Dy fjalë lamtumirëse për Pjetër Gjon Balaj (19.1.1929-28.1.2022)

Sot, familja e madhe Balaj në New York, pëcjell të zotin e shpisë në pushimin e mbram. Zakonisht thuhet se asht e mbarë vdekja kur i vjen ma të vjetrit, por kjo nuk e hjek dhimën dhe ndienjen e humbjes së randë për ma të afërmit, as për mue që e pata jo vetëm kushri, nanat motra, por edhe shok të ngushtë të jetës qyshë prej kur jam ba me mbajtë mend. Nji jetë me kujtime vetëm të mira, pa pasë kurrë nji qarteqef sado të vogël.

Pinjoll i shpisë së njoftun të Mark Bal Gjonit nga Mziu i Pukës, Pjetër Gjoni u dallue për shkathtësi, squetsi e guxim qyshë në rini të hershme, prandej i takoi atij të bahej, si të thuesh, motori dhe busulla e familjes, sidomos prej kohës së traumës kolektive që psoi populli i vendit tone me ardhmjen e komunizmit. Si familje e traditave të besës e bujarisë, përkrahi rezistencën antikomunste me strehim e bukëdhanje. Në vjetin 1951 Sigurimi e kishte zbulue aktivitetin e tyne dhe prgaditej për arrestimin e burrave dhe internimin e familjes. Nji burim miqsor i njoftoi, prandej u larguen prej shpije natën e 29 qershorit dhe morën rrugën plot rriziqe të arratisjes jashtë shtetit.

Në Jugosllavi e gjithë familja mbajti qendrim dinjitoz, gja që nuk ishte e letë. Atje Pjetra u martue me Zojën, ortaken e jetës që zgjodhi vetë, edhe ajo nga nji familje me tradita nacionaliste.

Mbas afër 10 vjetësh, gjithmonë nën presjon dhe të vezhguem nga autoritetet policore, patën fatin me dalë në Përendim, por jo pa kalue nepër kampin famëkeq Gerovës.

Mbas nji qendrimi relativisht të shkurtë në kampet e refugjatëve në Itali, familja mbrrijti në Shtetet e Bashkueme, ku me djersë realizuen “andrrën Amerikane” (The American dream). Pjetra me Zojën iu kushtuen punës dhe krijuen kushtet e volitshme për të ardhmen e familjes. Mjerisht nuk mbrrijtën me e përjetue rahatinë që kishin krijue me djersë sepse menjiherë mbas pensionimit Zoja kaloi në jetën e amshueme nga nji sëmundje e pashërueshme, ndërsa Pjetra vuejti 5 vjet nga paraliza. Megjithate, patën kuj me ia lanë trashigim frytin e djersës së tyne, fmijtë, reja, nipa e mbesa.

Familjarët kanë si ngushllim dhe duhet të jenë kryenaltë, për këtë njeri tradite i cili e kaloi jetën me dinjitetin dhe me cilsitë e besës, burrnisë, e bujarisë, pa u përkulë në vështirësina e rreziqe dhe pa u habitë në luksin e pasunisë që krijoi në Amerikë.

Mjerisht gjindem në fazën e mëkambjes së ngadalshme mbas sëmundjes nga Covid-19, ende jo në gjendje me udhtue, për me ia marrë dorën e ftoftë për lamtumirë.

Pastë dritë! Familjarëvet gëzime mbas sotit.

Gjon Buçaj                                                                                                                                                                                    Virginia, 2 shkurt 2022