Disidenti rus ofron 1 milion dollarë shpërblim për arrestimin e Putinit

Disidenti rus Alex Konanykhin, i cili jeton në SHBA, ka shprehur vullnet të kontribuojë për ndërprerjen e luftës në Ukrainë ose së paku, siç ka thënë, të “përcjellë një mesazh të fuqishëm” kundër agresionit në vendin fqinj.

Konanykhin ka ofruar 1 milion dollarë shpërblim për arrestimin e Presidentit rus, Vladimir Putin, të cilin ai e konsideron kriminel lufte. Këtë shpërblim ai ua ka ofruar oficerëve rusë.

“1.000.000 dollarë oficerëve të cilët, duke e zbatuar detyrën e tyre kushtetuese, e arrestojnë Putinin si kriminel të luftës sipas ligjeve ruse dhe ndërkombëtare”, ka shkruar Konanykhin në profilin e tij në rrjetet sociale LinkedIn dhe Fejsbuk.

Postimi i Konanykhinit është hequr nga të dyja rrjetet sociale për çka biznesmeni i ka fajësuar mbështetësit e Putinit.

 

Konanykhin ka thënë se këtë shpërblim e ka ofruar me qëllim që të distancohet nga agresioni në Ukrainë. Ai ka thënë se Putini e ka shkelur Kushtetutën e Rusisë, i pengon zgjedhjet e lira dhe i vret kundërshtarët e tij politikë.

“Do të vazhdoj të ndihmoj Ukrainën në përpjekjet e saj heroike për t’i bërë ballë sulmit të Putinit”, është shprehur Konanykhin për revistën People.

Ish-bankieri rus Alex Konanykhin, 55 vjeç, është drejtor ekzekutiv i makinës softverike “TransparentBusiness” me seli në Kaliforni.

Ai ka migruar në SHBA në vitin 1992, bashkë me bashkëshorten e tij, dhe ka qenë njëri ndër shtetasit e parë rusë që kanë marrë azil politik në SHBA.  

(r.m.)