Drejtoresha e emëruar e CIA-s Gina Haspel dhe një histori me Nënë Terezën

Nga Ruben Avxhiu

Gina Haspel është emëruar nga Presidenti Donald Trump si drejtoreshë e CIA-s (shkurtim për Agjensinë Qendrore të Informacionit).

Emërimi ka nevojë për miratimin e Senatit Amerikan dhe e kaluara e saj është vënë mënjëherë nën lupën e medias dhe kritikëve, disa prej të cilëve e akuzojnë për pjesëmarrje në rastet e torturave të të dyshuarve për terroristë, në vitet pas 11 Shtatorit.

CIA ka kërkuar ndjesë për këto raste dhe ka ndaluar çdo për[1]dorim dhune në marrjet në pyetje, mirëpo kritikë liberal mendojnë se asnjë zyrtar i përzjerë me atë periudhë nuk meriton të jetë në krye të agjensisë. (Sigurisht ka edhe nga ata që mendojnë se radikalët e huaj, të dyshuar për terrorizëm nuk meritojnë të njëjtat të drejta civile si amerikanët apo ato që njihen nga Konventa e Gjenevës, po në përgjithësi, Kongresi Amerikan, media dhe shumica e opinionit publik, përfshi edhe vetë CIA-n janë pajtuar se torturat në hetim nuk ndihmojnë në zbulimin e të vërtetave dhe nuk pasqyrojnë parimet e agjensisë dhe të demokracisë amerikane.) Vetë Gina Haspel ka pikëpamje të njëjta dhe ka premtuar se nuk do të ketë një rikthim në vitet e para të shekullit të ri, kur CIA krijoi disa qeli sekrete në vende aleate europiane, pa dijeninë e shërbimeve sekrete të disa prej këtyre vendeve. Ajo thotë se roli i saj në ato vite është zmadhuar për lojëra politike.

Gjithësesi, cilado qoftë e vërteta apo merita për emërimin në krye të agjensisë, media po bën gërmimet e saj për të mësuar më shumë për gruan e fortë të inteligjencës amerikane.

Mes ngjarjeve nga e kaluara që kanë dalë në pah këto ditë është edhe një që ka të bëjë me murgeshën e famshme shqiptare, Nënë Terezën.

Ishte fillimi i viteve 1980, kur Gina Haspel po bënte udhëtimin e saj parë, jashtë Shteteve të Bashkuara, si punonjëse e CIA-s.

Si fillestare asaj i kishte rënë që të punonte gjatë një fundjave, në Ambasadën Amerikane, kur e kontaktuan për t’i dhënë informacionin se kishte telefonuar humanitarja laureate e Çmimit Nobel, Nënë Tereza me dëshirën për të realizuar një bisedë me Presidentin e atëhershëm të Amerikës, Ronald Reagan.

Haspel e kishte ftuar menjëherë për bisedë në Ambasadë, Nënë Terezën dhe ajo i kishte shpjeguar kërkonte të fliste me Presidentin Reagan në lidhje me mungesën e drithit në një vend të tretë, ku mesa duket njerëzit po vuanin për bukën e gojës. Cili ishte ky vend i tretë mbetet ende mister se qeveria amerikane e mban ende të klasifikuar informacionin.

Pas kësaj Gina Haspel u lidh me Departamentin e Shtetit dhe që aty u realizua lidhja telefonike me Presidentin Reagan.

Mirënjohëse për ndihmën që i dha, Nënë Tereza e ftoi Gina Haspelin që të vizitonte një jetimore për të cilën kujdesej. Pas kësaj, fëmijët e jetimores vizituan Ambasadën Amerikane nën kujdesin e Gina Haspelit.

Zonja Haspel ka pasur shumë detyra gjatë karrierës së saj. Ajo flet shumë mirë turqishten dhe rusishten, për shkak të operacioneve që ka drejtuar në Azi, në kohën e Luftës së Ftohtë, por flet edhe spanjisht e frëngjisht.

Nëse miratohet nga Senati Amerikan, ajo do të jetë e para grua në histori që do të drejtojë CIA-n. Gjithashtu, pas George Tennet, prindërit e të cilit ishin emigrant të lindur në Shqipëri, Gina Haspel do të jetë drejtuesja e dytë e CIA-s në histori që ka një lidhje personale me botën shqiptare. (Ruben Avxhiu)