Dr. Rifat Latifi: Rindërtimi i kujdesit shëndetësor bëhet përmes Telemjekësisë

Kryetari i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, Prof. Dr. Rifat Latifi, po merr pjesë në konferencën ndërkombëtare me temë “Transformimi i Kujdesit Shëndetësor përmes IT”, që po mbahet në New Delhi të Indisë.

Në këtë konferencë, Dr. Latifi, i cili është edhe njëri nga folësit kryesor, prezantoj punën, sukseset dhe ndikimin e programit të Telemjekësisë së Kosovës, në nivelin ndërkombëtar, duke përfshirë kontributin e drejtpërdrejtë të rindërtimit të sistemeve të kujdesit shëndetësor, fillimisht përmes Telemjekësisë në Kosovë, duke vazhduar në Shqipëri, Kabo Verde dhe vendeve të tjera, siç është edhe Vietnamin.

Programi i Telemjekësisë në Kosovës, ka qenë i pari i këtij lloji, të cilin Dr. Latifi e ka funksionalizuar në vitin 2002, dhe njëkohësisht  shpërndarë në tri kontinente të tjera të botës.

Për më tepër, duhet theksuar se dr. Latifi në prezantimin e tij, në këtë konferencë, theksoi edhe kontributin e veçantë të Telemjekësisë së Kosovës në botë, në mënyra të ndryshme, të udhëhequr nga vet ai dhe ekipi profesional.

‘Programi i Telemjekësisë së Kosovës, ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në botë në forma të ndryshme shkencore, në mënyrë specifike, dua ti përmendi kontributet shkencore me artikuj, libra dhe kapituj të librave të shkruar nga ekipi i Telemjekësisë së Kosovës, të cilin e kam drejtuar dhe udhëhequr vet’, tha mes tjerash në prezantimin e tij Dr. Latifi.

Sa i përket kësaj teme, ka pasur interesim të madh të të pranishmëve për aspektin programor dhe klinik të Telemjekësisë, të përshkruar nga Dr. Latifi.

Megjithatë, paneli i përbërë nga përfaqësues të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, Izraelit, Indisë dhe nga Dr. Latifi, iu përgjigjën pyetjeve dhe komenteve të audiencës.

Në veçanti, u diskutua edhe për rolin e inteligjencës artificiale në kujdesin shëndetësor.