Drejtori Xhika tha se tani për tani nga moti i lig nuk ka probleme në lëvizje në rrugën Shqipëri-Kosovë (zë)

Intervistë e Drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Dashamir Xhika dhënë gazetës “Illyria” të komunitetit shqiptaro-amerikan në SHBA dhe radios “Kosova” të Radio Televizionit të Kosovës

Bisedoi: Denion Ndrenika

Autoriteti Rrugor Shqiptar kërkon vëmendje dhe kujdes në lëvizje në Rrugën së Kombit për shkak të vështirësive të shkaktuara nga shirat, mjegulla dhe rënia e gurëve. Drejtori i Autoritetit, Dashamir Xhika kërkoi respektimin e shenjave të qarkullimit dhe kujdes në zonat e rrezikshme veçanërisht në Morinë-Kukës.

Rreshjet e mëdha dhe të vazhdueshme të shiot shkaktuan rrëshqitje të dherave, gurëve dhe inerteve në Rrugën e Kombit. Shqetësimi kryesor mbetet segmenti Morinë-Kukës edhe për shkak të mjegullës së dendur. Unë bisedova me Drejtorin e Përgjithshëm të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Dashamir Xhika rreth orës 21:30 të së premtes:

-Drejtor, cila është gjendja në Rrugën e Kombit pas rreshjeve?

-Dashamir Xhika: “Gjendja është në përmirësim e sipër. Ka patur disa shkarje të dherave në disa vende të ndryshme, si pasojë e rreshjeve të shumta. Por, me ndërhyrjen e kontraktorëve të mirëmbajtjes është kthyer gjendja e normalitetit. Njëkohësisht grupet e punës janë në terren duke survejuar të gjithë situatën”.

-Pra, po kuptojmë që lëvizja është pa probleme?

-Dashamir Xhika: “Lëvizja momentalisht është pa probleme. Ka vetëm problematika të vogla. Pra, shkarje të gurëve nga këto rreshje. Por, nuk ka situatë serioze për të kushtëzuar lëvizjen e mjeteve”.

-Faleminderit dretor për këtë bisedë!

-Dashamir Xhika: “Faleminderit edhe juve! Doja të shtoja diçka tjetër. Që, të gjithë përdoruesit e këtij aksi të rëndësishëm rrugor duhet të bëjnë kujdes dhe duhet të respektojnë të gjithë sinjalistikën. Por, njëkohësisht të shohin ato vende ku janë pika rreziku. Do të jenë njerëz që do të sinjalizojnë që ka një rrëshqitje dheu apo gurësh. Duhet të bëjnë shumë kujdes për të respektuar këto shenja të sinjalistikës”.

-Gjithmonë për segmentin Morinë-Kukës? Po?

-Dashamir Xhika: “Po, po. Gjithmonë në këtë segment”.

-Faleminderit edhe njëherë tjetër dhe natën e mirë!

-Dashamir Xhika: “Faleminderit edhe juve! Natën e mirë”!