Doli nga shtypi libri “Gjeopolitikat antishqiptare” i Hivzi Islamit dhe Arsim Ejupit

Prishtinë, 13 nëntor 2021 – Këto ditë dol inga shtypi libri “Gjeopolitikat antishqiptare” i Akademik Hivzi Islamit dhe Prof.Dr Arsim Ejupit, botuar nga shtëpia botuese “Klubi i poezisë” nga Tirana.

Në këtë libër me karakter të mirëfilltë studimor trajtohen aspiratat dhe  projektet ekspansioniste të disa shteteve të Ballkanit, sidomos ato të Serbisë, për shtrirje në territoret shqiptare.

Në pjesën e parë të librit prezantohen projektet hegjemoniste serbe dhe spastrimet etnike të shqiptarëve që kishin qëllim realizimin e projekteve për shtritjen e Serbisë në rajon, në veçanti në truallin gjeoetnik shqiptar. Autorët sjellin argumente të shumta se projektet ekspansioniste serbe, prej më të parave e deri në ditët e sotme, ideuar e hartuar nga institucionet më të larta shkencore, kulturore dhe fetare serbe, kanë qenë dhe mbeten platformë e politikave zyrtare shtetërore në Serbi. Por, këtu vihet në pah edhe toleranca e fuqive të mëdha të Evropës ndaj projekteve serbe për shtrirje në territoret shqiptare.

Në pjesën e dytë trajtohen në mënyrë analitike e shkencore projektet infrastrukturore që do t’ia mundësonin Serbisë daljen në Detin Adriatik, përmes posrteve të Durrësit dhe Shëngjinit. Autorët sjellin argumente të shumta për ëndrrën serbe për dalje në det. Ndër të tjera, ata sjellin për herë të parë në gjuhën shqipe punimin e gjeografit e etnologut Jovan Cvijiq “Dalja e Serbisë në Detin Adriatik” të vitit 1912, idetë e të cilit u afirmuan edhe në projektet e mëvonshme serbe për dalje në bregdetin shqiptar.

Në pjesën e tretë të librit, shqyrtojnë problematikën shumë komplekse e kufirit të Kosovës me vendet fqinje, në ditët e sotme. Në këtë pjesë trajtohen edhe idetë për ndryshim të kufijve midis Kosovës e Serbisë. Autorët dokumentojnë se këto ide që sot formulohen si “korrigjim i kufirit” ose si “shkëmbim territoresh” janë ide të kahmotshme serbe që kanë synim zgjerimin territorial të Serbisë. Ata tërheqin vërejtjen se kjo ide është përpjekje e Serbisë për zhbërjen e shtetit të Kosovës dhe copëtimin e territorit të saj dhe mbajnë qëndrim shumë kritikë ndaj politikanëve shqiptarë që e kanë përkrahur këtë ide të vjetër serbe .

Libri “Gjeopolitikat antishqiptare” sjell dokumente, harta dhe referenca të shumta për materien e këtij studimi, me interes të veçantë, si për studiuesit ashtu edhe për politikbërësit.

Libri pritet të promovohet në Pairin e Librit në Tiranë, që mbahet prej 17 deri më 21 nëntor.   

This image has an empty alt attribute; its file name is Kopertina-e-librit-Gjeopolitikat-antishqiptare-1.jpg

Autorët për librin:

Në këtë studim shqyrtohen rrethanat gjeopolitike në rajonin e Gadishullit Ballkanik dhe manifestimet e tyre në hapësirën gjeoetnike shqiptare. Ballkani i cilësuar si “fuçi baruti” për një kohë të gjatë, sa i përket kufijve të “vizatuar” me dhunë dhe copëtimeve të njëpasnjëshme, eksperiencat më të hidhura i kanë shqiptarët. Pozita e rëndësishme gjeokomunikative, veçoritë e ndërlikuara etniko-demografike, ambiciet ekspansioniste të disa shteteve në rajon, para së gjithash të Serbisë, dhe ndikimet e fuqive të mëdha, kanë qenë përcaktuesit kryesorë të fatit historik për popujt e Ballkanit e në veçanti për shqiptarët. Historia e vonë dhe e re e rajonit veçohet me zhvillime të vrullshme gjeopolitike, çfarë janë konfliktet dhe luftërat, shpërnguljet e dhunshme dhe spastrimet etnike, zgjerimet territoriale dhe ndryshimet e rivizatimet e hartës politike të rajonit. Nga këto rrethana të ndërlikuara gjeopolitike më së shumti u godit kombi shqiptar në gjithë gjeotrungun e tij. Mirëpo, korrigjimi i padrejtësive historike nuk mund të bëhet pa dhunë, spastrime etnike dhe luftëra të përgjakshme. Kjo u pa në rastin e agresivitetit hegjemonist serb gjatë viteve të 90-ta të shek. XX.

Në kuadër të “Shqyrtimeve hyrëse” trajtohen konceptet themelore të gjeografisë politike dhe të gjeopolitikës. Sidomos vihet theksi te ky i fundit, i cili është një nga nocionet më kundërthënëse dhe të kontestuara profesionale-shkencore që, jo rrallëherë, madje edhe nga profesionistët nuk përdoret drejt. Ka të tillë që mendojnë se gjeografia politike dhe gjeopolitika nënkuptojnë thjeshtë të njëjtën gjë, ndërkaq ka të tjerë që thonë se gjeopolitika është “gjeografi politike aplikative” ose “versioni propagandistik i gjeografisë politike”. Përdorimi i nocionit “gjeo-politikë” është në radhë të parë rezultat i “Luftës së Ftohtë” dhe të gjitha proceseve politike që i kanë karakterizuar marrëdhëniet ndërkombëtare pas Luftës II Botërore.

Në pjesën e parë prezantohen “Projektet hegjemoniste serbe dhe spastrimet etnike të shqiptarëve”, të cilat ishin në shërbim të realizimit të ambicieve territoriale të Serbisë ndaj fqinjëve të saj dhe në veçanti ndaj truallit gjeoetnik shqiptar. Të udhëhequra nga institucionet më të larta shkencore, kulturore dhe fetare ato ishin bërë pjesë e politikave zyrtare shtetërore. “Naçertania” e Ilija Garashaninit (1844), kolonizimi dhe reforma agrare, projektet gjenocidale në fillim të shek. XX e deri te “Memorandumi” i Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve (1986) dëshmojnë për koncepcionin dhe synimet afatgjata të qarqeve politike, akademike, kulturore dhe fetare serbe për zgjerimin territorial të Serbisë, e cila këto ndërmarrje i arsyetonte me nevojën për zgjerimin e “hapësirës jetësore” për popullin serb. Ky koncepcion përputhet me nocionin Lebensraumm – shqip: hapësira jetësore, të cilin e kishte futur në përdorim Friedrich Ratzel (1897), që konsiderohet si themelues i gjeografisë politike. Mirëpo, në rastin e Serbisë ky koncept kishte shërbyer si motiv kryesor për pushtimet territoriale, ngjashëm me ato të Gjermanisë naziste për të siguruar hapësirë më të madhe jetësore dhe resurse natyrore për popullin e vet, andaj nuk mund të trajtohen ndryshe përveç si ndërmarrje hegjemoniste me premisa fashiste.

Në këtë pjesë trajtohet çështja e Kosovës si nyja më komplekse neogjeopolitike në Ballkan dhe Evropë. Brenda kësaj teme trajtohet roli me hile i Evropës, e cila në përpjekjet për dominim dhe duke mos e kuptuar realitetin politik nuk ka arritur t’i zgjidhë problemet në truallin e vet dhe sidomos në Gadishullin Ballkanik. Rezultat i kësaj qasje jokonsekuente është shkatërrimi i Jugosllavisë, i cili përfundon me luftën e Kosovës dhe intervenimin e bashkësisë ndërkombëtare (1999), kurse përgjatë procesit të shpërbërjes së kësaj krijese gjeopolitike artificiale zhvillohen luftëra, të cilat shkaktojnë humbje të shumta në njerëz, shkatër rime masive materiale, shpërngulje të dhunshme të popullatave, spastrime etnike dhe gjenocid. Segregacioni, krimet, okupimi i Kosovës dhe kërkesat e lëvizjes politike shqiptare, politikat dhe ndërmarrjet serbe për kolonizimin dhe përndjekjen e shqiptarëve, intensifikimi i veprimeve gjenocidale ndaj shqiptarëve, janë disa nga problemet që shtjellohen brenda kësaj pjese përmes të cilave bëhet e qartë çështja komplekse gjeopolitike e Kosovës dhe rrugëtimi i saj i vështirë deri te çlirimi në vitin 1999 dhe shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

Në pjesën e dytë “Gjeopolitikat ekspansioniste: aspiratat shekullore serbe për dalje në det përmes uzurpimit të territoreve shqiptare” bëhet një vështrim kritik dhe analitik-shkencor i projekteve të planifikuara infrastrukturore, çfarë janë rrugët hekurudhore dhe kanalet ujore që shpërfaqin etjet e Serbisë, e cila tenton të mënjanojë hendikepin e të qenit shtet kontinental (land-locked country) dhe të realizojë ëndrrat shekullore për dalje në det. Dalja e Serbisë në portet e Durrësit dhe Shëngjinit përmes hekurudhave, apo edhe projekti i shtrenjtë dhe vështirë i realizueshëm i kanalit ujor Morava-Vardar përmes të cilit Serbia do të siguronte dalje në portin e Selanikut ishin planifikuar të kalojnë nëpër territoret etnike shqiptare.

Këto projekte janë punuar dhe nga ekipe të ekspertëve serbë dhe të huaj, por që ideatorë të tyre kanë qenë institucionet më të larta shkencore dhe akademike serbe, me shkencëtarë të njohur të kohës, çfarë ishte J. Cvijiqi (1865-1927), i cili edhe në qarqe evropiane në fillim të shek. XX konsiderohej si një ndër njohësit më të mirë të Gadishullit Ballkanik, të strukturës së tij fizike, shpirtërore dhe shoqërore. Artikulli i tij i vitit 1912 me titull “Dalja e Serbisë në Detin Adriatik”, i botuar në “Glasnik Srpskog Geografskog Društva” do të shërbejë si pikënisje për përpilimin e disa projekt-ideve në vazhdim për daljen e Serbisë në det, të cilat i arsyeton me domosdoshmërinë për zgjerimin e “hapësirës jetësore” përkundër faktit që argumentet etniko-demografike nuk ishin në anën e tyre, por do të realizoheshin në dëm të shqiptarëve dhe trungut të tyre gjeoetnik. Në këtë pjesë trajtohen edhe qëndrimet e Ivo Andriqi (1892-1975) dhe veprimtaria e tij në shërbim të politikave hegjemoniste serbe. Ai e hartoi elaboratin special (1939), ku shtjellon idenë e kahmotshme ekspansioniste të Serbisë për dalje në detin Adriatik, madje edhe me hekurudhë, identike me idenë e Cvijiqit të vitit 1912. Andriqi angazhohej për ndarjen e Shqipërisë midis Jugosllavisë dhe Italisë dhe në këtë kontekst edhe të okupimit të Shqipërisë së Veriut. Midis tjerash, në elaborat theksonte: “Lugina e Drinit dhe Shkodra përbëjnë një tërësi gjeografike me Malin e Zi dhe viset kufitare të Serbisë”.

Për shkak të rëndësisë që ka pasur në kohën kur është publikuar, por edhe për aktualitetin gjeopolitik, në këtë botim për herë të parë autorët e sjellin të përkthyer në gjuhën shqipe punimin e Cvijiqit me titull “Dalja e Serbisë në Detin Adriatik”.

Gjithashtu brenda kësaj pjese është shtjelluar hollësisht ideja për ndërtimin e kanalit ujor Morava-Vardar, nga paraqitja e saj dhe akterët e përfshirë e deri te riaktualizimi në kohët e fundit, benefitet ekonomike, sociale dhe mjedisore, por edhe pasojat afatgjata të kostos së lartë financiare (qindramilionëshe); janë pasqyruar edhe qasjet realiste dhe pragmatike për ndërtimin e kanalit etj.

Në pjesën e tretë “Kufijtë e Kosovës me fqinjët” shqyrtohet problematika shumë komplekse e kufirit të Kosovës me vendet fqinje, procesi i demarkimit të kufirit të Kosovës me Malin e Zi, instrumentalizimi i shkencës dhe vënia e saj në shërbim të qarqeve politike dhe parapolitike me të vetmin qëllim për t’i shndërruar ato në kauza politike në kuadër të luftës së egër për pushtet.

Dhe në fund, për të përmbyllur harkun kohor më shumë se njëshekullor të zhvillimeve të vrullshme gjeopolitike në Ballkan dhe në veçanti në trojet shqiptare, në këtë pjesë flitet për “korrigjimin e kufirit” Kosovë-Serbi dhe idetë e reja (të vjetra) për shkëmbimin e territoreve dhe popullatave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat si projekte dhe ide i takojnë mendësisë së shekullit të kaluar të Serbisë hegjemoniste dhe të gjitha janë në kundërshtim të plotë me realitetin dhe rrezikojnë zhbërjen e shtetit të ri të Kosovës dhe integritetin territorial të tij. Mjerisht, në këto vitet e fundit në këtë lojë të Presidentit të Serbisë, A. Vuçiq, janë implikuar fuqimisht ish-Presidenti i Kosovës, H. Thaçi për t’i ikur drejtësisë ndërkombëtare (Gjykatës së Hagës), dhe Kryeministri i Shqipërisë, E. Rama për ta penguar funksionimin e shtetit të ri të Kosovës dhe cenimin e integritetit territorial të tij. Në këtë angazhim, Thaçi dhe Rama gjithnjë kishin mbështetjen e disa qarqeve të huaja me ndikim politik dhe financiar, por edhe qarqeve të tjera ndërkombëtare antishqiptare!

Ky libër studimor është rezultat i punës shumëvjeçare të autorëve. Sa është arritur në përmbushjen e objektivave dhe pritshmërive, mbetet të gjykojë opinioni profesional dhe opinioni i gjerë lexues. Autorët i mirëpresin vërejtjet dhe sugjerimet konstruktive dhe dobiprurëse.

(r.m.)

Comment

*