DY VËLLEZËR QË NUK U KURSYEN PËR ÇËSHTJEN SHQIPTARE

-Është fjala për  vëllezrit, Avdurahman dhe Musa Sherifi (Hysolli) me origjinë nga Sinica e Devollit-

Nga Fuat Memelli-Boston

Pak ose aspak është folur e shkruar në median shqiptare për dy vëllezrit, Avdurahman dhe Musa Sherif (Hysolli) me origjinë nga Sinica e Devollit. Është shkruar  një faqe në librin e Ibrahim Memellit kushtuar Sinicës dhe vetëm  për Avdurahmanin (fotografia lart). Për këta dy vëllezër kanë patur informacion bashkëfshatarët e tyre , por ata që i njihnin, tashmë kanë ndrruar jetë. Sot ka informacion për ta vetëm nga pasardhësit e familjes si dhe ndonjë fshatar i dhënë pas historisë. Por, le të hyjmë në temë dhe le ta nisim me Avdurahmanin, ose Duron si e thërrisnin shkurt  fshatarët,  pasi  ky ishte edhe vëllai  më i madh.

 Ka lindur në vitin 1885 dhe mësimet e para i mori në vendlindje. Duke parë etjen e tij për dije, prindërit e dërguan me studime në Stamboll ku vazhdoi shkollën e mesme fetare. Pas Turqisë ndoqi universitetin  në Kajro  e Misir. Siç dihet, Misiri ishte një qendër e rëndësishme ku ishin mbledhur figura të shquar intelektualësh shqiptarë. Avdurahmani njihet me ata dhe përfiton mjaft prej tyre, duke u ushqyer me ndjenja patriotike e atdhetare për Shqipërinë. Pas shkollimit kthetet në Sinicë por nuk meret me fenë. Qëndron pak kohë aty dhe shkon në Zvicër në rajonin gjermanishtfolës. Nuk qendron shumë kohë  dhe emigron në Argjentinë. Edhe ky vend nuk e kënaqi. Largohet prej andej e shkon në Amerikë ku zbret në portin e Neë Yorkut e prej andej në Boston. Ai është ndër emigrantët e hershëm shqiptarë që ka ardhur në Amerikë. Emri i tij, Avdurahman Sherif Sinica, ndodhet në Muzeun e Emigrantëve në Neë York dhe është parë nga sinicarë. Në Boston punon në një kompani për ndërtimin e hekurudhave, ku gjatë punës humbet  njërin sy. Njihet nga afër me Fan Nolin dhe shqiptarë të tjerë të përkushtuar për Shqipërinë. Bëhet edhe ai veprimtar  e zgjidhet   sekretar i një dege. Në  shtypin e kohës , ndër të tjera thuhet:” Më 3 dhjetor 1915 u fillua dega Nr. 45 Dickinson. Pleqësia e parë u zgjodh kështu: kryetar z. Avdyl Ahmet Pulaha, sekretar z. Duro Sherif Sinica, arkëtar z. Qamil Hysen Porodina”. (Kalendari i Vatrës 1918.) Në listën e kontributeve për Vatrën ku disa shqiptarë kanë dhënë nga 2 dollarë, Durua është një nga dhuruesit kryesorë me 12,5 dollarë, që për atë kohë nuk kishin pak. Shkon punon edhe në Alaskë  në një hekurudhë për transportin e lëndës drusore, por kthehet përsëri në Bostoni. Në vitin 1937 kthehet në Shqipëri dhe shkon në vendlindje. (Theksojmë se ai kishte shkuar në atdhe edhe në vitin 1923 e qe u rikthye përsëri në Amerikë, siç do flasim  më poshtë.) Në vitin 1937 niset për herë të fundit për në Shqipëri. Nuk mori pension por dëmshpërblim për dëmtimin e syrit. Në këtë  udhëtim mer me vete dy sëndyqë me dokumenta të Vatrës, dhënë nga Noli për t’i shpënë në arkivin  e shtetit shqiptar. Siç dihet në vitin ë 1939 filloi Lufta e Dytë Botërore dhe sëndyqët me dokumenta mbetën në shtëpinë e tij në Sinicë. Pas Çlirimit, në vitin 1946, shkon në zyrat përkatëse në Korçë dhe i thotë se në shtëpi ka dy sëndyqë me doumenta të Vatrës dhe i lutet të vijnë t’i marin e t’i çojnë në arkivin e shtetit, pasi i ka porosi nga Fan Noli. Pas disa ditësh vjen me makinë një grup nga Korça dhe i marin dokumentat në fjalë. Këtë histori e ka treguar djali i Avdurahmanit, Dervishi, i cili ishte mësues. Historinë e dinë edhe fëmijët e Dervishit si dhe disa sinicarë. Mua ma tregoi atë nipi i tij, Albert Hysolli, emigrant në Greqi, i cili është shumë i përkushtuar për Sinicën dhe me shpenzimet e tij ka ndërtuar aty ujësjellësin si dhe punë të tjera. Në vitin 1946 Avdurahmani kërkohet nga Komuniteti Mysliman për t’u bërë myfti i Korçë, por nuk pranoi. Preferoi të jetojë e punojë si bujk në Sinicë. Në vitin  1960 ai ndrron jetë në moshën 75 vjeçare. Në varrimin e tij kishte shumë bashkëfshatarë si dhe nga fshatrat fqinjë. Një ish emigrant nga Dardha i cili kishte qënë me atë në Boston, foli aty dhe tha:”Avdurahmani  është njeriu juaj dhe shoku im. Kam qënë me atë disa vjet në Amerikë por juve nuk e dini kontributin që ka dhënë  aty me shoqërinë Vatra”. Këto fjalë i tregon sot nip i tij nga nëna , Astrit Gupe, sot emigrant në Amerikë, i cili ndodhej në atë varrim.

 Familja ime ka patur miqësi me atë të Avdurahmanit. Ne shinim bashkë grurin dhe të lashtat e tjera. Ende më kujtohet zëri i tij kur ngiste kuajt në lëmë. Unë isha i vogël atëhere dhe nuk e dija vlerën e këtij njeriu që kishte mbaruar universitetin ,që kishte udhëtuar në disa vende të botës e që kishte kontribuar për Vatrën. Nuk e dija që ai zotëronte turqishten, greqishten e vjetër, arabishten , anglishten dhe kishte njohuri për gjermanishten. Vonë, pas viteve 1990, i mësova vlerat e tij.  Sa ishte në fshat, nuk fliste për Amerikën, pasi e dinte që e pësonte nga regjimi.

 NJË VIKTIMË PËR TË CILËN NUK ËSHTË FOLUR E SHKRUAR  KURRË

Me idetë e tij patriotike e atdhetare, Avdurahmani  edukoi edhe vëllanë e tij më të vogël, Musanë, i cili u vra në moshë të re, kur ishte vetëm 28 vjet dhe i pa martuar. Por, si ndodhi?  Edhe ky, ashtu si i vëllai, Avdurahmani, pas mbarimit të shkollës në fshat, vazhdon një shkollë të mesme  për fenë në Stamboll . Ndërsa i vëllai shkoi në Kajro dhe vazhdoi universitetin, Musai kthehet në fshat. Me ndërmjetësinë e të vëllait, i cili atë vit ishte në Shqipëri me mision të Vatrës, Musaj bëhet shoqërues ( mbrojtës) i delegacionit italian me në krye Enricco Tellinin për përcaktimin e kufijve midis Shqipërisë e Greqisë. Siç dihet Tellini ishte caktuar me detyrën e kryetarit të delegacionit ndërkombëtar, pas Konferencës së Paqes në Paris. Ishte data 23 gusht e vitit 1923, kur gjatë udhëtimit nga Janina për në Kakavijë, i bllokohet rruga ku ishin vendosur drurë nga një grup grekërish prej 7 vetësh,.Pasi ndalon makina, dolën jashtë për të hequr drurët e vendosur në rrugë, shoferi italian Renigo Farenti dhe përkëthyesi shqiptar,Thanas Kraveri, por vriten me breshëri plumbash. Më pas u vra  mjeku Luiggi Corti, e pas tij edhe Enrico Tellini i cili doli jashtë duke qëlluar ndaj bandës por mbeti i vrarë. Qarqet greke u munduan ta përgënjeshtrojnë duke thënë se vrasja nuk ishte bërë nga grekërit, por nga  shqiptarët. Por, si  sqaron edhe Mithat Frashëri etj, kjo ngjarje tragjike, ishte organizuar nga grekërit. Ngjarja tronditi opinion ndërkombëtar e veçanërisht Italinë, si pasojë acaroi mardhëniet Italo-greke. Nuk po zgjatemi te ky atentat, pasi për atë është folur  e shkruar, por dua të theksoj se ndër personat që u vra aty, qe edhe i riu shqiptar. Musa Sherifi (Hysolli), i cili  qe në mbrojtje të delegacionit të kryesuar nga Tellini.Trupi i 28 vjeçarit u masakrua dhe familja nuk e gjeti kurrë. Ai nuk ishte martuar dhe nuk ka as fotografi të tij. .Për Musanë nuk është folur e shkruar kurrë.

 VARR PA ESHTRA

 Kjo ngjarje e rëndë tronditi familjen e  tij në Sinicë, jo vetëm se u vra djali i tyre, por mbeti edhe pa varr. Në këtë situatë, vëllai i tij Avdurahmani, te vorrezat e myslimanëve në Sinicë, ndërton një varr simbolik në kujtim të vëllait. Ishte një varr i rrallë, pa eshtra, i ndërtuar nga dhimbja për vëllanë. Këtë varr e dinte Dervishi, djali i tij, i cili ia kishte treguar edhe fëmijëve të vet. Varrin simbolik e ka parë edhe nipi i dy vëllezërve, Albert Hysolli, i cili e tregon me hollësi këtë ngjarje. Kanë kaluar 97 vjet qysh atëherë dhe varri pak dallohet, por Alberti ka në plan ta rindërtojë atë nga e para, në nderim të Musait që dha jetën tok me delegacionin Italian. Duke parandier rezikun nga qarqet greke, Avdurahmani ndrroi edhe mbiemrin e tij e të familjes, nga Sherifi që e kishte, e bëri Hysolli, mbiemër i marë nga fisi i nënës nga fshati Arzë, pranë Sinicës. Këtë mbiemër mbajnë edhe sot pasardhësit e kësaj familje.. Le të jenë këto rradhë një homazh për dy vëllezrit, Avdurahman e Musa Sherifi .(Hysolli).që nuk u kursyen për çështjen shqiptare.