Do të na mungojë në Zërin e Amerikës

Ilir Ikonomi

Ilir Ikonomi, një nga gazetarët më të mirë shqiptarë ka dalë në pension pas tre dekadash në Seksionin Shqip të Zërit të Amerikës.

I shpreh me këtë rast mirënjohjen time për punën e tij të palodhur në shërbim të komunitetit shqiptaro-amerikan. Si gazetar ka ndihmuar që të njihet e vlerësohet puna e komunitetit tonë në shërbim të Çështjes Shqiptare këtu në SHBA. Mirëpo, gjatë gjithë karrierës së tij ka dëshmuar një profesionalizëm dhe përkushtim për t’u marrë shembull.

Shërbimi i Gjuhës Shqipe në Zërin e Amerikës ka një rëndësi të madhe për ne. E dinë më së miri, shqiptarët në atdhe, të cilët kanë jetuar në regjime shtypëse dhe e kanë dëgjuar emisionet e këtij program me shpresën dhe dëshirën e pavdekshme për liri.

Përveç punës në Zërin e Amerikës, Ilir Ikonomi ka shkruar libra dhe ka eksploruar tema të rëndësishme të historisë sonë kombëtare.

Do të na mungojë që këtej e tutje në Zërin e Amerikës, por i uroj Ilirit dhe familjes së tij shëndet e lumturi në kapitullin e ri që po fillon në jetë.

Harry Bajraktari