Dua Lipa nderohet nga Këshilli Atlantik në Uashington me Çmimin e Lidershipit

Uashington, 22 tetor 2021 – Këshilli Atlantik me seli në Uashington ka njoftuar se këngëtarja kosovare me famë botërore, Dua Lipa, është një nga fitueset e çmimit për lidership për vitin 2021.

Këshilli Atlantik në Uashington do të nderojë edhe personalitete të tjera të rëndësishme nga fusha të ndryshme.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të nderohet me çmimin për lidership ndërkombëtar, Kryetari dhe shefi ekzekutiv i kompanisë “ Pfizer”, Albert Bourla, së bashku bashkëthemeluesit e kompanisë ”BioNTech”, Ugur Sahin dhe Ozlem Tureci,do të nderohen me Çmimin e Lidershipit të Shquar në Biznes, për arritjen e tyre novatore të vaksinës së parë kundër COVID-19.

“Fituesit e çmimeve për Lidership të Dalluar 2021 përfaqësojnë më të mirën e marrëdhënieve transatlantike”, ka thënë Frederick Kempe, president dhe CEO i Këshillit Atlantik.

“Në një moment historik gjatë të cilit sfidat e paprecedentë kërkojnë liderë të jashtëzakonshëm, është privilegj të përshëndes një grup kaq të jashtëzakonshëm të figurave të nderuara”, ka theksuar ai.

Dua Lipa do të nderohet me çmimin e dedikuar për artistë të shquar, për suksesin e saj në karrierën muzikore dhe për angazhimin e saj për kauza dhe qëllime filantropike, përfshirë fuqizimin e brezit të ardhshëm të udhëheqësve dhe të muzikantëve në Ballkanin Perëndimor.

Në njoftimin e tij, Këshilli Atlantik e vlerësoi punën e Dua Lipës me fondacionin e saj “Sunny Hill”, që synon të përmirësojë jetën e njerëzve në Kosovë.

Ylli i muzikës pop do të marrë pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve që do të zhvillohet në “Andreë Ë. Mellon”, në Uashington DC., më 10 nëntor, shkruan Daily Mail.

Në ceremoni do të marrë pjesë edhe Presidetja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila do të mbajë edhe një fjalim rasti.

Në këtë ceremoni do të shënohet edhe 60-vjetori i themelimit të Këshillit Atlantik, i cili promovon udhëheqjen konstruktive të Shteteve të Bashkuara, së bashku me aleatët në mbarë botën.

Çmimet e vitit 2021 do të mirëpresin krerët aktualë dhe të mëparshëm të shteteve, personalitete të huaja, ambasadorë, anëtarë të Kongresit dhe administratën e Bidenit, komandantët ushtarakë, udhëheqësit e biznesit ndërkombëtar dhe mediat.

(r.m.)