Drejtësia që duam

Nga Ruben Avxhiu

Dikur njihej si I Nderuari Dennis Hastert, Folës i Dhomës së Përfaqësuesve

Vetëm para pak viteve ishte njeriu më i fuqishëm në Kongresin Amerikan. Të mërkurën duhet të paraqitet për të vuajtur dënimin në burg.
Dikur njihej si I Nderuari Dennis Hastert, Folës i Dhomës së Përfaqësuesve, nga e hëna do të njihet si i Burgosuri No. 47991-424.
Nuk ka mesazh më të madh se askush nuk është mbi ligjin kur shikon një nga politikanët më të lartë të vendit të vihet mbas hekurave.
Shqiptarët mbase duhet të mësojnë nga ky fakt.
Po kjo ndodh kur ka ndarje reale të pushteteve. Kur gjykatësi është po aq i fuqishëm sa kryeministri i vendit dhe nuk pyet për partitë politike.
Në Shqipëri, gjykatësit janë të politikanëve dhe reforma për drejtësinë rrezikon të bëhet një ndarje torte, kaq gjykatës unë e kaq ti. Në fund, ai që e pëson është përsëri populli.
Ka ardhur me sa duket një moment kritik që perëndimorët janë angazhuar kaq shumë që një ligj reforme për drejtësinë të aprovohet në Kuvendin e Shqipërisë. Po është vështirë të bësh revolucion në drejtësi, në një vend ku e vetmja llogjikë që pranohet është ajo e partive.
Njerëzit të dëgjojnë gjithë alarm deri sa “del në temë” për të treguar se me cilën parti je.

Vendet si Shqipëria janë të tilla sepse ata që abuzohen të nxjerrin sytë po t’u shash ata që i abuzojnë.
Sigurisht, të kesh një drejtësi të besueshme nuk është e lehtë. Shqiptarët kanë një histori të gjatë abuzimesh të ligjit dhe nuk e imagjinojnë dot një shtet të së drejtës, prandaj edhe nuk luftojnë ashpërsisht për të.
Edhe në SHBA ka shumë abuzime me gjykatësit. Edhe në SHBA shumë njerëz të fuqishëm i shpëtojnë drejtësisë. Por njerëz të tillë nuk flenë dot të qetë. Proceset gjyqësore, sjelljet e avokatëve, pasuritë etj të gjitha rishikohen. Politika luan rol edhe në zgjedhjen e gjykatësve, po raportet e pushtetit ndryshojnë shumë. Kur një politikan takon një gjykatës, i pari nuk është superior ndaj të dytit.
Në Shqipëri, gjykatësi ka qenë gjithmonë një bisht i pushtetit. Dalëngadalë, nëse sistemi maturohet, gjyqësori do të fillojë të bëhet i ndërgjegjshëm për pushtetin vet dhe do të luftojë ta çimentojë atë.
Drejtësinë nuk do ta bëjnë dot ambasadorët që nganjëherë janë bërë për ironi përfaqësuesit më të vërtetë të vullnetit të popullit sesa politikanët e zgjedhur. As nuk do ta bëjnë partitë e politikanët pavarësisht bien dakord apo jo për versionin e reformës.
Pa një përpjekje të gjykatësve më të mirë e më të zotë, për të përjashtuar e eliminuar grykësit dhe hajdutët e paturpshëm, për të bashkëpunuar përtej politikës për të mbrojtur veten ndaj politikanëve të të gjitha partive, pa mbrojtur veten duke vëzhgur, zbuluar dhe dënuar ata që mes tyre janë shitur te krimi (sepse këta ua rrezikojnë jo vetëm imazhin por edhe jetën e sigurinë e të gjithë kolegëve të tyre), nuk do të ketë një drejtësi vërtet të pavarur si ajo amerikane në Shqipëri.