Duke numëruar të vrarët

Nga Ruben Avxhiu

Ministria ruse e Mbrojtjes ka pranuar për herë të parë se ka ushtarë rusë të vrarë në Ukrainë.

Në ditën e shtatë të luftës, kjo ministri ka njoftuar se 498 rusë janë vrarë dhe mbi 1,500 janë plagosur.

Deri më sot, të vetmet shifra nga froni kishin ardhur nga ministria e Mbrojtjes së Ukrainës. Shifrat e ushtarëve rusë të vrarë sipas kësaj kishin arritur në 6,000. Ky dukej numër shumë i madh, megjithëse jo i pamundur. Nga ana tjetër, në mungesë të një burimi tjetër, ishte e vështirë të bëhej ndonjë projektim i saktë.

Për disa ishte e pabesueshme që autoritetet ruse mohonin të ishte vrarë edhe një ushtar i vetëm rus. Numri zero nuk ishte propagandë. Ishte parodi.

Për ukrainasit u krijua një mundësi për fushatë ndaj opinionit publik, duke bërë thirrje për Rusinë që të krijonte një mekanizëm për marrjen e trupave të ushtarëve të saj për t’u varrosur në atdhe.

Por edhe një problem praktik. Të vdekurit nuk mund të lihen rrugëve. Ndërsa varrimet kërkojnë angazhim e energji që janë të kursyera në kushte lufte.

Nga pikëpamja e propagandës, thuhej se Putini i druhej varrimeve të ushtarëve në Rusi. Dhimbja dhe revolta e prindërve, familjarëve e shoqërisë së ushtarëve të vrarë mund të krijojë probleme politike dhe morale për luftën. Kjo ndodhi pak me varrosjen e ushtarëve rusë të vrarë në Siri. Ndonëse Rusia e ka median e kontrolluar dhe ndryshe nga SHBA nuk mund të tërheqësh televizione për konkurrencë telespektatorësh, një numër në rritje ushtarësh të vrarë fillon dhe e amplifikon pakënaqësinë. Sidomos kur si duket shumë prej këtyre familjeve nuk e kanë ditur që djemtë e tyre i kishin dërguar në luftë.

Sipas një lajmi të paverifikuar ushtria ruse ka marrë vete kësaj here krematorë ambulantë, që do të bënnin djegien në vend të kufomave të ushtarëve të vrarë, për të mos njoftuar familjet dhe për të lënë mister për fatin e tyre deri vonë kur të mos jetë më problem politik për luftën. Nëse e vërtetë kjo do të ishte mizore. Këta të rinj po japin jetën me uniforma ruse dhe meritojnë të mos bëhen shkrumb e hi, në fshehtësi nga vendi i tyre.

KJo puna e krematorëve lëvizës mund të ishte hedhur poshtë si thashethem apo propagandë lufte. Mirëpo, kur pas disa ditësh luftë, Rusia vazhdonte të këmbëngulte te numri zero i të vrarëve, vëzhguesit ushtarakë filluan ta pranojnë që nuk ishte edhe aq e pamundur.

Tani Rusia ka pranuar gati 500 të vrarë (pa dy) dhe kemi hyrë në një moment tjetër. Ashtu si disa këshillonin që Ukraina mund të ishte duke e fryrë numrin e rusëve të vrarë, tani po thuhet që edhe Rusia e ka zvogëluar numrin real të të vrarëve. Të jetë diku në mes? 3,000-3,500?

Disa shkruanin që shifrat e Kremlinit duhen shumëzuar gjithmonë me 10. Domethënë rreth 5,000 të vrarë?

Edhe 5 të vrarë është një tragjedi. Ky është një konflikt që mund të “luftohej” në tavolinë.

Po ndiqja disa intervista nga zyrtarë etnikë rusë të Kharkivit. Një qytet i rëndëesishëm që Rusia pritet ta pushtojë së shpejti. Shumë pallate civilësh janë qëlluar e ka plot të vrarë të pafajshëm. Zyrtarët rusofolës ishin gjithë mllef me Rusinë. Toni dhe sentimenti ishte që këtë lloj bashkimi me Rusinë, mbi gjakun e vëllezërve dhe fiqnjëve tanë prej shekujsh, nuk e duam.

Disa vëzhgues cinikë në Moskë kanë thënë se pas pushtimit këta rusë etnikë “do të vijnë në vete” dhe do të pranojnë realitetin e ri politik. Madje edhe vetë ukrainasit. Më duken si analiza nga kolltuku. Por, në fund të fundit, kështu janë të gjitha ato që bëjmë nga larg.

Çdo ditë që vonon pushtimi. Sa më shumë që vriten njerëz. Sidomos ata të paangazhuar në luftë, aq më e pamundur do të bëhet për Rusinë që ta “tresë” Ukrainën në barkun e saj. Sanksionet do të kërkojnë pak kohë që të fillojnë të ndihen, por ato premtojnë probleme ekonomike të pashërueshme. Me Ukrainën brenda saj, domethënë me përgjegjësinë e rindërtimit në kurrizin e vet të përthyer nga sanksionet, ekonomia ruse do të lëngojë edhe më shumë. Si e kam shkruar që në fillim të luftës, pushtimet në kohën tonë nuk ndodhin më pikërisht sepse janë shumë të kushtueshme pasi mbaron lufta.

Ukrainasit nuk besoj se do t’ia falin kurrë Putinit këtë luftë, këtë shkatërrim të jetës së tyre, e pushtimin e premtuar si çlirim. Por nuk është çudi që inatin më të madh në fund, t’ia kenë rusët. Është popullatë e madhe e mbase edhe 5,000 e 50,000 ushtarë të vrarë nuk e kthen vendin përmbys. Për çdo familje që humbet djalin e saj, për një kauzë të dyshimtë, në mos të pashpjeguar mirë, tragjedia do të lërë gjurmë e mllef. Që ky mllef të gërshetohet me frikën e atyre që i kanë ende fëmijët gjallë, e atyre që u ka ardhur në majë të hundës nga një regjim që po i shkatërron edhe ato arritje të viteve të gjatë, do të kërkojë kohë. Për momentin dallga e inatit është larg dhe e vogël për të shqetësuar Putinin në Kremlin. Për momentin rrezikun më të madh e ka nga rrethi i tij, i oligarkëve, këshilltarëve, gjeneralëve etj që mund të vendosin se ka ardhur koha të bëjnë një ndryshim në drejtimin e Rusisë. Mbase prandaj, distanca e tavolinave të gjata.

Megjithë një procesi negociatash të filluar, jo paqja por as edhe ndonjë armëpushim nuk duket në horizont. Putini nuk mund të ndalet tani e të dalë si humbës. Ukrainasit nuk do të dorëzohen tani që kanë humbur njerëz e miq. Këta qindra e mijëra të vrarë që më duken vërtet shumë, mund të jenë vetëm fillimi e tmerri i vërtetë mund të mos ketë nisur ende.