Doktori poet që shëron edhe me mjaltin e metaforave

Kambanë malet e mi/ U bie Vjosa gjuhë me trille/ Kumbimi i saj më vjen në vesh, muzikë Perëndie/ Dhe kur jam larg, më josh, më grish, për ty vendlindje.

Nga Keze Kozeta Zylo

Kam kohë dhe vite që i lexoj poezitë e Doktorit shkrimtar Çerçiz Myftarit, të cilat më vinë pranë si ca dallgë të çuditshme Vjose dhe bëhen metafora lulesh në Atdheun tim të dytë, Amerikë.  Lexuesit dhe pacientët e shumtë flasin fjalë miradie për doktorin tepelenas Çerçiz Myftari.  Çfarë binomi i magjishëm është të jesh dhe doktor dhe poet, pasi i përdor bukur paralel dhe bisturinë dhe metaforën.  Të dyja janë ilaçe çudibërëse nëse i përdor në metodën më të epërme mjekësore dhe letrare.  Doktori poet shkruan: Gjithë jetën në alarm për shëndetin e njerëzve.  Ai flet dhe dëshmon nga lartësitë e viteve të moshës 83.  Me të drejtë studjuesi i shquar Prof. Dr. Bardhosh Gaçe shkruan: Doktori i talentuar ka udhëuar pergjatë dekadave duke shpërndarë tek të tjerët humanizëm dhe dashuri të spikatura pa interesa vetjake meskine, por fjala e urtë në buzët e tij, ka qenë përherë e çelur si trëndelinë Dragoti dhe Labërie.

Ai vjen nga Dragoti i Tepelenës, një fshat nga më piktoreskët shqiptarë ndërtuar buzë Vjosës, lumit më të egër në Europë.  Të lindësh atje e pamundur mos të behesh poet, pasi ke malet midis, dy urat e famshme e Dragotit dhe e Beçishtit të Tepelenës ku Vjosa here është e qetë dhe here shkumëzon duke të lbyrë sytë nga ngjyrat e saj magjepsëse.  Dhe ja si shkruan: Një degë peme më pret dhe më përcjell/ la zogjtë dhe këngën e gjethit/ dhe dega e pemës më priti tek djepi/ kur u rrita e bëra parmendë/ Cylë dyjare e mbusha me këngë. 

Doktori është si kali flutures pegasian herë tek pacientët e herë me buzë tek metafora e pacientëve lexues.  Ai është si një pemë e mbushur me zogj vendi dhe shtegtarë si në poezinë “Pema ecën”.  Pema ecën me gishta rrënje/ Me farën në sqepat e zogjve/ Me shungullima ere/ Në fëmijëri unë bëja garë/ Sa zbrisja nga maja/ Një degë peme shaloja si kalë. 

Pena e tij përjetëson detaje nga mjekësia deri dhe kthim të njerëzve përsëri në jetë.  Në poezinë“Vajza që takon me buzë” doktori poet sjellë kirurgun e mirënjohur dhe shumë të dashur të ndjerin Kafaz Xhuveli i cili operoi adoeleshenten nga Turani i Tepelenës me krahët e prera nga makina korrëse.  Ajo vuri proteza në Rumani për krahët dhe kur u kthye takoi me buzë Dr. Kafazin.  Kjo poezi tejet e ndjerë me metaforën e dhimbjes dhe të bukurisësë pashoqe flet qarte për humanizmin e dy mjekëve që shërbyen me zemër dhe shpirt dhe pse në kushte tejet të vështira.  Mbi gishtëza të këmbëve, vajza hënëz/ Kirurgut si kulpër i ngjitet në trup/ Gjinjtë hepon me trokthin e zemrës, Qershizat e buzëve zgjat ta puth/ Lotët e tij rrokullisen faqes/ Farfurijnënë mëngët e saj pa krahë/ Kavaviren protezat e shkasin qafës/ Guri pikëllimit zemrës më ra!

Me çfarë bukurie të fjalës e ka përshkruar vashëzen shqiptare duke i vendosur epitetin Vajza Hënëz…

Doktori poet përcjell edhe dhimbjet familjare që kanë qenë tragjike dhe fatale në sytë e tij, pra gjithmonë në alarm, alarm mjekësor për shëndetin.  Ai kujton motrën e tij Dallëndyshen e cila u mbyt në Vjosë duke lënë pas 8 fëmijë jetim.  Duke lexuar këtë poezi tejet të dhimbshme dhe tragjike në mendje më endeshin se sa shumë djem nënash kur laheshin ka rrëmbyer Vjosa në gjirin e saj, pasi Mezhgorani im, Dragoti, Beçishti kanë Vjosën të përbashkët dhe janë ngritur pranë malit Shëndëllila, në malin e shenjtë…  Lumi ulkonjë të kafshon gjunjët/ Ti lëshon ca pika qumëht/ Një dallgë Vjose hingëllin si kalë/ Vello të hedh shkumën e bardhë/ Vijnë vajzat të puthin me ngjutje/ Ndalo!  Mos u mashtro moj Dallëndyshe.  Gjashtë vajzat presin bëhen nuse/ Tetë zëra fëmijësh zhyten palombarë/ Ne sytë tek rrjedha e Vjosës i lamë/ Po ti s’po dukesh/ Mos shtegtove me tufë dallëndyshes?…

Dhe këtu Vjosa më duket si një Poseidon, sepse metaforat janë subtile, të magjishme, delikate me plagë malli vëllazëror.

E pamundur një mjek i vërtetë në Shqipëri në kohën tonë të mos kishte një trokitje në natë.  Këtë më kujtoi poezia “Një trokitje në derën e apartamentit tim”. 

Doktori gjithmonë ka qenë në alarm si në këo vargje: Trokitje në derë, të pandëprera, të forta…/ Boria e alarmit më thërret mua/ Në jam në gjumë, brof/ në jam duke ngrënë/ lë lugën në pjatë/ Ndodh të jem duke shkruar, stilolapsin e flakë…/ T’i jap të sëmurit ndihmën e parë. 

Duke lexuar me shumë kënaqësi dhe një vemendje ë posaçme guxoj të them se

Dr. Myftari të kujton shkrimtarin e famshëm botëror rus Anton Cehovin i cili u diplomua në Universitetin e Parë Shtetëror të Mjekësisë në Moskë I.M. Sechenov dhe duke u bërë mjek i kualifikuar në 1884.  Çehovi konsiderohet si një nga krijuesit e tregimit të shkurtër modern, si dhe i teatrit modern duke sjellë magjishëm me detaje nga jeta e tij.

Si mjek shkrimtari Myftari ka përjetuar dhimbshëm Luftën e Kosovës duke iu shëbyer fëmijëve shqiptarë të Kosovës.  Ai dëshmon genocidin si në poezinë: Në sytë e fëmijëve kosovarë”.  Bashke me uturimat e avionëve të NATO-s hynin tek dera/ nëna të ngarkuara me foshnja/ dhe pluhurin e vendlindjes/ në këmbët e zhvokshura/ Me shpirtin tim të drithëruar, ata që i zbuan mallkoja/ Fëmijët e sëmurë vizitoja/ Ç’ kishin ca sy të kaltër/ Brenda notonte dhimbja/ Me pak ledhe/ lëshonin vështrime të ëmbla.

Ai tregon se kur punonte në spital pothuajse një jetë nëTiranë si mjek i përgjithshëm, pediatër, Epidemiolog etj, kishte takuar shkrimtarin novelistin e shquar alias Dhimitër Pasko, Mitrush Kuteli i cili ishte shtruar nga tensioni i lartë i gjakut, (Morbus Hypertonicus).  Ai e thirri një ditë në dhomën e tij ku kishte librin e Tolstoit për ta përkthyer, romanin “Rruga e mundimeve”.  Unë kishja dorëzuar ne redaksinë ku punonte, novelën time.  Ai nxorri fletoren e shënimeve dhe më tregoi gabimet që kishja bërë, pamvarësisht se u skuqa gjer tek veshët, une kuptova se sa fort kishte ndikuar në jetën time, se letërsia artistike fillon në përdorimin e fjalës së epëme, eleganca, përzgjedhja.

`           Por le të hidhemi përsëri tek poezia e tij që janë plot mesazhe mjeku si tek: “Kur pi raki”.  Rakia kur pi, më gudulis/ dhimbjet m’i arratis/ Në kurth nuk rashë/ pi raki me rast.

Një vend të veçantë zë dhe plaga e kurbetit, një plagë që ka zënë kore ne shekuj dhe mjerisht vazhdon dhunshëm dhe në ditët e sotme.  S’besoj të ketë familje shqiptare pa njerëz te larguar nga familja e tyre, çka flet për mjerimin e pllakosur kudo. Në poezinë “Në oazin e vetmisë” doktori shkruan: Ah, moj varfëri/ Ti m’i zbove fëmijët, vëllain, mbesat, nipërit, kushërinjtë? Apo ju o zogj, u mësuat shetegetime pa cak/ Kam mbetur në oazin e vetmisë/ Durimin kam për target/ Tek direku i shpresës mbahem fort/ Ndoshta fitojnë ca lekë/ e kthehen prapë/ Ejani/ Mos më lini vetminë të më mbysë/ dhe varri të më humbasë/

Si emigrante poete e lexoj dhe mbytem në lotët e vetmise per këtë dramë që ka pllakosur kudo ndër pragjet tona atje…  Sa prindër pleq varrosen në vetmi, sa prindër pleq jetojnë në oazin e vetmisë siç shkruan metaforikisht autori mjek.

Autori vjen nga fshati Dragot me njerëz të famshëm si Stan Dragoti regjisori i shquar hollivudian.  Familja e tij është autoktone dragotase me shtëpia dykatëshe, me mulli, pusi, vija e ujit, muret rrethuese të kopshtijeve, ullinjtë etj, ku kam pasur fatin t’i vizitoj si TV “Alba Life”, NY.

Asllani babai i tij mbaroi studimet në gjimnazin “Zosimea” të Janinës.

Ne vitin 1913 vdes i ati (Sakoja), dhe në vitin 1914, mbasi kthehet në vendin e lindjes, emigron me dy bashkëfshatarë në SHBA.

Një nga arsyet e emigrimit në moshë të vogël është djegia e shtëpive dhe prishja e pronave nga masakrat greke në Jug (1913-1914).

Asllani babai i Stan Dragoti hyri në Federaten Panshqiptare “Vatra”, në Boston ku, për aktivitete të rëndësishme patriotike, zgjidhet ndër zyrtarët e saj së bashku me Faik Konicën (6 korrik 1924) Vjen aty edhe i vëllai Miftari, i cili merr pjeë aktive në shoqerinë “Vatra”.

Merr pjese ne demostratën kundër synimeve shoviniste greke në Jug tëShqipërisë në tetor 1946.

Dhe për këto kontribute të vyera kombëtare autori frymëzohet dhe i kushton një poezi regjisorit holluvudian Sten Dragoti si: “Vjen Sten Dragoti” Cipë e mjegullës/ dhe vesa që bie, si loti i mallit/ mbajnë fshehur helikopterin që uturin, brenda syrit qiellit Dragotit/ mes dy malesh, me ullinj e portokalle/ Dhe me Vjosën nazemadhe/ Zog u bë helikopteri/ Ulet, ngrihet/ Pas reve fshihet? Zëra nga celulari/ Nuk ulemi dot/ Ju presim në Gjirokastër/ Nxiton grupi riosh me taksi/ t’i dhurojnë dashurinë tonë/ dhe tufën e luleve të çelura ne në oborre e saksi/ nga duartë e nënave të vendlindjes të të Atit.   

Autori është një urtan i fjalës, i bukurisë shpirtërore, i muzës, perëndeshës së frymëzimit dhe bëhet bilbil gjyzar për lexuesit e shumtë.  

Doktori Poet mjekon dhe shëron dhe me mjaltin e metaforave të letërsisë së epërme.

25 nëntor, 2022

Staten Island, New York