Dita e Falenderimeve Shqiptare

Nga Ruben Avxhiu

NEW YORK, 28 Nëntor 2019 – Sot, duhej të ishte një ditë e festës dhe e haresë në komunitetin shqiptaro-amerikan si edhe në atdheun nga kemi ardhur ne apo të parët tanë.
Për fat të keq, shkatërrimet masive, humbjet e jetëve, lëndimet, e pasoja të tjera të një seri tërmetesh në Shqipëri kanë sjellë ditë zie e kanë anulluar festat kudo.
Shumica e flamurëve të ngritur sot, në Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë dhe në Ditën e Flamurit kanë qenë në gjysëm shtizë.
Gazeta “Illyria” botoi edhe këtë vit numrin e saj të posaçëm kushtuar 28 Nëntorit, me shkrime historike e përshkrime interesante. Me kujtime personale, materiale të arkivit dhe urimet e bashkatdhetarëve. Po, interesi për numrin e përgatitur prej javësh u venit nga ngjarjet e ditëve të fundit.
I dalë nga shtypshkronja, ngjan sikur po niset drejt e në arkiv. Nuk është më gëzimi i një produkti tjetër dashuri e falenderimi për komunitetin tonë. U ngjan më shumë fatit të të gjitha festimeve të këtij viti që u planifikuan prej kohësh e u braktisën “në minutën e fundit”. Ky numër nuk është braktisur. Është punuar me kujdes për të, është botuar e do të vlerësohet sot e në të ardhmen. Vetëm se nuk pritet me gëzimin dhe padurimin e numrave të ngjashëm në vite. Që nga koha e viteve 1997-1998, kur atdheu në Ballkan kalonte periudha të rënda, nuk është parë ky errësim i periudhës festive kombëtare shqiptare.
E megjithatë kjo Ditë e Falenderimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës përkon bukur me Ditën e Flamurit, sepse nuk vjen vetëm mes zisë dhe dhimbjes për jetët e humbura e të shkatëruara, por edhe me një paradë të jashtëzakonshme solidariteti mbarëkombëtar. Në krye të punës për të ndihmuar viktimat dhe familjeve të tyre ka qenë përsëri komuniteti shqiptaro-amerikan. Ashtu si dikur për luftën në Kosovë, miliona dollarë janë dhuruar për të ndihmuar situatën. Ka qenë një përgjigje e jashtëzakonshme që duhet të na bëjë krenarë.
Një numër nismash kanë dhënë shifra të jashtëzakonshme. Sa herë ka dalë një nismë e re mund të jetë dukur sikur fushata është ezauruar e çfarë është dhënë është dhënë. E megjithatë, janë mbledhur më shumë se një milionë dollarë, në gati 24 orë, si në rastin e nismës së Marko Kepit të Rrënjëve Shqiptare me gazetarin Marin Mema.
Gazetari Frank Shkreli shkroi sot se ndonëse nuk do të jetë ditë gëzimi, nuk ka arsye që të jetë ditë dëshpërimi e pashpresë. Vërtet, kypërkim i Ditës së 28 Nëntorit me Ditën e Falenderimeve nuk ka qenë kurrë më i qëlluar se kaq. Faleminderit shqiptarëve në mbarë botën që ditën të dëshmojnë edhe një herë në fatkeqësi se janë një komb i vetëm, të bashkuar e në krah të njëri-tjetrit. Solidariteti njerëzor ka mposhtur fatkeqësinë natyrore, ndarjet e kufijve, largësinë gjeografike, dasitë tona të përditshme.
Mund të mos jetë ditë feste, po ky 28 Nëntor do të jetë përsëri, një ditë krenarie.
Dua ta mbyll me një falenderim për fotografin e artistin Alex Selimaj për imazhin e fotografisë së faqes së parë të këtij numri vjetor, Florinda Kajtazi, bukurisë shqiptaro-amerikane, e cila fitoi konkursin Miss New York 2019, mes qindra në mos mijëra konkurrenteve nga i gjithë shteti. Ajo shfaqet në këtë fotografi me një dinjitet të vetpërmbajtur, ashtu si mund të festojë njeriu në ditë zie. Ndonëse veprimtaria nga është marrë fotografia ka ndodhur përpara lajmeve tragjike të tërmetit, rastësia e ka bërë këtë një gjetje të jashtëzakonshme për këtë 28 Nëntor.
Vitin që vjen ardhtë kjo ditë me të gjithë gëzimin dhe harenë që mungoi në 2019!