën “terrorizëm”. Gjykata e Apelit e konfirmoi vendimin e Gjykatës Penale me çka shtatë persona u dënuan me burg të përjetshëm, 13 nga 40 vite, gjashtë nga 20 vite, një person me 18 vjet burg kurse dy persona me 13 dhe 14 vjet. Në ngjarjet e Kumanovës, jetën humbën e tetë policë të Maqedonisë dhe 10 anëtarë të grupit të armatosur.

(r.m.)