Dy murtajat e Europës

Nga Ruben Avxhiu

Kronika filmike Parada e 1 Majit, e vitit 1941, në Sheshin e Kuq, në Moskë.

Miqtë më të nderuar, në tribunë dhe në shesh, janë udhëheqësit nazistë.

Bashkimi Sovietik dhe Gjermania Naziste bënë marrëveshjen famëkeqe të nënshkruan nga Molotov dhe Ribbentrop në 1939, për ndarjen e Europës. Gjermania pushtoi Poloninë në 1 shtator 1939. Bashkimi Sovietik pushtoi vendet balltike, Finlandën dhe gjysmën e Polonisë.

“Muaji i mjaltit” mbaroi në qershor 1941 kur Hitleri sulmoi sulmoi papritmas aleatin e tij më të ngushtë, Stalinin. (Në 1 Maj 1941, miqësia ende lulëzonte.)

Dy murtajat e Europës u përplasën egërsisht duke i shkaktuar njëri-tjetrit dhjetëra miliona të vdekur. Nazismi u mposht dhe u shua në 1945. Komunizmi jetoi edhe gjysëmshekulli.

Në një nga shembujt më klasikë që tregon se si janë fituesit ata që e shkruajnë historinë, në gjithë botën historia e Luftës së Dytë Botërore mësohet sikur filloi me sulmin e Gjermanisë Naziste ndaj Polonisë. Bashkimi Sovietik nuk përmendet.

Madje komunistët në përgjithësi dhe Rusia në veçanti ende e përshkruajnë Luftën e Dytë Botërore si momentin e tyre të lartë moral. Në fakt, u bënë kundërshtarë të nazizmit nga e keqja. Lufta iu imponua nga aleati i tyre i dashur. Mes dy diktatorëve psikopatë, ai i Berlinit ishtë më i paduruari.

Këto zhvillime ndikuan kudo. Ka një arsye se pse Partia Komuniste e Shqipërisë u themelua vetëm në vitin 1941. Ka arsye se pse historia e shkruar nga komunistët ka vuajtur shumë për të gjetur shembuj të rezistencës kundër pushtimit fashist përpara qershorit 1941. E vërteta e thjeshtë është komunistët kudo në botë, duke iu bindur propagandës së Moskës e shihnin nazizmin dhe fashizmin si aleatë. Ishin bashkë kundër demokracive dhe “botës së vjetër”.

Është koha për ta përmirësuar pak historinë për t’ia përafruar të vërtetës, pa ia mohuar sakrifricën atyre që u ngritën, luftuan e u vranë për liri, por duke i ndarë nga ata që bënë pazare politike, ideologjike, e shoviniste në kurriz të popujve, lirisë, e demokracisë.

Kronikën e festës së 1 Majot 1941 në Moskë, mund ta ndiqni këtu: https://www.facebook.com/plugins/video.php?height=314&href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Fartistkolesnyk%2Fvideos%2F214546177964715%2F&show_text=false&width=560&t=0