Dyzimi i forumeve në PD, Berisha merr pjesë në mbledhjen e deputetëve

Tiranë, 31 mars 2022 – Partia Demokratike e opozitës shfaqi edhe sot dyzimin e autoriteteve drejtuese të saj, ndërsa ish kryeministri Sali Berisha, i përjashtuar nga kjo parti edhe si anëtar i thjeshtë, pas sulmit të dhunshëm të 8 janarit mbi selinë qendrore, mori pjesë i paftuar në mbledhjen e grupit parlamentar, prej nga u përjashtua më 9 shtator, pas shpalljes non grata nga SHBA për korrupsion.

Kryetari i grupit parlamentar, Enkelejd Alibeaj, zyrtari më i lartë në drejtimin e përkohshëm të PD-së, thirri mbledhjen e deputetëve të PD-së, duke njoftuar vetëm anëtarët e grupit, por zoti Berisha shkoi në mbledhje i paftuar dhe i panjoftuar, me pretendimin se përfaqëson komisionin e rithemelimit të PD-së, të njohur nga gjykata.

Partia Demokratike deklaroi se në mjediset e saj një grup personash po kryejnë veprime të paligjshme, siç i cilësoi drejtuesi i përkohshëm i PD-së, Enkelejd Alibeaj.

Ai tha se kjo ishte “një atmosferë pushtimi” dhe se zoti Berisha “mori pjesë me dhunë në mbledhje”, ndërsa figuron deputet i pavarur në Kuvendin e Shqipërisë dhe është përjashtuar nga grupi i PD-së.

Në selinë e PD-së zhvillojnë mbledhje edhe grupi parlamentar, prej nga ish kryeministri Berisha është përjashtuar, edhe komisioni i rithemelimit të partisë.

Komisioni i rithemelimit ka marrë praktikisht nën kontroll selinë qendrore të partisë dhe funksionet e saj menjëherë sapo doli vendimi i gjykatës.

Ish kryeministri Berisha tha për mediat pas mbledhjes në mjediset e PD-së se vendimi për përjashtimin e tij është i paqenë.

“Grupi i deputetëve është institucion legjislativ i Partisë Demokratike dhe është i hapur për debate nga më të ndryshmet. Unë mendoj se është një rast unik që Partia Demokratike të bashkohet edhe në diversitetin e vet dhe kjo e bën Partinë Demokratike edhe më demokratike” – tha zoti Berisha.

Në deklaratën e PD-së të drejtuar nga Alibeaj thuhet se vendimi i Gjykatës për Kuvendin e 11 dhjetorit nuk është i formës së prerë dhe se PD do ta ankimojë, ndërsa kallëzoi në SPAK gjyqtarin që mori atë vendim.

PD deklaroi se pret vendimin e Gjykatës për regjistrimin e vendimeve të Kuvendit Kombëtar të datës 18 dhjetor dhe se PD do të zbatojë çdo vendim gjyqësor të formës së prerë.

Ish kryetari Lulzim Basha, i cili dha dorëheqjen për të hapur rrugën, siç u shpreh ai, mundësive të bashkimit, mori sot pjesë në seancën plenare të Kuvendit, por nuk shkoi në mbledhjen e grupit të deputetëve, për të shmangur ngjarje që ai i quajti konfliktuale dhe të padobishme.

Zoti Basha përjashtoi në shtator ish kryeministrin Berisha nga grupi parlamentar pasi ai, së bashku me familjen, u përcaktua nga SHBA si person i papërshtatshëm për të vizituar SHBA për shkak të korrupsionit dhe cënimit të institucioneve demokratike.

Ish kryetari Basha deklaroi se PD nuk do të vërë asnjëherë në dyshim vendime të tilla nga SHBA, vend mik dhe aleat strategjik, dhe në Kuvendin e 18 dhjetorit u vendos të largohen nga forumet drejtuese drejtuese të PD-së të gjithë personat që janë shpallur non grata nga SHBA.

Ai kërkoi shpesh në Kuvend vetting mbi pasuritë e politikanëve, dhe deklaroi pas ngjarjeve të dhunshme të 8 janarit mbi selinë qendrore se PD ishte ndarë nga berishizmi dhe kishte zgjedhur të ardhmen.

Por PD është aktualisht e dyzuar mes dy kuvendesh, dy autoritetesh drejtuese dhe është në pritje të vendimeve gjyqësore për të sqaruar statusin e forumeve, ndërsa vullnetet politike brenda mjediseve të saj ende nuk janë përbashkuese në ndonjë formë të qartë.

Diplomatë të SHBA kanë deklaruar se Uashingtoni i trajton shumë seriozisht çështjet e korrupsionit, të cilat i ka vendosur si përparësi themelore, dhe se nuk do të takohen me zotin Berisha, e as do të komunikojnë me PD-në, nëse ai rimerr në dorë atë.

(Zëri i Amerikës)