Donald Trump shtron darkë për iftar, Vlora Çitaku në krah të tij

Nga Ruben Avxhiu

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, shtroi mbrëmë një darkë Iftari, në të cilën ishin ftuar ambasadorë e diplomatë nga vende me shumicë myslimane.

Një vend kyç, në krah të Presidentit Trump, ishte rezervuar për ambasadoren e Kosovës, Vlora Çitaku.

“Është një privilegj i madh”, tha Presidenti Trump që po e shtronte këtë darkë tradicionale, që shënon fundin e agjërimit ditor, gjatë Ramazanit, muajit të shenjtë në botën myslimane që lëviz sipas kalendarit hënor.

Presidenti Trump vlerësoi Ramazanin si “një periudhë bamirësie, dhurimi dhe shërbimi për bashkëqytetarët tanë”, si dhe një kohë që i afron më pranë njëri-tjetrit familjet e komunitetet.

Në darkë, si përmendi në shënimin e saj edhe ambasadorja Çitaku, ishin të pranishëm zyrtarë të lartë të administratës amerikane, zv presidenti Pence, sekretari i Mbrojtjes Shanahan, sekretari i Thesarit Mnuchin, ambasadorë etj.

“Pata nderin dhe kënaqësinë e veçantë që në darkën e iftarit të shtruar në Shtëpinë e Bardhë të isha e ulur përkrah Presidentit të Shteteve të Bashkura të Amerikës, Z. Donald J. Trump”, shkroi në rrjetin shoqëror Facebook, Ambasadorja e Kosovës në Washington.

“Presidentit Trump i tregova se në shtetin tonë sekular, ka një kulturë tolerance dhe harmoni ndërmjet religjioneve”, shkroi ambasadorja Çitaku.

“Po ashtu, e njoftova në detaje mbi sfidat me të cilat ballafaqohemi aktualisht në Kosovë dhe biseduam mbi domosdoshmërinë e përfshirjes së drejtpërdrejtë të SHBA-ve në proceset e rëndësishme nëpër të cilat po kalon shteti ynë i ri”.

SHBA ka qenë mbështetësja kryesore e Kosovës, në rrugën e saj drejt lirisë dhe pavarësisë dhe ka ndikuar shumë që shteti i ri të njihet nëpër botë. Marrëdhëniet janë ndërlikuar disi kohët e fundit, për shkak të refuzimit nga Kosova për të hequr një taksë totale mbi mallrat që hyjnë nga Serbia, si dhe për shkak të mbështetjes së tërthortë të SHBA-së për një pakt historik mes Kosovës dhe Serbisë, që edhe mund të përfshijë një shkëmbim territoresh ose lëvizje kufiri.

Ideja e ndryshimit të kufirit është kritikuar nga ish-diplomatë amerikanë të administratave demokrate si dhe nga disa kancelari europiane e studjues të njohur. Nga ana tjetër, kërkesa për heqjen e taksës është gati universale.
Vlora Çitaku, e cila ka shërbyer dikur edhe si ministre e Jashtme në Detyrë, është treguar si një nga diplomatet më të afta dhe më të suksesshme të shtetit të ri.

Presidenti Donald Trump është akuzuar shpesh për nxitje stereotipesh në mos edhe urrejtjeje ndaj myslimanëve. Në fakt, në punën e tij si President, ai ka pasur një histori të përzierë. Ka forcuar marrëdhëniet me disa vende myslimane si Arabia Saudite dhe Egjipti, ka ndërlikuar disi ato me Turqinë (jo vetëm për shkak të tij), si dhe ka përkeqësuar ato me vende si Irani apo edhe me Autoritetin Palestinez.

Ai ndaloi hyrjen në SHBA të qytetarëve nga shtatë vende me shumicë myslimane. Duke hedhur poshtë akuzat për diskriminim fetar, ai ka nënvizuar se vendimi ka qenë vijim i politikave të Presidentit Obama dhe se ka të bëjë me gjendjen në këto vende e jo me përkatësinë fetare të shumicës së popullsive të tyre.

Darka e Iftarit që shtroi dje ishte për të dytin vit radhazi. Në vitin e parë, ai u bë presidenti i parë amerikan që e theu traditën e nisur nga Presidenti Bill Clinton.

Duke folur përpara miqve të ftuar, ai shprehu keqardhjen për shtimin e sulmeve ndaj njerëzve të fesë në kohën tonë, duke përmendur rastet e sulmeve terroriste kundër myslimanëve, të krishterëve dhe hebrejve në Zelandën e Re, Sri Lanka dhe Shtetet e Bashkuara.

“Jemi të vendosur t’i mposhtim dukuritë e këqia si terrorizmi dhe persekutimi fetar”, tha ai, “në mënyrë që të gjithë njerëzit të mund të praktikojnë fenë pa frikë, të luten të parrezikuar, dhe të jetojnë sipas fesë që beojnë në zemrat e tyre”.