Dy policë të Kosovës shtinë me armë ndaj një veture në lëvizje, plagoset njëri prej dy personave që e shkaktuan incidentin  

Prishtinë, 23 janar 2023 – Policia e Kosovës konfirmoi se dy zyrtarë të saj janë përfshirë në një incident me armë në pjesën veriore të Kosovës në të cilin është plagosur një qytetar serb.

Në njoftimin e policisë thuhet se dy policët kanë shtënë me armë në drejtim të një veture në lëvizje që nuk është ndalur në pikën e kontrollit policor dhe e ka goditur veturën e policisë, duke e rrezikuar kështu jetën e zyrtarëve policorë.

Incidenti ka ndodhur në fshatin Bistricë të komunës së leposaviqit, pak pasi Policia e Kosovës e kishte vendosur një pikë kontrolli, për të ruajtur rendin dhe sigurinë publike, por edhe për të parandaluar krimin dhe kontrabandën në pjesën veriore të vendit.

Policia bëri të ditur se dy personat e dyshuar për përfshirje në këtë incident kanë të kaluar kriminale dhe se ata kanë qenë të përfshirë në dhjetëra vepra penale dhe kundërvajtëse.

D.S., 32-vjeçar, sipas PK-së, dyshohet se është i përfshirë në mbi 80 vepra penale si “vrasje, detyrim, armëmbajtje pa leje, sulm, pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, kanosje, vjedhje e rëndë, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, grabitje”, si dhe i njëjti ka kryer edhe mbi 20 kundërvajtje.

Ndërsa M.D., 38-vjeçar, dyshohet se është i përfshirë në 17 vepra penale si “vrasje, shtrëngim, armëmbajtje pa leje, vjedhje e rëndë, lëndim i rëndë trupor, kalim i paautorizuar i kufirit, manipulim me prova”, dhe i njëjti ka kryer edhe tri kundërvajtje, noftoi PK-ja.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, u doli në mbrojtje zyrtarëve policorë të përfshirë në incident. Në një postim në Tëitter, ai tha se dy personat që gjendeshin në veturën që shkaktoi incidentin e kanë goditur qëllimisht automjetin e Policisë së Kosovës, gjë që, sipas tij, i ka detyruar policët të shtinin me armë.

“Dua të jem i qartë: çdo formë e dhunës kundër policëve tanë nuk do të tolerohet”, shkroi ai në Twitter.

Më herët gjatë ditës, drejtori i Zyrës për Kosovë në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, e arsyetoi veprimin e dy qytetarëve serbë që nuk janë ndaluar në pikën e kontrollit. Sipas tij, policët e Kosovës kanë shtënë së automjetin me të cilin udhëtonin dy serbë, siç ka thënë, “vetëm sepse [ata] nuk kanë dashur të lejojnë që policia t’i keqtrajtojë pa asnjë bazë dhe arsye”.

I plagosuri M.D., i cili është dërguar për trajtim në spitalin e Kralevës, ka një plagë të armës së zjarrit në pjesën e majtë të kraharorit. Mjekët e këtij spitali kanë thënë pacienti është në gjendje shëndetësore stabile.

Lista Serbe, partia kryesore e serbëve të Kosovës, e ka dënuar incidentin, të cilin e ka quajtur “sulm brutal” ndaj serbëve në Kosovë. Kjo parti kërkoi që “tërheqjen e menjëhershme të të gjitha forcave speciale të policisë së Kurtit” nga veriu i Kosovës dhe përgjegjësit për incidentin e sotëm të dalin para drejtësisë.

“Edhe një herë theksojmë se prania e vazhdueshme e këtyre formacioneve mund të na çojë në një spirale ngjarjesh që do të kërcënojnë në mënyrë të pakthyeshme paqen në këto zona”.

Ky nuk është incidenti i parë i këtij lloji në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe. Edhe në të kaluarën, Policia e Kosovës ka raportuar se ka pasur incidente ku kanë qenë të përfshira automjete që dyshohej se bartnin mallra kontrabandë, por edhe sulme të tjera nga zyrtarëve policorë.

Ky incident vjen një muaj pasi në veri të Kosovës ishin vendosur barrikada në rrugë të cilat e kishin bllokuar qarkullimin 20 ditë.

Serbët lokalë kishin vendosur barrikada pas arrestimit të Dejan Pantiqit, ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës që dyshohet për sulme ndaj zyrtarëve të shtetit të Kosovës në veri. Barrikadat u hoqën pas lirimit të Pantiqit nga paraburgimi.

(r.m.)