Dreshaj: Shteti po i trajton jetët njerëzore vetëm si statistikë

Prishtinë, 23 gusht 2021 – Deputeti i AAK-së opozitare në Kuvendin e Kosovës, Shemsedin Dreshaj, e ka akuzuar Qeverinë e Kosovës se jetët e qytetarëve dhe të infektuarit nga COVID-19 po i trajton vetëm si shifra.

Dreshaj, i cili është me profesion mjek-infektolog, në një postim në Facebook, thekson se shteti duhet të mbroje jetën e qytetarëve të vet.

“Është fatkeqësi e madhe që jeta njerëzore po trajtohet nga shteti vetëm si shifër në statistikat ditore të të infektuarve. Jeta është e shenjtë dhe është obligim shtetëror që ajo të mbrohet. Vet shtetet janë krijuar për të mbrojtur jetën e qytetarëve të tyre.”, ka shkruar ai.

Dreshaj ka ndarë në Facebook edhe dy fotografi me stafin e Klinikës Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë. Ai ka thënë se mjekët dhe stafi teknik punonjë në kushte të rënda, për çka e ka bërë përgjegjës “shtetin”..

“Në Klinikën Infektive, nuk punon as porta dezinfektuese. Brenda klinikës, në mungesë stafi, po kujdestarojnë edhe kryeinfermierët. Fuqia shpirtërore e këtyre grave dhe burrave është për admirim. Nuk dorëzohen asnjëherë.”, ka shkruar Dreshaj.

“Po shteti, ku është?”, ka pyetur ai në mbyllje të statusit.

Statusi i plotë i Dreshajt:

Sot me ekipën kujdestare në Kliniken Infektive, Covid 19, ku edhe kryeinfermierët kujdestarojnë në mungesë të stafit infermieror.

Është fatkeqësi e madhe që jeta njerëzore po trajtohet nga shteti vetëm si shifër në statistikat ditore të të infektuarve. Jeta është e shenjtë dhe është obligim shtetëror që ajo të mbrohet. Vet shtetet janë krijuar për të mbrojtur jetën e qytetarëve të tyre.

Respekt deri në përulje për ata që janë në krye të detyrës, për të shpëtuar sa më shumë jetë. Për ata që edhe përkundër përkrahjes shtetërore po rrin besnik ndaj betimit të Hipokratit.

Në Klinikën Infektive, nuk punon as porta dezinfektuese. Brenda klinikës, në mungesë stafi, po kujdestarojnë edhe kryeinfermierët. Fuqia shpirtërore e këtyre grave dhe burrave është për admirim. Nuk dorëzohen asnjëherë.

Po shteti, ku është?

 

(r.m.)

Comment

*