Dua Lipa po ndërton në Sarandë rezidencë miliona dollarëshe

Këngëtarja e famshme shqiptare, Dua Lipa, po ndërton një rezidencë miliona dollarëshe në Sarandë, raporton Page Six.

Një burim i portalit ka thënë se shtëpia e re e Dua Lipës do të ketë pamje madhështore nga Deti Jon.

“Na është thënë se shtëpia e re në qytetin bregdetar shqiptar që ndodhet përballë ishullit grek të Korfuzit do të ketë pamje madhështore nga Deti Jon”, shkruan portali.

Dua Lipa ka lindur në Britani, ku kishin migruar prindërit e saj, Anesa dhe Dukagjin Lipa. Prej moshës 11 deri 15 vjeçare ka jetuar në Kosovë, bashkë me familjen, e cila është kthyer përsëri në Britani.

Verën e vitit 2021 e kaloi në Sarandë bashkë me familjen e saj. Në bregdetin shqiptar i kaloi edhe pushimet e verës që shkoi.

Dua Lipa ka folur gjithmonë me krenari për origjinën e saj shqiptare.

“Unë nuk do ta ndryshoja këtë për asgjë, sepse me të vërtetë më ndihmoi të bëhesha kjo që jam”, ka thënë ajo.

Në nëntor të vitit 2022, Dua Lipa u bë edhe formalisht shtetase e Shqipërisë. Dekretin e shtetësisë shqiptare ia dorëzoi Presidenti i Republikës, Bajram Begaj.

(r.m.)