Distria Krasniqi: Fitoren në Olimpiadë ia dedikoj Kosovës

Tokyo, 24 korrik 2021 – Kampionja olimpike, Distria Krasniqi, pasi u stolis me medaljen e artë, tha se fitoren e saj ia dedikon Kosovës, trajnerit, ekipit dhe familjes së saj.

“Fitoren ia dedikoj vendit tim, trajnerit, ekipit që më ka ndihmuar dhe, natyrisht, familjes sime. Në momentin që fitova nuk kam besuar që do të vijë kjo ditë kaq e rëndësishme për mua,të cilën e kam ëndrruar tërë jetën”, ka thënë Krasniqi.

Ajo ka thënë se shtyrja e lojërave olimpike për një vit ia ka mundësuar të humbë peshë dhe të përgatitet më mirë për këto lojëra.

“Në fillim nuk isha shumë e lumtur. Kisha problem të hiqja peshë. Tani  që e mendoj, është më mirë për mua që lojërat u shtynë për një vit, sepse u përgatita më shumë dhe më fuqishëm”, ka thënë ajo.

Distria nuk e përjashtoi mundësinë të garojë edhe në kategorinë deri në 52 kilogramë në të ardhmen.

“Kam edhe një vit për të vendosur. Do të shohim nëse do të qëndroj në – 48 kilogramë apo në -52”, ka thënë kampionja e re olimpike.

(r.m.)

Comment

*