Duka: Trukimet zmadhohen, Norvegjia kyç për në “Brazil 2014”

Intervistë e presidentit të Federatës Shqiptarë të Futbollit, Armand Duka dhënë gazetës “Illyria”


Bisedoi Denion Ndrenika

 

-Zoti Duka, a mund të na jepni një vlerësim të shkurtër të përgjithshëm mbi ecurinë e sezonit futbollistik në Shqipëri?

-Armand Duka: “Tani besoj se ky sezon futbollistik ka pasur zhvillimet e tij pozitive për futbollin shqiptar në përgjithësi. Ka qenë një sezon që ka dhuruar garë në të gjitha nivelet garuese, kuptohet edhe megjithë problematikat që mund të ofrojë vetë një garë”.

 

-A mund të na bëni një dallueshmëri të Kategorisë Superiore nga viti i kaluar? Pra, cili ka qenë niveli i saj, i vetë dallueshmërisë?

-Armand Duka: “Ndoshta, në ndryshim nga viti i kaluar, si të thuash, gara përfundoi pak më shpejt se sa në vitin e kaluar. Në dy-tri javët e fundit mungoi gara, për arsye se gjërat u ndanë si në krye ashtu edhe në fund”.

 

-A mund të kemi një qartësim prej Jush, mbi: A është befasi më e madhe Kukësi në Ligën e Europës dhe finalja e Kupës Laçi-Bylis, e fituar nga laçianët 1-0? Domethënë, çfarë tregojnë si zhvillim në futbollin e Shqipërisë?

-Armand Duka: “Mmm… Në futbollin e sotëm, nuk ka surpriza emrash. Ai që investon më shumë, ai që kontribuon më shumë, ai që organizohet më mirë, merr edhe rezultate më shumë. Kukësi nuk ishte surprizë. Kukësi e filloi sezonin shumë mirë, me një skuadër shumë të mirë, me investime në infrastrukturë, me një stadium shumë të mirë dhe kështu që, rrjedhimisht mori edhe rezultatet e punës që bëri.

Gjithashtu edhe ekipet e tjera, pavarësisht nga qytetet e vogla dhe klube të vegjël si Laçi apo Ballshi, kanë bërë ekipe simpatike, kanë kontribuar më shumë, kanë marrë rezultatet e tyre. Sot nuk mund të kesh futboll të komanduar”.

 

-Nëse i referohemi bashkëpunimit të përgjithshëm që ka treguar Federata Shqiptare e Futbollit me partnerët, natyrisht që UEFA dhe FIFA zënë vendin e rëndësishëm; çfarë është bërë për të zbardhur rastet e dyshimta apo të përfolura për trukime, meqë gatishmërinë federata e ka dëshmuar?

-Armand Duka: “Tani… Dyshimet për fiksime rezultatesh realisht janë prezente në futbollin botëror, europian dhe atë shqiptar. Por, që të kesh argumenta për t’i dënuar ata nuk është shumë e lehtë. Për të minimizuar në një lloj mënyre këtë, ne gjatë këtij viti si risi në Federatën Shqiptare të Futbollit, është ngritja e Komisionit të Etikës, i cili ka autoritetin e plotë për të marrë masa nëse ka argumenta për fiksim rezultati. Kanë bërë hetime në raste të dyshuara, kanë dhënë edhe masa dhe uroj që ta minimizojnë sa më shumë dhe ta eliminojnë këtë fenomen.

Megjithatë, them që në një vend të vogël si Shqipëria ka edhe hiperbola (kupto: zmadhime) për këtë punë”.

 

-Jeni i kënaqur me bashkëpunimin në këtë kuadër me organet hetimore?

-Armand Duka: “Po… Në fakt ky është një organ i ri i Federatës Shqiptare të Futbollit, i cili bën hetimet e tij, me një vit eksperiencë dhe nuk mund të thuash që ka arritur maksimumet e tij në këtë vit. Por, kuptohet që kualifikime ata bëjnë në bashkëpunim me FIFA-n dhe UEFA-n. Dhe, besoj se do të jenë akoma edhe më “profi” në të ardhmen”.

 

-Kombëtarja në vendin e 43-të në renditjen botërore padyshim që ka një rezultat të jashtëzakonshëm, historik. Mirëpo, dua të di zoti Duka, deri ku mundemi ne?

-Armand Duka: “Mmm… Rezultati i renditjes së FIFA-s në vendin e 43-të vërtetë është i mirë, është i paarritur asnjëherë në historinë e futbollit shqiptar. Çdo vend në botë dëshiron të jetë i pari, por Shqipëria është Shqipëria, me këtë nivel zhvillimi që ka, mendoj që është një arritje maksimale. Nuk është se ka ndonjë fushë tjetër të jetës Shqipëria që shkon as në gjysmën e klasifikimit botëror, jo më në 1/4 pjesë të saj.

Megjithatë, gjithsesi, ajo çka duan sportdashësit shqiptarë është kualifikimi për në një event europian apo botëror. Tani kemi ndeshjen me Norvegjinë, e cila është ndeshje kyç për të vendosur të ardhmen e grupit ku ne marrim pjesë”.

 

-Puna e trajnerit Xhani De Biazi dhe afrimi i lojtarëve te rinj sikurse dhe Ju pohoni shpesh, kudo që i vëren dhe i vlerëson, ka qenë rezultative. Ju përmendët për emra të rinj. A kemi ndonjë emër konkret?

-Armand Duka: “Janë disa që pritet të jenë në dispozicion të trajnerit për në qershor. Admir Abrashi, i cili luan në Zvicër, Ilir Berisha, i cili luan në Suedi, një tjetër që luan në Rumani (Azdren Llullaku me Gaz Metan). Janë 4-5 emra të rinj qo do t’i ketë në dispozicion. Nëse i fton apo jo, ky është vendim i trajnerit”.

 

-Zoti president, stadiumi i ri ende mbetet në pikëpyetje dhe ka dështuar mundësia e tenderit për firmën që do të shembë stadiumin e vjetër (“Qemal Stafa”). Mund të dimë me përafërsi deri ku janë zhvillimet?

-Armand Duka: “Në këtë javë janë shtuar firmat që do të marrin pjesë në tender për ndërtimin e stadiumit. Dhe, besoj se brenda një muaji do të kemi përgjigje se kush do të jetë kompania që do ta ndërtojë atë”.

 

-Pyetja e fundit lidhet me bashkëpunimin e Federatës Shqiptare të Futbollit me strukturat shtetërore. Çfarë duhet bërë që të jetë më i mirë se deri tani? Çfarë vlerësimi keni?

-Armand Duka: “Politika shqiptare nuk e ka pasur ndonjëherë në prioritetet e veta sportin. Nuk e di nëse për arsye të halleve të mëdha që ka Shqipëria apo për arsye të moskuptimit të dukurive pozitive që sjell sporti. Uroj që të jetë në një nga vijat e preferencës së tyre në të ardhmen”.