Distria Krasniqi e Driton Kuka shpallen më të mirët në botë për vitin 2021

Prishtinë, 18 shjetor 2021 – Xhudistrja kosovare Distria Krasniqi, dhe trajneri i saj, Driton Kuka, janë shpallur më të mirët në botë në kategoritë e tyre për vitin 2021, nga Federata Ndërkombëtare të Xhudos (IJF).

Distria, kampione olimpike në kategorinë deri 48 kilogramë është nderuar me çmimin “Female Judoka of the Year”, ndërsa trajneri Kuka është nderuar me çmimin “Coaching Achievment of the Year”. 

Distria është shpallur më e mira në botë në një konkurrencë shumë të fortë. Për këtë çmim ishin nominuar edhe Uta Abe e Japonisë, Anna Maria Wagner e Gjermanisë, Jessica Klimkai e Kanadasë dhe Clarisse Agbegnenou e Francës.

Gjatë prezantimit të të nominuarave, Distria është shprehur shumë e lumtur që ishte vlerësuar krahas këtyre xhudisteve. 

“Jam shumë e lumtur që jam nominuar, që jam ndër pesë më të mirat. Jam krenare me sukseset që i kam arritur. Paraqitja ime ka shkuar duke u përmirësuar gjatë këtij viti dhe ndihem shumë, shumë mirë që jam e nominuar”, ka thënë Krasniqi.

Ajo nuk e ka fshehur befasinë edhe kur është shpallur fituese.

“Nuk e kam pritur, të jem e sinqertë. Nuk e kam pritur fare. I falënderoj të gjithë ata që më kanë votuar. Kjo më motivon të jem edhe më e mirë”, ka thënë Krasniqi.

Edhe Driton Kuka është shpallur trajner i vitit në një konkurrencë shtunë të fortë. Pos tij, për këtë çmim ishin nominuar edhe austriakja Yvonne Boenisch, suedezi Robert Eriksson, japonezi Kosei Inoue dhe francezët Larbo Benboudaoud e Christophe Gagliano (si ekip).

Edhe Kuka e ka quajtur privilegj nominimin e tij përkrah trajnerëve më të mirë në botë dhe është shprehur krenar për të arriturat e xhudistëve kosovarë gjatë vitit 2021.

“Jam shumë i lumtur. Është privilegj i madh të jem në pesëshen e trajnerëve më të mirë në botë. Është shumë e rëndësishme. Secili nga ne e meritonte të shpallej më i miri. Jam me të vërtetë i lumtur që ky çmim shkon në vendin tim, në Kosovë. Është çmim për shtetin tonë të vogël dhe njerëzit e mirë të cilët i ka. E di që kemi pasur mbështetje të madhe në votim, jemi shtet i ri dhe të gjithë duan më të mirën për ne. Jam shumë i entuziazmuar për këtë çmim. Ka pasur ekipe me rezultate më të mira se Kosova, por nëse e shohim numrin e popullsisë, besoj që kemi bërë punë të mirë. Jam i lumtur dhe i emocionuar. Dëshiroj t’i uroj kolegët dhe u dëshiroj çdo të mirë në të ardhmen”, ka thënë Kuka.

Driton Kuka ka merita të jashtëzakonshme që dy xhudistet kosovare, Distria Krasniqi e Nora Gjakova, u kthyen atdhe medalje nga Lojërat Olimpike në Tokyo.

Në mesin e të nominuarve përçmimin e xhudites së vitit mund të kishte qenë edhe Nora Gjakova, gjithashtu kampione olimpike, por IJF-ja kishte vendosur për nga çdo shtet të nominohej vetëm nga një xhudist.

Ndarja e çmimeve për më të mirët në sportin e xhudos për vitin 2021, “Judo Awards 2021”, është bërë të shtunën, në një ceremoni virtuale të IJF.

Gjatë kësaj ceremonia janë ndarë edhe çmime të tjera, si: xhudisti më i mirë i vitit, Ipponi më i mirë i vitit, momenti i vitit në xhudo, ylli i së ardhmes në xhudo e të tjera.

(r.m.)

Comment

*