Dy minatorë e humbin jetën në minierën e Lajthizës, në Tropojë

Tiranë, 19 mars 2022 – Dy minatorë humbën sot jetën ndërsa një tjetër mbeti i bllokuar pas shembjes që ndodhi në një prej galerive të kromit në minierën e fshatit Lajthizë, në rrethin e Tropojës.

Në një njoftim paraprak, policia vendore bëri të ditur se, “rreth orës 11:55, në fshatin Lajthizë është shembur një galeri, ku për pasojë ka humbur jetën shtetasi A. D., 41 vjeç, banues në Tropojë dhe dyshohet se brenda saj janë bllokuar dhe dy punonjës”.

Disa orë pas njoftimit të policisë, ekipi i kërkim-shpëtimit të minierës gjeti në galeri edhe një minator tjetër të pajetë.

Në vendngjarje ndodhen ekipi i kërkim-shpëtimit, ambulancat dhe grupi hetimor.

Aksidenti i sotëm në minierën e kromit në Lajthizë të Tropojës është i dyti i këtij viti në minierat e shumta, që gjenden në veri të Shqipërisë. Më 4 mars, në një prej galerive në zonën minerare të Bulqizës u aksidentua rëndë një minator 40 vjeçar, i cili u transportua me helikopter për në spitalin e traumës në Tiranë.

Vitin e kaluar, në minierat e kromit në veri të Shqipërisë humbën jetën tre minatorë, ndërsa një tjetër rrezikoi jetën për shkak të mungesës së kushteve të sigurisë dhe vështirësive që ka shfrytëzimi i këtyre minierave, shumica prej të cilave janë në funksion që nga periudha e komunizmit.

(Pëllumb Sulo, Zëri i Amerikës)