DRAMA E KONGRESIT TË LUSHNJËS DHE LETRA PRESIDENTIT TË SHBA…

– Triptik në 103 vjetorin e Kongresit në nderim të etërve –

Nga Visar Zhiti

Kongresi i Lushnjës është një dramë e madhe në skenën e Shqipërisë dhe për atë ka një dramë, të shkruar po në Lushnjë, që mbart atë frymë e kohë, por dhe fatin e një populli në një udhëkryq të histories së re.

1- KUVENDI SHPËTIMTAR

Në Lushnjën e vogël u bë histori kombëtare, u arrit “Pavarësia e dytë” e Atdheut, me një kuvend mbarëkombëtar.

…nisi në 21 janar 1920, pra 8 mote pas shpalljes së mëvetësisë nga perandoria otomane…

Gjëndja, kur do të mbahej Kongresi jetik, ishte dramatikisht e rëndë, plot me rreziqe, përçarje dhe varfëri, e paqartë brenda; kurse jashtë, rrëmujë ndërballkanike, ende nxinin gërmadhat dhe plagët e Luftës së Parë Botërore, ndërsa kërcënime shtoheshin. Dukej sikur hanxharët e një kasapane politike po mpriheshin sërish për ta copëtuar Shqipërinë për fare…

Ndërgjegjia e kombit dha kushtrimin skenderbejan. Përfaqësues, të përzgjedhur apo të vetëcaktuar, nga të gjitha trevat, kush e ndjente e mundëte, nga paria, nga ata që kishin bërë emër, kryengritës a nëpunësa, që kishin qenë në Vlorë në ngritjen e Flamurit, që kishin punuar në perandorinë otomane apo kishin studiuar nëpër Europë, që kishin mërguar deri në Amerikë, nga ata që kishin sakrifikuar për vendin, duke lenë pasuri dhe gjak, u nisën për në Lushnjë, me ndonjë makinë, nga ato të paktat që ishin atëhere, të ngadalta gati sa qerret, me kuaj, në këmbë, kaptonin male, çanin borën dhe baltën e dimrit, rreziqet e natës, nëpër shtigjet ku mund të gjendeshe befas mes ushtrive të huaja, që hazdisnin trojeve tona.

“Të mblidhemi në Lushnjë!” ishte thirrja. Qeveria heroike dhe hallemadhe e Ismail Qemalit ishte shprishur. E si u lajmëruan shqiptarët të mblidheshn në Lushnjë? Si u përcoll lajmi par me shumë se një shekull në vendin më të varfër në Europë, ku mungonin posta, institucionet, trenat, universitetet, media,  shteti vetë, etj, etj? Si kaloi lajmi nëpër erë, me ç’frymë?

Dëshmori i parë ra, Abdyl Ypi. Por u bashkuan burrat, të palodhur nga lodhjet. Teksa i priste një lodhje tjetër madhështore. S’i caktoi kush delegatë, veçse atdhedashja dhe përgjegjësia. Thirrje si nga thellësitë e katakombeve të Kombit. Pra, jo me vota, as duke e blerë besimin, por sipas bëmave dhe përkushtimit dhe arritjeve dhe pasionit. U mblodhën si “oligarki morale”, jo për të bërë pasuri, por përkundrazi, duke lënë nga e tyrja, veç “të bënin Shqipëri”, siç po buçiste kjo këngë atëhere.

U mblodhën në Lushnjën, që ende ngjante me një katund, në sarajin më të shquar, atë Fugajve. Qëllimi ishte jo vetëm të gjykonin kohën, por të vendosnin se ç’duhej bërë në ato rrethana të rënda e me rrezikun e përbashkët mbi krye, ishte halli i Shqipërisë i pari dhe kryesori dhe të vepronin menjëherë, me qendresë e me diplomaci, edhe me luftë, po të duhej.

A kemi që na duan të mirën? Duheshin përcaktuar aleatët, nëse do të kishte përreth, atëhere më tutje, edhe më tutje, përtej oqeanit, pra ata që do të mund të ndihmonin në shpëtimin e Vëndit. Se gjysma e trojeve ishte marë… Të ruhej ajo që ishte, gjithmonë mëma Shqipëri.

Ku t’i gjenin forcat që të siguronin mbrojtjen e Kongresit? Një emër po dëgjohej gjithandej, Sulë Zdrava me luftëtarët e tij, po me atë pushkë që kishte qenë dhe në Rrethimin e Shkodrës, që kishte mbrojtur Beratin nga andartët grekë…

Kongresi i Lushnjës çudit:erisht ishte fare i qartë dhe i vendoaur. Në 10 ditët e punimeve të tij ribëri shtetin shqiptar, caktoi kryeqytetin, Tiranën, Kryeministrin dhe Qeverinë e tij për t’i dalë zot vendit. Institucionet dhe detyrat nga ideale u bënë program dhe veprim. Shqipëria po shpëtonte sërish. Mrekullia po arrihej. Nga ajo frymë e përbashkët, që vinte nga kohërat dhe varret, nga pragjet, brigjet dhe nga e ardhmja. Guxim dhe mençuri…

          Ka mbi një shekull që ecin delegatët e atij kuvendi, mbërrin bëma e tyre dhe fjala e tyre në ditët tona, e arkivuar, ndërsa qeverive të tanishme u del si detyrë jo vetëm që t’i njohin thellë dhe t’i përkujtojnë, jo thjeshtë si histori, por si përvojë e mësime e frymëzim.

          Ta kthejmë Shtëpinë e Kongresit në Lushnjë në tempull të patriotizmit, ku të bëjnë pelegrinazh gjeneratat e reja…

Delegatë të Kongresit të Lushnjes (1920)

2- LETËR NGA LUSHNJA NË WASHINTON

Duket e çuditëshme! Si fantazi për atëhere. Po ja që ndodhi…           Kryetari i Katundarisë së Lushnjës, gati një muaj pas mbarimit të Kongresit, më 17.3.1920, dërgon një letër. Dhe ku? Në Washington. Dhe kujt? Presidentit të SHBA-së, Wilsonit. Sa largpamës ky fakt! Lushnja përzgjedh shpëtimtarin, aleatin e Shqipërisë. Ç’letër e mrekullueshme, e qartë, e sinqertë dhe me fjalë të zgjedhura, e ndjeshme, pa stërhollimet kancelareske dinake, e urtë dhe me dije, e bukur… sa vizionare për të ardhmen!

Gjyshërit tanë të mbledhur rreth atij që shkruante, fjalët që ia thoshin me zë, shto këtë, këtë hiqe, po si t’i drejtohemi? Kujdes këtu, mos e zgjat shumë llafin, “e-rej, se isht Presidenti më i madh i botës, lale”, etj, etj. I kërkonin atij, Amerikës njohje të Shqipërisë, mbështetje dhe ndalim të planeve ziliqare të copëtimit të mëtejshëm. Ia kishin kërkuar vetes më parë dhe ishin gati të linin dhe jetën…

          Letra është e shkruar me dorë, me pendë a stilolaps mbase dhe pastaj është transkriptuar dhe gjendet në Arkivin e Shtetit. E shkurtër. Me një vetëdije të thellë. Historike dhe ka brenda histori. Ka të ardhmen, që e thirri.

Duhet bërë e njohur sa më shumë kjo letër. Meriton vëmendjen e mëtejshme të studiuesve, të konferencave, të parlamentit e lidershopit, të politikës në përgjithësi dhe të kuptojë aty strategjinë kombëtare dhe taktikat në veprim…  

Orientimi i drejtë i shqiptarëve mes atij kaosi drejt SHBA-së ndrit si yll polar. Ndjesia e fuqishme e atdhedashurisë, Shqipëria quhet Mëmë dhe dhimbja therëse për Kosovën dhe Çamërinë, për tokën dhe detin, alarm dinjitoz për të mos I copërluar edhe më. Ja, teksti i saj i plotë, pa asnjë ndryshim dhe në drejtshkrim. Me një shqipe të qarta si e njësuar me të folursës e përbashkët. Shëmbullore si letër!

Shkëlqesisë së Tij Wilson, kryetar t’Amerikes

I Shteteve të Bashkuem Vashington.

Shqiptarët që kanë mbështun tanë shpresat e gjallnisë mbi shtyllën apostole të parimevet fisnike të Sh. S’Uaj, sot iu luten të të pranoni falenderjet e paraqituna përkundrejt zanit të nalt e mëshir madh që jeni tye kryer për shpërtimin e atdheut tyne.

I nalti kryetar, shpëtoni nji popull që asht m’i Vjetri në Ballkan e që ka drejtu vështrimet e shpëtimit t’Ekselenca Juaj dhe mo i lini me derdhë gjakun e me vdek përpara lakmimevet imperialiste të fqinjëvet veç sigurimin e kufijvet 1913-es, ju lutem me fuqinë e shpirtit mos pëlqeni as pak krasitje të pa arsyeshme si mbi Kosovë e Çamëri, mbi kufite natyrale ethnografike të sh. s’uej nuk munde me kjen të ndara nga Mëma e tyre Shqipni.

Ju lutemi në emër të popullit pranoni nderimet tona krejt besnike. 

Kryetari Katundaris së Lushnjës

Lushnjë, më 17.3.1920

                                                                          Presidenti i SHBA, Wilson

Letra e Lushnjes për Presidentin e SHBA

                              

Po si ia çuan atë letër historike Presidentit Wilson? Shqip? Po kush e përktheu? Ç’do me thënë ‘Kryetar i Katundarisë’? A, qenka Kryetari i atëhershëm i Bashkisë, zoti Besim Nuri. Mes atij analfabetizmi të madh, varfërisë e malarjes e trallisjes kombëtare, si iu arrit kësaj largpamësie, me ç’mister dhe ç’engjëll i printe dhe i mbronte?

Le të shohim një nga kronikat e kohës, shih, ç’thuhet:

 “…në fillim të vitit 1920, Wilsoni i irrituar refuzoi ta pranonte propozimin britanik, francez e italian për ndarjen e Shqipërisë në tri pjesë: Jugosllavia do të merrte veriun, Greqia jugun, kurse italianët do të kishin mandatin për ta qeverisur një shtet të vogël shqiptar që do të mbeste pas kësaj rrudhjeje. Vlora do të bëhej pjesë e Italisë. Britanikët dhe francezët po përpiqeshin ta arsyetonin planin e tyre duke thënë që ‘populli shqiptar kurrë s’ka qenë në gjendje ta themelojë një qeveri të veten’. Wilsoni fuqishëm refuzoi, siç tha vetë ai, ‘padrejtësinë’ ndaj popullit shqiptar.

Ai prej njerëzve vlerësohet që vetë i dha fund idesë së ndarjes dhe një mandate italiane që ka qenë në zemër të negociatave në Versajë. Bile edhe në atë kohë, përfaqësuesi i Qeverisë së Përkohshme Shqiptare në Shtetet e Bashkuara, shkruante në gazetën “New York Times” të 11 marsit: “Shpëtimi i vendit tim i mbetet borxh tërësisht veprimit të qeverisë së Shteteve të Bashkuara.”

Në Tiranë, në kryeqytetin që caktoi Lushnja, kur vendi u hap dhe mori udhën e demokratizimit, u ngrit shtatorja e Presidentit Wilson në sheshin që iu dha emri i tij në 2012, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, por po në atë bronz meriton të derdhet dhe kjo letër-institucion dhe të vihet si memorial në Lushnjë, në sheshin para Bashkisë a para Shtëpisë së Kongresit, në Muzeun Kombëtar në Tiranë në Parlamentin Shqiptar. Dhe të bëhen kongrese për Kongresin e Lushnjës.

3- DRAMA ME FRYMËN  KONGRESIT

 “Të mblidhemi në Lushnjë” u shkruajt nga aktori dhe dramaturgu Hekuran Zhiti në Lushnjë, në një dhomë të vogël në një apartament modest, që është dhe sot. Do të festohej 50 vjetori i Kongresit dhe donin që ta vinin në skenë…

          Të tre aktete e dramës ndodhin në Lushnjë dhe nis me personazhe vendas, të trilluar dhe realë si Vath Plugu dhe Bajrami, Xha Bami i Haxhiajve, korrieri i Kongresit dhe kulmon me delegatët, përfaqësues të krahinave të vendit, me figura historike si Sheh Karbunara, Plaku i Butkës, Delagati i Matit, më i riu që bëhet minister e brendshëm e deri te Kryetari i Kongresit, Elbasan Pasha, kështu quhet në dramë, etj. Milicë shqiptarë e ushtri të huaja aty, ushtarë e oficerë italianë, ndonje filogrek, etj, etj. Si një mister në dramë ndjehet mbështetja amerikane, fryn si një fllad shpresëdhënës. Fundi i dramës është një magjistrale patriotike. Çahet rrethimi për të mbërritur në kryeqytetin e ri, në Tiranë, për të shkuar në ardhmëri…

Drama “Të mblidhemi në Lushnje” u botua së pari me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së vendit dhe u ribotua me rastin e 100 vjetorit të Kongresit të Lushnjës nga editori “Uegen”, shoqëruar me një studim nga botuesi, historiani Xhevair Lleshi. Në gjimnazin e Lushnjës nxënësit e vunë në skenë dramën dhe priten skena të tjera të mëdha.

Si një vazhdim plot emocion, po sjellim këtu pak nga fryma e dramës, nga akti i tretë dhe i fundit.

Në Kongres:

(Salla me 10 ose 12 sërë karrikesh. Në krye një tryezë e madhe, në anë të saj një flamur kombëtar me shtizë dhe një portret i Skënderbeut në njërën dhe i Ismail Qemalit në anën tjetër. Kongresistët, disa me veshje karakteristike të Veriut dhe të Jugut dhe disa me kostume europiane, barsolina e gravata e çanta, janë shpërnarë në grupe, dy e nga tre, duke biseduar…

Lushnjarë e bashkë me ta e të tjerë të armatosur, Vathi, Bajrami, Vrenozi, Thimiu, etj., si roje rrinë pak larg, hyjnë dhe dalin.

Zera:

– …kam ardh mes borës, ujqve dhe ushtrisë serbe…

– E madhe shtëpia… e mblodhi Shqipërinë…

– …nuk kanë mbrritë të gjithë…

– …ku ishit mbrëmë?

– Këtu afër. Na kanë pritur me këngë. Këndonin me rradhé dhe dilnin bënin roje me pushkë jashtë shtépisé…

– …kush e kishte Korçën, grekërit apo fracezët?

– Francezët për grekërit…

– Shiko Plakun e Butkës… legjendarin…

– … sa kohë që s’jemi parë? Qysh në Vlorë,

– …atë ditë kur u ngrit flamuri…

– A fillojmë, burra? Koha nuk pret…

– I përndershmi Sheh Karbunara do t’i bëjë një lutje Zotit, që të na bekojë… ogur i mirë… në mbrojtje nga të papriturat e shumta… ka kaq trazira…

(Të gjithë pa lëvizur nga vendi ngrijnë në heshtje dhe secili, sipas menyrës së vet, luten, dikush me kokën lart, me duart e bashkuara, me kryet ulur, ndonjë gjunjëzohet, mërmërisin, etj., në mes tyre Sheh Karbunara i statujtë duke krijuar kështu një si grup skulpturor sugjestionues, suprem…

-Përfaqësuesi i Lushnjës ta marrë fjalën… Zoti Vokopola nise…

Përfaqësuesi i Lushnjës – Në emër të Prefekturës së Lushnjës, Beratit e Skraparit ju uroj mirëseardhjen në Kongres. Nuk jemi këtu vetëm në shtëpinë e mikut tonë bujar, lushnjarit të nderuar Kaso Fuga, por dhe brenda mureve të historisë. Po nisim një betejë, sot më 21 Janar 1920, e mërkurë, që nuk do të harrohet, e ndjej… (emocionohet) Zini vendet… në këtë sallë… por dhe në ngjarjet që na presin…

Ia jap fjalën patriotit të flaktë, veprimtarit të palodhur kundër pushtimit otoman, mbështetësi kryesor i Ismail Qemalit, ministër në qeverinë e parë, Elbasan Pashës, i zbardhur në përpjekjet për çështjet e më mëdheut. Urdhëroni!

Elbasan Pasha (I moshuar, me pak mjekërr të bardhë, i hollë, i thatë, me kravatë e qylaf, me zë të ngadaltë e pak të ngjirur.) Të dashur qytetarë, delegatë nga i gjithë vendi, ju që keni ardhur dhe ata që nuk kanë arritur ende, por dhe ata që nuk do të vijnë dot kurrë se janë vrarë për ideal, (duartrokitje të forta), luftëtarë, burra që më bëtë nderin ta çel këtë kuvend, vazhdim i atij të Lezhës me Skënderbeun dhe i atij të Prizrenit me Abdyl Frashërin me shokë, duke ju falenderuar me shpirt, shpall të hapura punimet. Së bashku të hapim udhën që do të ndjekim. Nëpër vazhdën e gjakut do të shkojmë ku na e do zemra e plasur që të arrijmë te ëndrra, atje ku na e do puna, sipas amanetit të të parave. Shqipëria është bërë një herë dhe nuk ka pse zhbëhet!

Duartrokitje.

Zotërinj, jeni të lodhur, e di, keni ardhur rrugë e pa rrugë, mespërmes pushtonjësve të Shqipërisë, kjo na ka vrarë më shumë se sa të tatëpjetat e shtigjet e humnerat, se nata me erë e bora, kemi ecur me mjete që prisheshin, kështu e lanë atdheun tonë, me karroca e kuaj e më këmbë, po u shplodhëm që gjetmë sho-shoqin e do të bëhemi me flatra kur të gjejmë dritën që na duhet.

Kam kërkesën që të nderojmë dëshmorin e kësaj ideje, bashkëpunëtorin tonë të ngushtë, Abdyl Ypin, që e vranë ca ditë më parë për të mos qënë këtu ai dhe të gjithë ne e ky Kongres të mos mbahej. Nëpërmjet tij duam të përulemi para gjithë të rënëve dhe martirëve të Kombit…

Të gjithë ngrihen më këmbë. Heshtje e thellë…

Pas përfundimit të Kongresit të Lushnjes

Kryetar (i porsazgjedhur) – Të vazhdojmë më tej… të formojmë komisionet, që tani, të ndahen përfaqësonjësit në grupe dhe… Po emërojmë Sekretarin e Kuvendit, zotin Vokopola dhe për të këqyrur letërpërfaqësimet e delegatëve, pra një komision të posaçëm prej 5 vetash… Hë, të presim… për të mos pritur…

Delegati i Matit – (ngrihet) Unë jam për sulm, i përndershmi Sheh!

Zera – Me shka, me çfarë?

Delegati i Matit  – Me armën e diplomacisë, me diplomacinë e armëve.

Delegati i IV – Konkretisht: burra, gra, djem e pleq, me spata e me hunj, me armët që kemi, të përzëmë armiqtë nga toka jonë. Të hedhim si leckë qeverinë e sotme, që nuk bën për sot. (Duartrokitje)

Kryetari – Traktatin e Fshehtë të Londrës… Kongresi e hedh poshtë me vendosmëri duke përgatitur një protestë energjike për Konferencën e Parisit.

Kjo bëhet në emër të Asamblesë së Kombit në Lushnjë, kundra vendimeve të Francës, Anglisë, Italisë për copëtimin e Shqipërisë ndërmjet Italisë, Greqisë, Sërbisë e Malit të Zi. Rezolutën, na vjen një kërkesë, përfundoje kështu (lexon): Shqiptarët janë gati të bëjnë çdo lloj sakrifice dhe me e derdh pikën e fundit të gjakut të tyre kundra çdo veprimi, që mundet me vue në rrezik pamvarësinë dhe tërësinë e saj tokësore…

Ndizen drita ngadalë, salla e kuvendit, përfaqëuesit nëpër vende, kongresi vazhdon punën…

Sheh Karbunara – Të tregojmë që dimë të qeverisim. Shteti i pavarur shqiptar është realitet. Kështu kanë bërë dhe disa shtetet të tjera të robëruara, zotërinj, kështu Çekosllovakia, Finlanda, Polonia, Lituania… Edhe ne. Shtet i vjetër, qeveri e re!

Rojet e Armatosura – Rroftë Qeveria e re!… (Duartrokitje)

Nënkryetari – Të përgatiten tekstet që do t’i dorëzohen Konferencës së Paqes në Paris dhe Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sugjerime!

Plaku i Butkës – T’i drejtohemi Parlamentit italian, por jo me ton të butë, kështu m’u duk se dégjova, me lal e me lule ose me tryla si thotë myzeqari. Me spatët dardharit siç e përdorin nga Korça…

Përfaqësuesi i Matit – Shkronjat duhet të bjenë erë barut!….

Vrenozi – Zoti ka urdhëruar këtë Kongres për të shpëtuar Shqipërinë.

Delegati IV – Populli është mbret vetë dhe s’ka nevojë për mbretër, sulltanë e perandorë.

Kryetari – Të gjykojmë situatën ku ndodhemi.

Delegati II – Kongresi do përballet dhe do krijojë situatë vetë. Ne na shkon republika, republika, zotërinj dhe asgjë tjetër.

Zëra: republikë, po, po republikë… THOMAJ- Mbështetur nga shumë pëlqime, mendoj të kemi kryeministër zotin Sulejman Delvina.

Delegati I – Tani ai ndodhet jashtë shtetit, në Konferencën e Parisit, pra askush këtu nuk mendoi tjetrin pranë a vetveten.

Delegati II– Gjithmonë më i mirë është ai që mungon… (Të qeshura)

Kryetari – S’është ashtu gjithmonë. Ne i dimë vlerat e mëdha të zotit Delvina, rrjedh nga një familje ndër më të njohura dhe më të famshme në të gjithë Jugun. Ka kryer gjimnazin e Janinës dhe mandej në Stamboll. Fakultetin e Mylqijes në kryeqendrën e Perandorisë Osmane dhe pas marrjes së diplomës, siç e dini, ai u caktua menjëherë atasheut në Ministrinë e Brendshme të Turqisë dhe më pas si sekretar në zyrën e dekreteve të Kryeministrisë. Po në ato vite, ai shërbeu si profesor i literaturës në Gallata Saraj, etj. Në Bibliotekë gjithmonë e gjeje me libra francezë, të kulturës dhe shkencës perëndimore, dihen dhe interesi i tij e adhurimi dhe mirënjohja për Amerikën…

Delegati II- Ai të vijë sa më shpejt.

Ministër i Punëve të Mbrendshme Delegatin e Matit, Zogun e maleve, trimin 25 vjeçar… po, po…

Ministër i Punëve të Jashtme z. Mehmet Bej Konica…

Ministër i Arsimit z. Sotir Peci…

Ministër i Drejtësisë z. Hoxhë Kadri Prizrenin… Zëvendës z. Hysen Bej Virjoni… Ministër Finance Z. Ndoc Çoba… Zëvendës z. Idhomen Kosturi…

Votohen. Duartrokitje…

Kryetari – Tani nuk na mbetet gjë tjetër, veç të bëjë betimin Këshilli i Naltë dhe Qeveria e re dhe të gjithë delegatët për ato që marrim përsipër. (Heq flamurin me shtizë e del para tavolinës duke e mbajtur në dorë.) Urdhëroni, zotërinj, të bëjmë betimin më të lartë para Kombit.

Delegatët ngrihen në këmbë ndërsa të zgjedhurit afrohen para flamurit.

Sekretari – (Lexon me zë të lartë) “Betohem n’Emën të Perëndis, tue dhanë besën shqiptare e fjalën e nderit përpara Mbledhjes së Kombit, se do t’i shërbej popullit dhe shtetit shqiptar drejtësisht dhe mproj ligjet dhe indipendencën e plotë të atdheut të shenjtë!”

Të zgjedhurit  – (Një zëri) Betohemi! Duartrokitje. Kryetari u jep dorën. Delegatët ulen.

Një zë – Dua të shtoj dhe poetin e madh Gjergj Fishta! Le ta kenë si sekretar më vonë…

Një zë tjetër: – Rroftë Poeti! Duartrokitje prapë.

Kryetari – Kongresi i Lushnjës është Pavarsia e Dytë e Atdheut!

Sekretari – Si kujtim nga ky Kongres kemi ca flamurë të vegjël si lulkuqet e fushave me grurë të Muzeqesë, vërini nga ana e zëmrës. Këta do t’i shpërndajmë kudo.

Shpërndan flamujt e vegjël.

Njëri nga delegatët – Ja, kështu dua ta kem plagën në gjoks në luftë për atdhe…

Zëra të ashpër – Jeni të rrethuar… ndalni!… Kongres i paligjshëm… Dorëzohuni… do ju shpërndajmë me forcë…

Jehona e kërcënimeve përsëritet në gjuhë të tjera, italisht, greqisht, serbisht: ndalni… të rrethuar…

Ministëri i Punëve të Mbrendshme – Largohuni! Kongresi shqiptar është mbledhur si vullnet i popullit dhe jo në mëshirë të ndokujt, ushtri qoftë a qeveri e huaj. Po ju them që mos u përzieni në punët tona, përndryshe do ju godasim. Ne nuk duam armiq, por bëni mirë të largoheni nga Lushnja… dhe nga Shqipëria. Ndryshe do ju përzëmë dhe me luftë. Unë, bashkë me forcat e mia të armatosura do të marrshojmë drejt Tiranës!

Një zë i ashpër – Kush jeni ju?

Ministër i Punëve të Mbrendshme  – Ministri i Brendshëm i Qeverisë së vendit tim. Hapnu udhën!

Zëri – Mos lëvizni.

Ministër i Punëve të Mbrendshme – Unë nuk njoh tjetër autoritet, përveç Kongresit të Lushnjës. Ju përdorni armët që keni në dorë, në guxofshi. (Të vetëve.) Përpara me mua! Hingëllima kuajsh, trokëllima… Bie perdja.

* * *

Kështu mbyllet kjo dramë dhe duket sikur zhurmat e shqetësuara të kohës, ato hingëllima kuajsh të ngjarjeve vazhdojnë mitike dhe ndryshe, në kohë të tjera, pa ata kalorësa dhe pa ato barra mbi shpinë, ndërsa trokëllimat ngjajnë si të shndërruara në trokitje në dyert e Europës.

Kongresi lavdimadh na thërret vazhdimisht t’i rikthehemi betimit shqiptar, të lartë dhe me besë, me fe e nder e përkushtim, me drejtësi dhe ligje, dhe të gjithë, tani e gjithmonë, të ndjehemi si para “Mbledhjes së shenjtë të Kombit”, ndërkaq, si me atë misterin që ndihet në frymën e dramës së Kongresit, të bëjmë që të na vijë vazhdimisht ai zëri i mbrojtjes dhe nga përtej oqeanit, nga shteti më i fuqishëm në botë, SHBA, për të gëzuar prosperitet.

Ndërkaq duke u shtuar dhe Republika e Kosovës, duke u bërë dy shtete shqiptare në Ballkan, së bashku me të gjithë shqiptarë kudo në trojet e tyre dhe në diaporë nëpë botë, të shkojmë drejt ardhmërisë. Dhe me emblemën e Kongresit të Lushnjës.             

Comment

*