Dy libra të çmuar të Qerim Vrionit: “Miq në 50 foto” dhe “Shqetësime qytetare”

Qerim Vrioni bën pjesë në atë plejadë krijuesish që u ngjajnë visareve të rralla, që i ekspozojmë pas kornizash të blinduara, pasi ndruhemi se na i grabisin apo na i dëmtojnë. E çmuar është eksperienca e tij prej forografi të shquar, të çmuara opinionet dhe studimet e tij për fotografinë, sidomos atë historike. Kjo përvojë është përhapur tashmë edhe jashtë Shqipërisë dhe jo vetëm në botën shqipfolëse. Bashkoi këtyre vlerave krijuese edhe fisnkërine e tij prej zotërie të vërtetë, qarku mbyllet në mënyrë të përkryer.

“Miq në 50 foto” nuk është një album banal me foto të njëpasnjëshme. Ai është një libër përmbledhjesh të biografive konçize të mjaft personaliteteve të spikatura shqiptare, me vlera të mëdha historike. Ato jetëshkrime nuk janë një parashtrim faktesh, por esenca e vlerave të gjithsecilit personazh të marrë në shqyrtim, nxjerrë në pah nga mbresa të drjetpërdrejta. Ilustrimet janë foto në bardhë e zi, shpesh të magjishme, të shkrepura prej Qerim Vrionit nga këndvështrime origjinale, me tendencën e realizuar prej autorit që të japë thelbin e shpirtit të atij që ka fiksuar, fillimisht në celulozë dhe më vonë sipas teknologjisë së sotme në jpg apo png… Pjesa dërmuese e këtyre shkrepjeve janë kryevepra të verteta, si në rastin e portreteve të Uran Kostrecit, Lumturi Blloshmit, Skënder Kamberit apo Shpend Bengut, sa për të emëruar disa. Thelbi i personazhit gjëndet gjithandej. Informazionet që i afrohen lexuesit për Ali Podrimjen, Suzana Varvaricën, KasemTrebeshinën, Maks Velon, Emil Lafen, Bujar Kapexhiun, Petrit Rukën e një galeri të tërë personazhesh të tjerë janë të rëndësishme, antologjike, enciklopedike. Ato e çojnë lexuesin në një botë të thellë idesh e ngjarjesh, e njohin me artistë që shpesh edhe nuk i kemi më midis nesh, ndonjëherë edhe pak apo aspak të njohur për frekuentuesit e nxituar të socialeve.

Ky libër është gjithashtu mjaft i dobishëm për studiuesit, për materialin e freskët faktik dhe jetësor që ofron, për larminë e personazheve. Fotot e botuara në të janë burim i çmuar për të pasionuarit e fotografisë, si dhe eksperiencë që mund t’u vlejë shumë atyre që kanë ndërmend të merren seriozisht me këtë lloj arti të magjishëm.

“Shqetësime qytetare”

ndërkaq është i një tjetër lloji botimesh. Në të mbizotëron elementi publicistik. Edhe në këtë libër, sidoqoftë, pikënisja shpesh është një foto, sidomos me rëndësi historike. Ngacmimet vijnë nga burime të rralla, janë frut i një pune murgjërore, apo edhe i rastësisë, element ky që dëshmon guximin e studiuesit Vrioni.

Materialet e këtyre faqeve janë të një rëndësie të posaçme historiko-artistiko-arkivore. Tek shkrimi “Një foto e rrallë e De Radës, me shënimin “J. De Rada me fshatarë arbëreshë”, nënvizohet idea se ndoshta ajo foto ka shërbyer si burim kryesor për krijimn e imazhit të poetit tonë të madh të Rilindjes Kombëtare, për realizimin e portreteve të tij të mëvonshme në pikture dhe skulpturë. Me interes të theksuar kombëtare është edhe shkrimi mbi një foto me diçiturën “Isa boletini në Vlorë”, ku jepen ide të reja rreth këtij dokumenti historik të datuar 30 nëntor 1912. E çmuar edhe fotografia e restauruar me mjeshtëri “Zëri i Nolit në një foto të vjetër”, por edhe shkrimi që analizon vlerat dhe historikun e saj. Në brendësi të këtij shkrimi edhe përmendja e një inçizimi të At Gjergj Fishtës që reciton pjesë nga “Lahuta e Malcisë”. Materiali i lidhur me këtë foto përbën një burim të veçantë për studiuesit e letërsisë por edhe të historisë të asaj epoke të papërsëritshme të kulturës shqiptare. Nuk mund të mos përmendesh edhe foton “Berat 1936” të fotografit të madh beratas Ilia Xhimitiku. Në këtë foto të shkëputur nga albumet e vjetra të familjes Qerim Vrioni paraqet nderimin e bërë nga beratasit atdhetarëve të shquar Çerçiz Topulli dhe Muço Qulli, gjatë zhvendosjes së eshtrave të tyre për në Gjirokastër dhe Leskovik. Duke u nisur nga kjo foto autori gjen shkas të përshkruajë me besnikëri edhe atmosferën e ditës së përcjelljes të patriotëve. Si studiues profesionist ai hedh dritë rreth organizimit të gjithë ceremonisë edhe në Gjirokastër e gjetkë. Detajet janë të mahnitshme, përfshirë këtu edhe fjalimet në nderim të Topullit e Qullit nga patër Anton Harapi, Ernest Koliqi etj.
Në pjesën me portrete të këtij libri të Vrionit paraqet interes të veçantë ajo e fotografit të harruar Mandi Koçi, po ashtu portretet me foto e prozë të Ndoc Kodhelit e Niko Stefanit. Interesantë recensionet mbi albumet fotografike e librat e Pirro Stefës, të austriakut Alfred Wollner mbi Ulqinin, apo edhe ai mbi antropologjinë e fotografisë të Xhyher Canit. Kapitullin “Shqetësime qytetare” Vrioni e nis me shtysën nga një album fotografik i botuar në Londër në vitin 2000, në të cilin gjenden edhe dy foto të lidhura me Shqipërinë. Njëra foto është e Marubit, e vitit 1922, për kapitenin Mark Raka dhe Bajraktarin e Shalës. Tjetra është e Gjon Milit, e vitit 1949, që ka fiksuar në celulozë Pikason. Ky fakt e shpie autorin në idenë e domosdoshmërisë së çeljes të një pavioni për fotografinë në Galerinë e Arteve në Tiranë. Në këtë kapitull të larmishëm gjenden edhe shkrime të tjera ndjellëse që, edhe pse i lexova me vëmendje, këtu po i anashkaloj, për të mos djegur kureshtjen e lexuesit, të cilit i uroj blerjen dhe leximin e këtyre dy librave që të ushqejnë me kulturë rreth një fushe të artit shqiptar pak të studiuar, pothuaj asnjëherë të thelluar si tek Qerim Vrioni.

Shpend Sollaku Noé,

(Botuar ne gazeten “Fjala”, 20 gusht 2022)

Autori i shkrimit, Shpend Sollaku Noé (fotografi nga Qerim Vrioni)