“Dokumentet e Pandorës” dhe korrupsioni në Shqipëri

Nga Ruben Avxhiu

Qindra politikanë nga 90 shtete të lidhur me korrupsionin. Një ortek masiv dokumentesh të zbuluara nga parajsat fiskale, ku politikanë e biznesmenë të korruptuar fshehin pasuritë e tyre është zbuluar nga OCCRP.

I njëjti rrjet gazetarësh që solli Dokumentet e Panamasë (Panama Papers) tani ka zbuluar “Kutinë e Pandorës”. “Dokumentet e Pandorës” janë zbulimi më i madh në histori i të dhënave sekrete nga parajsat fiskale. Ato përmbajnë 12 milionë skedare (2.94 tetra bajt), fryt i një pune që ka përfshirë mbi 600 gazetarë nga 117 vende.

Janë botuar për momentin vetëm disa nga zbulimet më të bujshme që u nxjerrin bojën figurave të njohura: një njeri i afërt i Vladimir Putinit, ish-kryeministri Tony Blair, kryeministri i Çekosllovakisë etj. Më afër rajonit tonë është ish-kryebashkiaku i Beogradit Sinisha Mali që ka blerë fshehtas 24 apartamente etj.

Një vështrim i shpejtë i hartës së botës, duket se ka një politikan në listë edhe nga Shqipëria. (Gjithashtu 13 kompani të lidhura me Shqipërinë, 2 me Maqedoninë e Veriut, 123 me Serbinë, 0 me Kosovën)

Sigurisht Shqipëria ka shumë politikanë të tillë, por është e vogël e hajdutët tanë janë shpesh peshq relativisht të vegjël në planin global. Problemi tjetër për ne shqiptarët është se ndërsa krimi e mëkati në këtë rast janë shpesh ndërkombëtarë, ndëshkimi i tyre mund të bëhet vetëm në planin kombëtar. Nëse Shqipëria vetë nuk ka një sistem drejtësie që ka ambicjen për të përndjekur ata që ekspozohen nga gazetaria hetuese, atëhere këto zbulime nuk kanë ndonjë vlerë të madhe.

Shqiptarët janë shpesh kavalierë me korrupsionin, të prirur të falin abuzuesit e tyre, e madje në disa raste e shohin ndjekjen nga ligji si persekutim të padrejtë. Ky mentalitet që ka pasur pasoja të tmerrshme për shqiptarët në këto 30 vitet e fundit, do të kërkojë një brez të ri më idealist e më aktivist për të ndryshuar.

Sot, ndërsa nga një anë, bota është e madhe për të korruptuar që duan të fshehin paratë e tyre, nga ana tjetër ajo po bëhet gjithnjë e më e vogël për shkak të një interesi në rritje për të gjurmuar korrupsionin që kapërcen tani lehtësisht kufijtë e një shteti. Ndoshta edhe po të ngurrojë Shqipëria rritja e interesit ndërkombëtar për t’u përballur me këtë dukuri do ta përfshijë edhe botën shqiptare. Ngulmimi amerikan për një reformë drejtësie në Shqipëri është një nga sinjalet më të qarta të kësaj prirjeje të re.

Comment

*